Inspektorati Policor bëhet me zyrë në Prizren

Në një ceremoni të organizuar sot në Prizren, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) hapi zyrën rajonale në Prizren e cila është zyra e dytë rajonale e IPK-së pas zyrës së Gjilanit.




Në ceremoninë e organizuar nga IPK-ja për hapjen e zyrës në Prizren të pranishëm ishin përfaqësues të Prokurorisë, Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës, Komunës së Prizrenit, si dhe përfaqësues të ICITAP-it amerikan dhe EULEX-it.

«Arsyeja e parë e hapjes së zyrës në Prizren është që IPK të jetë më afër qytetarëve kurse arsyeja e dytë është që të ndihmojmë në profesionalizmin e mëtejmë të Policisë së Kosovës e cila konsiderohet edhe si barometër i shoqërisë së Kosovës», ka thënë kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani.

Sylë Hoxha Kryeprokuror i Prokurorisë në Prizren hapjen e kësaj e konsideroi si fuqizim i bashkëpunimit me Inspektoratin Policor.

«Edhe për ne si Prokurori në Prizren hapja e zyrës është lajm i mirë pasi që do të jemi më afër me rastet që trajton IPK-ja», theksoi kryeprokurori Hoxha.

Përkrahjen për funksionimin e zyrës së IPK-së në Prizren premtoi edhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja i cili potencoi se hapja e kësaj zyre është e mirëpritur nga qytetarët e Prizrenit dhe 74 fshatrat e zonës së Prizrenit.

Zyra rajonale e IPK-së e cila ka filluar punën që nga sot gjendet në objektin e Agjencisë së regjistrimit Civil në Prizren afër objektit të Administratës Tatimore në Prizren në rrugën «Kukësi».

Inspektorati Policor i Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të angazhohet duke ndihmuar në përmirësimin dhe ngritjen e cilësisë së punës së Policisë së Kosovës dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes ofrimit të shërbimeve sa më afër qytetarit.