Inagurohet godina, institucionet e vetingut nisin zyrtarisht punën

Rikonstruksioni i godinës së Ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, e cila do të shërbejë si ndërtesë për organet e vetingut, është shënuar edhe si dita zyrtare e fillimit të punës për institucionet e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Kryetarja e Komisionit të Kualifikimit, Genta Tafa, duke folur gjatë ceremonisë së inagurimit të godinës ku do te ushtrojnë funksionin tre komisionet e reformës në drejtësi. | Foto: LSA



Godina që i shërbeu gjatë diktaturës Ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, u përurua sot si vendi ku do të ushtrojnë funksionet Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit, të ngritura nga Reforma në Drejtësi, për të rivlerësuar gjykatësit dhe prokurorët.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, një prej mbështetësve më me zë të reformës tha se «sot është një ditë për shpresë në Shqipëri». Ambasadori Lu dhe Përfaqësuesja e Bashkimit Europian në Tiranë Romana Vlahutin morën pjesë në përurimin e godinës së re, e cila u rikonstruktua së fundmi si hapësirë për organet e vetingut, e që ndërkohë ka filluar shqyrtimin e dosjeve të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë inagurimi i godinës, që kushtoi 103 milion lekë, dhe dita e sotme shihen si data zyrtare të fillimit të punës së atyre që njihen gjërësisht si komisionet e vetingut.

Procesi i rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve është një prej pjesëve kryesore të reformës në drejtësi, që ka qenë edhe tema kryesore e debatit politik në dy-tre vitet e fundit, ndërsa konsiderohet si hap kyç që përcakton edhe nëse Shqipëria do të bëjë përpara me procesin e integrimit në BE.

Procesi është ndërkohë i vonuar, për shkak se mosmarrëveshjet politike para zgjedhjeve të këtij viti vonuan emërimin e anëtarëve të Komisionit të Pavarur dhe Kolegjit të Apelimit, ndërsa ligjet mbi të cilat do të funksionojnë u kontestuan në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike dhe më pas nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve. Kjo çështje e fundit që prek tre ligje të reformës, është ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

SHBA dhe BE që kanë mbështetur Shqipërinë në përpilimin e ligjeve të nevojshme të reformës, janë shprehur disa herë të shqetësuar për vonesat që i janë shkaktuar procesit. Po ashtu problem u pa edhe mosplotësimi prej shumicës parlamentare të kërkesave për personel dhe financa nga organet që duhet të kryejnë vetingun.

Kryeministri Edi Rama, i cili e përdori si lajtmotiv në fushatën elektorale fillimin e vetingut, bëri i pari një urim në rrjetin social Facebook. «Urime, kurajo, suksese komisionerëve të Vetingut! Njerëzit e këtij vendi meritojnë një sistem drejtësie pa gjykatës e prokurorë të korruptuar», shkroi Rama.

Ndërkohë pas inaugurimit të godinës, ku do të ushtrojnë funksionin Genta Tafa, kreu i Komisionit të Kualifikimit, vuri theksin tek anagzhimi i madh që do duhet për të reformuar sistemin e drejtësisë. «Reforma në drejtësi është një ndërhyrje e thellë kirurgjikale. Është një nga ato lloj ndërhyrjesh që bëhet për të nxjerrë nga koma pacientin dhe jo për ta zbukuruar atë», tha Tafa. Ajo e cilësoi punën e marrë përsipër si «rrugëtim i vështirë i kërcënuar nga shumë aktorë dhe faktorë përfitues të sistemit të pandëshkueshmërisë».

Ndërkohë Natasha Mulaj, e cila u zgjodh në krye të Kolegjit të Apelimit theksoi se ecuria e ngadaltë e krijimit të kuadrit ligjor dhe krijimit të instituticioneve e gjetjes së burimeve të duhura njerëzore i duket e qëllimshme. «…ata e kanë frenuar dhe penguar punën e sistemit në të gjithën e saj. Është fakt i pakundërshtueshëm se pa pastruar radhët tona dhe pa e konfirmuar përpara publikut se jemi ndarë nga element që janë shkaktarë të reputacionit tonë të dëmtuar dhe rënë në sy të publikut, do të ishte e pamundur të rifillojmë njërën prej betejave tona më madhore», theksoi Mulaj.

Përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili do të ndjekë dhe ndihmojë gjatë rivlerësimit, Theo Jacobs tha gjatë përurimit të godinës, se procesi kishte për të qenë i gjatë dhe me sfida. «Në këtë mëngjes dhe në këtë ndërtesë të bukur do të fillojnë sfidat tona konkrete. Trupa duhet të jetë e përgatitur për një punë të përgjegjshme dhe të rëndësishm», tha ai.

(https://www.reporter.al/inagurohet-godina-institucionet-e-vetingut-nisin-zyrtarisht-punen/)