INPO-ja akuzon Komunën e Ferizajt për shkelje të parimeve të transparencës

Iniciativa për Progres – INPO po vlerëson se autoritetet komunale të Ferizajt po shkelin parimet e transparencës.




Albulena Nrecaj, monitoruese e indeksit për Komunën e Ferizajt nga INPO-ja, ka thënë se takimi i radhës i Komitetit të Politikës dhe Financave dhe seanca e Kuvendit të Komunës së Ferizajt gjatë kësaj jave janë thirrur në kundërshtim me dispozitat ligjore, të cilat i obligojnë organet komunale që të jenë transparente në raport me publikun, shkruan sot «Koha Ditore».

«Kryesuesi i Kuvendit të Ferizajt, në bazë të autorizimeve ligjore, ka thirrur mbledhjen VIII të Komitetit të Politikës dhe Financave, për 26 shtator 2015, derisa mbledhja VIII e Kuvendit të Komunës është caktuar për 29 shtator 2015. Ndërkohë që njoftimi për takimet e këtyre dy organeve të larta vendimmarrëse nuk është bërë publik në ueb faqen e Komunës së Ferizajt, tabelën e shpalljeve, apo nëpërmjet mjeteve të informimit», ka thënë Nrecaj.

Kështu, sipas saj, kryesuesi i KK-së nuk i ka respektuar dispozitat e Ligjit të vetëqeverisjes lokale, ato të Udhëzimit Administrativ të MAPL-së për transparencën në Komuna (UA 05/2013) si edhe të Rregullores së transparencës së KK Ferizaj, të cilat i obligojnë organet komunale që njoftimin për mbajtjen e mbledhjes së KK-së ta publikojnë së paku 7 ditë përpara datës së caktuar për mbajtjen e saj, nëpërmjet ueb faqes zyrtare, medieve dhe shpalljeve publike në vendet më të frekuentuara. Dhe, sipas drejtuesve të INPO-s kjo nuk është hera e parë që qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile në Ferizaj nuk njoftohen me agjendën dhe orarin e mbajtjes së mbledhjeve të komiteteve apo të Kuvendit.