Incidentet në kampet greke të refugjatëve rrisin numrin e azilkërkuesve në Shqipëri

Tre adoleshentë nga Maroku lanë një kamp refugjatësh në Selanik dhe kërkuan azil në Shqipëri, pasi thanë se në Greqi e kishin të vështirë të mbijetonin. Policia thotë se në disa raste kjo është një taktikë për të lëvizur drejt Veriut të Europës.

Emigrantë azilkërkues në një qendër pritje në Gjirokastër. Foto: Raimond Kola



Një raport i shkurtër i Policisë Kufitare të Gjirokastër njoftonte në mesin e korrikut se në aksin rrugor Gjirokastër–Kakavijë, nga shërbimet e kufirit u kapën tre adoleshentë nga Maroku të moshës 16-17 vjeç.

«Në pamundësi të shërbimit social, intervistimi i tyre do të bëhet një ditë më  vonë», thuhej në njoftimin e policisë.

Raportime të tilla kanë nisur të shtohen në pikat e kufirit që lidhin Shqipërinë me Greqinë, vendi nga hyjnë më shumë refugjatë në Shqipëri. Një ditë pas bllokimit të të miturve, policia shqiptare ndaloi në afërsi të Kakavijës edhe tre shetas të tjerë, dy afganë dhe një nga Siria.

«Nga të dhënat e shërbimeve kufitare shqiptare numri i refugjatëve të bllokuar në territorin shqiptar (Gjirokastër) për gjashtë muajt e parë të këtij viti është rreth 50»,  tha zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Oltiana Nano.

Nano shtoi se ishte rritur numri i atyre që pasi ndaloheshin, kërkonin azil në Shqipëri si në rastin e tre adoleshentëve nga Maroku, të cilët ishin larguar nga një kamp në Selanik ku kishin qëndruar për tre muaj për shkak të vështirësive që kishin hasur atje.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2016 numri i refugjatëve azilkërkues në Shqipëri u rrit në rreth 200 nga 106 persona në vitin 2015.

Dy vëllezërit nga Maroku i thanë punonjësit të shërbimit social shqiptar se e kishin lënë vendin e tyre pasi prindërit ua vranë. Ata po ashtu kanë rrëfyer se hynë në Greqi nga kufiri turk dhe u vendosën nga policia greke në një kamp në Selanik. Të tre arritën të realizonin regjistrimin duke marrë edhe Kartën e Regjistrimit të Përkohshëm nga autoritete greke [kjo kartë u mundëson refugjatëve në Greqi qëndrimin dhe trajtimin e përkohshëm me ushqime dhe veshëmbathje].

Por dy vëllezërit dhe shoku i tyre thanë gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet shqiptare se ishin detyruar ta lënë kampin pasi «kishin vështirësi të mbijetonin aty».

Sipas zyrtarëve shqiptarë të kufirit, incidentet në kampet e mbipopulluara të refugjatëve në Greqi dhe dëshira për të kaluar më në Veri të Europës janë arsyet e udhëtimit drejt Shqipërisë. Një zyrtar i tha BIRN se «edhe pse nuk përjashtoheshin rrjetet e trafikut, në të shumtën e rasteve refugjatët kanë dëshmuar (para autoriteteve shqiptare) se janë larguar ose kur kampet janë mbyllur ose kur ka pasur trazira në to».

Vetëm pak kohë më parë, një organizatë greke publikoi një raport për incidentet me refugjatët që ndodhen aktualisht në Greqi. Sipas Rrjetit të Regjistrimit të Dhunës dhe Racizmit në Greqi, gjatë periudhës janar-dhjetor 2016 u shënuan 95 incidente të dhunës raciste me më shumë se 130 viktima.

«Në 31 incidente, emigrantët ose refugjatët u vunë në shënjestër për shkak të origjinës së tyre kombëtare, etnike, fesë apo ngjyrës dhe në një incident u përfshi stafi i organizatave humanitare dhe ndërtesa që synonin të strehonin refugjatët», thuhet në raport.

Ndërkohë që sipas vlerësimeve policore, disa nga refugjatët kryesisht nga Siria dhe Afganistani kërkojnë formalisht azil në Shqipëri në mënyrë që të mos rikthehen menjëherë në Greqi, me shpresë se më pas mund vijojnë rrugën për në vende të tjera.

Në shtator të vitit të shkuar, 21 refugjatë sirianë u larguan nga një qendër në periferi të Tiranës, ndërsa ishin në pritje të kryerjes së praktikave për azil në Shqipëri. Pak ditë më vonë, policia shqiptare bllokoi një pjesë të tyre teksa udhëtonin nga territori shqiptar për në Kosovë. Policia arrestoi katër shqiptarë të cilët dyshohet se po i ndihmonin ata të udhëtonin drejt vendit fqinj në këmbim të pagesave financiare.

Vëllezërit marokenë  rrëfyen se kishin marrë autobusin e udhëtareve nga Selaniku në Janinë dhe më pas një tjetër autobus për në pikën kufitare të Kakavijës. Në fshatin e parë shqiptar buzë kufirit ata u ndaluan nga shërbimi policor shqiptar. Veshur me bluza të lehta, atlete gri dhe pantallona të shkurtra tre të miturit duket se kishin rënë në sytë e banorëve të zonës që kishin njoftuar policinë.

Pas gati 24 orësh qëndrimi në tokën shqiptare, dy vëllezërit dhe shoku i tyre  nga Maroku kanë firmosur kërkesën e azilit që u jep mbrojtjen e shtetit shqiptar.

Pas trajtimit 72 orësh nga shërbimet kufitare në Gjirokastër tre të miturit do të trajtohen nga Qendra e Azilantëve në Babrru të Tiranës.  Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Oltiana Nano tha se refugjatët pasi bllokohen në zonat kufitare shoqërohen në pikën e posaçme që është ngritur në Kakavijë.

εNë këtë pikë refugjatët intervisohen me përkthyes në gjuhën amtare dhe më pas pyeten nëse kërkojnë azil apo rikthimin vullnetar në Greqi», tha Nano.

Zëdhënësja e Drejtorisë së policisë së Gjirokastrës thotë se ata refugjatë që zgjedhin azilin dërgohen në një qendër tjetër që sapo është ngritur pranë Drejtorisë së Kufirit në Gjirokastër nga Organizata «IOM».  Po ashtu zyra e UNCHR-së në Gjirokastër dhe  organizata «Caritas» ofrojnë për çdo rast mbështetje për veshmbathje dhe ushqime për 72 orë, dhe në raste të nevojshme edhe ndihmë shëndetësore.

Duke parashikuar një rritje të numrit të refugjatëve, misioni i UNCHR-së në Shqipëri hapi vitin e shkuar një zyrë në Gjirokastër, ndërsa Organizata IOM krijoi një qendër pritjeje me rreth 60 vende për trajtimin e refugjatëve. Organizatat bashkëpunojnë dhe me Caritas në ofrimin e shërbimeve për refugjatët që bllokohen në kufi, duke përmirësuar situatën e viteve të mëparshme.

(https://www.reporter.al/incidentet-ne-kampet-greke-te-refugjateve-rrisin-numrin-e-azilkerkuesve-ne-shqiperi/)