Infermierja menaxhon punktin shëndetësor në Skifteraj

Banorët e fshatit Skifteraj të Komunës së Vitisë çdo ditë marrin shërbimet shëndetësore në një pikë ambulatore, porse vetëm nga infermierja. Përveç mungesës së mjekut, ky punkt ka problem serioz me objektin, i cili është vjetruar tej mase.




Infermierja Shemsie Lutfiu thotë se e ka të zorshme të ushtrojë punën e saj si punëtore shëndetësore ngase i duhet që të menaxhojë vetë objektin e dëmtuar. Ajo deklaron se detyrohet që nga shtëpia të mbushë me ujë shishet plastike dhe më pas t’i marrë në qendër ngase nuk ka furnizim me ujë të pijshëm, shkruan sot «Koha Ditore».

«Kemi probleme të mëdha me ketë objekt, sepse është shumë i dëmtuar. Ky është objekt montazh dhe është mjaft i vjetër dhe nuk i përmbush kushtet. Kur bie shi depërton brenda dhe shkatërron muret dhe njëkohësisht me kalimin e kohës shkakton edhe kundërmim të ambientit si pasojë e lagështisë dhe kjo është e rrezikshme edhe për mu por edhe për pacientët. Në dhomën ku i mbajmë barnat po shihni se të gjitha muret janë të dëmtuara si pasojë e lagështisë», ka thënë Lutfiu.

Komuna nuk ka angazhuar fare pastruese, ndaj këtë punë e kryen Shemsia.

«Ka raste që jam duke fshirë korridorin apo dhomat që janë këtu dhe futet ndonjë pacient dhe si mundem unë që ta kontrolloj atë. Ujin e bart me shishe nga shtëpia, sepse me ujësjellës ka probleme i gjithë fshati se nuk kanë paguar që të kyçin orët. Kemi probleme të mëdha», ka thënë ajo

Sipas saj, në këtë punkt mjekësor kontrollohet i gjithë fshati, i cili ka afro 600 banorë. Ajo thotë se Komuna e Vitisë duhet të bëjë një zgjidhje sa më të shpejtë për këtë objekt, ngase ai është i shkatërruar. «Po unë këtu i kontrolloj pacientët çdo ditë. Ata vijnë kontrollohen e masin shtypjen e gjakut ndonjëherë e marrin ndonjë infeksion varësisht prej kontrollit. Ky objekt është shkatërruar dhe më e rrezikshme është se ndonjë ditë nga të reshurat e shiut ose nga lagështia të bëhet diçka me e madhe ngase mundet me na prek edhe sistemin e rrymës. Komuna na ka premtuar që do te na ndërtoj një objekt tash të shohim», ka shtuar më tej ajo

Ndërkaq Demush Sadiku, kryetar i Këshillit të fshatit Skifteraj, deklaron se kanë bërë kërkesë në Komunën e Vitisë që në buxhetin për vitin 2016 të përfshihet edhe ndërtimi i punktit mjekësor në fshatin e tyre.

«Gjendja është e rëndë sikurse e keni parë edhe vetë. Ne kemi kërkuar nga Komuna që në projektbuxhetin për vitin 2016 të përfshihet ndërtimi i punktit shëndetësor. Na kanë premtuar se ky problem do të zgjidhet. Ne po mbesim me shpresën se kjo do të zgjidhet», ka thënë ai

Ndërsa Komuna e Vitisë zotohet se ndërtimi i punktit do të bëhet vitin e ardhshëm. Sokol Haliti, kryetar i Komunës, ka thënë se në projektbuxhetin për vitin e ardhëm është paraparë alokimi i mjeteve për këtë projekt. «Po, është në projekt që në vitin e ardhshëm të ndërtohet punkti i mjekësisë familjare në fshatin Skifteraj dhe kjo është paraparë që të ndodhë për vitin e ardhshëm. Por ne si organe komunale përveç këtij projekti do të bëjmë edhe projekte të tjera për fshatin Skifteraj», ka thënë Haliti.