INPO thërret për zhbllokim të Kuvendit të Prishtinës

Një ditë pas mbledhjes së fundit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, i cili e ka treguar vazhdimësinë e përplasjeve të mëdha pozitë e opozitë, Iniciativa për Progres, INPO, ka bërë thirrje për zhbllokim të institucioneve komunale.




«Qëndrimet dhe sjelljet e shumicës së anëtarëve të Kuvendit dhe Ekzekutivit të Komunës janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e qeverisjes së mirë dhe sjelljes etike e profesionale», ka konstatuar OJQ INPO, nëpërmjet një komunikate shtypi, shkruan sot «Koha Ditore». Sipas saj, përplasjet në mes të anëtarëve të Kuvendit nga radhët e LDK-së, PDK-së dhe Ekzekutivit të Komunës, janë të panevojshme dhe penguese në arritjen e objektivave të qeverisjes lokale në komunë.

«E devijojnë tërë misionin e këtyre dy organeve komunale dhe se bllokada të tilla pengojnë funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së KK-së, në trajtimin e çështjeve të ndryshme të interesit publik dhe pamundësojnë zhvillimin normal të punës në përgjithësi», është shtuar tutje. Në vijim është thënë se Kuvendi është i obliguar të ofrojë shërbime sa më të mira dhe në interes të qytetarëve të Prishtinës. Për më tepër, sipas INPO-s, kundërshtimi i propozim-vendimeve të cilat kanë të bëjnë me çështjen e zhvillimit urban të Prishtinës deri në shkarkimin e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit pamundëson çfarëdo zhvillimi në Drejtorinë e Urbanizmit.

«Si rrjedhojë, bllokimi i planeve rregulluese urbane, përmes të cilave do të vendoseshin standarde dhe kritere të zhvillimit urban të kryeqytetit, e vendosin qytetin në një kaos edhe më të thellë urban», ka shtuar INPO, duke konstatuar se pasojat e këtyre qëndrimeve po reflektohen në të gjithë punën e Kuvendit dhe Komunës.

INPO e cilëson si të dështuar mbarëvajtjen e seancës VII të rregullt në të cilën do të diskutoheshin dokumentet më strategjike të Komunës, siç është projekt-buxheti për vitin 2016 dhe Korniza Afatmesme Buxhetore 2016-2018, të cilat u votuan pa një debat të mirëfilltë dhe pa prezencën e Ekzekutivit dhe anëtarëve të LVV. Kjo OJQ monitoruese e Komunës së Prishtinës vlerëson se veprimet e tilla ndikojnë negativisht në bashkëpunimin konstruktiv në mes të ekzekutivit dhe KK-së, që janë kompetentë të kryejnë detyrat dhe obligimet përkitazi me funksionin e tyre sipas rregullativës ligjore për vetëqeverisjen lokale dhe të ushtrojnë kontroll të ndërsjellë mes tyre, në drejtim të avancimit dhe përmirësimit të performancës së Komunës dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve.

Krejt në fund, INPO i bën thirrje kryetarit të Komunës dhe partive opozitare në Kuvend që të reflektojnë seriozisht, të ulen dhe të zhvillojnë një dialog përmbajtjesor në gjetjen e konsensusit për tejkalimin e gjendjes së krijuar.

Gjithashtu, fton palët që të tërhiqen prej qëndrimeve ekstreme, në mënyrë që të rikthehet funksionimi normal i Kuvendit të Prishtinës. Përplasjet dhe mospajtimet midis ekzekutivit të Prishtinës dhe opozitës në KK, që e ka shumicën, kanë marrë dimension bllokimi nga viti i kaluar, pas përplasjes rreth ndërmarrjeve publike.

Bllokimi i çfarëdo propozimi nga Drejtoria e Urbanizmit ka filluar, ndërkaq, pas një sulmi të proklamuar nga këshilltari i PDK-së, Muhamet Selmani, në prill të këtij viti.