Imuniteti i Saimir Tahirit thellon hendekun midis politikës dhe sundimit të ligjit

Megjithë retorikën për reformë në drejtësi, përplasja politike e ditëve të fundit dhe sulmi ndaj prokuorisë tregon edhe njëherë që kur politikanë të rëndësishëm gjenden nën akuzë në Shqipëri, historia është e dënuar të përsëritet.

Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.



Votimi të mërkurën në parlament i kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin e banesës, së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka rikthyer në skenë debatin e përsëritur të sjelljes së partive politike ndaj institucioneve të drejtësisë, kur këto të fundit hetojnë apo kërkojnë të gjykojnë raste të personave me pushtet.

Mazhoranca dhe opozita i drejtohen seacës parlamentare me dy raporte të ndryshme të prodhura në Këshillin e Mandateve, Rregulloren dhe Imunitetit, kur njëra palë kërkon arrestimin e Tahirit dhe tjetra është kundër.

Deputetët e Partisë Socialiste rekomandojnë rrëzimin e kërkesës së prokurorisë me argumentin se shohin «motive politike» pas saj. Nga ana e tyre, deputetët e opozitës në Këshill mbështesin kërkesën e prokurorisë me argumentin bazë se të dhënat e dala nga përgjimet në Itali, vërtetohen «në praktikë» për shkak se gjatë kohës që Tahiri ka qenë Ministër i Brendshëm, policia shqiptare nuk ka vepruar kundër organizatës kriminale të kushërinjve të tij, Habilaj.Tahiri bëhet zyrtari i parë i këtij niveli në Shqipëri që akuzohet drejtpërsëdrejti për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Ndërsa shumica dhe opozita janë përfshirë në betejë akuzash e kundërakuzash, vëzhguesit e jetës politike në vend të pyetur nga BIRN, shohin te refuzimi i shumicës për të votuar të plotë kërkesën e prokurorisë, një përsëritje të historisë, ndërsa shpjegojnë se kjo konfirmon se propaganda politike pro drejtësisë që dëgjohet zakonisht në media dhe aktet janë sërish mjaft larg njëra-tjetrës.

«Nëse kërkesa e organit të akuzës miratohet pjesërisht, apo ashtu siç vlerëson mazhoranca, atëherë vullneti dhe diskrecioni i legjislativit do të vijoj të jetë përcaktues për fatet e jetës politike dhe institucionale në vend, edhe pse në anashkalim të qartë të së drejtës», i tha BIRN-it analisti Arjan Vasjari.

Kërkesa e Prokuorisë për Krime të Rënda për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilin tha se e kishte nën hetim për «Trafik të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe «Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetëror», u bë zyrtarsiht të enjten që shkoi.

Kërkesa erdhi pak ditë pas bërjes publike të një dosje me përgjime të Gjykatës së Katanias në Itali, e cila kishte lëshuar urdhër arreste për 10 persona, ndër të cilët edhe vëllezërit Habilaj. Në dosjen me përgjime të antimafias italiane kundër Habilajve të përfshirë në trafikun e drogës, përmendej edhe ish-ministri Tahiri në tre raste. Opozita kërkoi arrestimin e Tahirit, të cilin e kishte akuzuar edhe më herët për lidhje me këtë grup. Tahiri vetë mohoi akuzat në një dalje publike, duke pranuar si gabim vetëm shitjen e një makine te një prej vëllezërve.

Për dy ditë Këshilli i Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit debatoi në lidhje me kërkesën e prokurorisë, duke marrë në pyetje tre prokurorët edhe në dy seanca me dyer të mbyllura, ku u paraqitën prova sekrete. Në fund këshilli doli me dy qëndrime të ndryshme.

Enkelejd Alibeaj që ishte pjesë e këshillit i tha BIRN-it se «Miratimi i pjeshëm», që nuk njihet si nocion ligjor, është asgjë më shumë sesa mohim total i mundësie për të hetuar». Alibeaj tha se Tahirit i ishte dhënë kohë e mjaftueshmë për të fshehur provat.

Në anën tjetër Ulsi Manja deputet i PS në këtë këshill, vuri në dukje se ishte «nxitimi i prokurorisë dhe zelli politik i opozitës për të vesh një çështje që duhej të ishte e zakonshme ndoshta për drejtësinë, ama për atë drejtësi që e ka kaluar vetingun, jo drejtësia që pret vetingun, problemi më i madh i (kësaj) çështje penale».

Por qëndrimi i shumicës për të bllokuar arrestimin e mundshëm të Tahirit, lexohet prej vëzhguesve të jetës politike në vend si një shenjë se kjo e fundit përpos qëndrimeve publike pro Reformës në Drejtësi, nuk është aq e gatshme të lëshojë personat e lidhur me të politikisht.

«Fillimisht këta hiqen si partizanë të drejtësisë, sikur e mbështesin e bëjnë, deri kur u afrohet te pragu i shpisë, kur troket në derën e kryministrit, mazhorancës ajo derë u përplaset në fytyrë», i tha BIRN-it analisti Armand Shkullaku.

Edhe më herët politikanë të ndryshëm janë akuzuar se fshihen pas imunitetit. Ligjet për këtë të fundit ndryshuan disa herë, ndërisa me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, prorkurorisë i është dhënë e drejta të hetojë pa marrë autorizim nga parlamenti, por politikanët sërish kanë imunitet ndaj arrestimit dhe një sërë procedurash të tjera mburojë.

Në vitin 2008 imuniteti u hoq për dy ministra të qeverisë së Sali Berishës: Lulzim Bashën, tani kreu i PD-së, atëherë Ministër i Transporteve, më vonë i Jashtëm dhe i Brendshëm; dhe Fatmir Mediu, tani deputet ndërsa atëherë ministër i Mbrojtjes dhe më vonë i Mjedisit.

E ndërsa në rastin e Bashës nuk është i qartë roli i imunitetit, ndërsa Gjykata e Lartë rrëzoi çështjen për shkak të shkeljes së afateve dhe disa procedurave nga prokuroria, Fatmir Mediu që ishte nën akuzë pas shpërthimit të marsit 2008 që solli 26 të vrarë në Gërdec,  përfitoi ndërkohë nga rizgjedhje si deputet. Gjykata e Lartë vendosi më 14 shtator 2009 se çështje penale ndaj tij nuk mund të vijonte pasi ai kishte rifituar imunitetin.

Gazetari Lutfi Dervishi sheh te qëndrimet rreth çështjes një ndryshim nga sa ka ndodhur më herët, duke e lidhur atë me atmosferën e krijuar për shkak të Reformës në Drejtësi. «Debati», thotë ai, «nuk është më a duhet të fillojë, por si duhet të fillojë dhe nga ku duhet të fillojë».

Megjithatë krerë të opozitës theksuan se ndalimi i arrestimit tregonte vullnetin e shumicës për «Reformën në Drejtësi».

LSI përmes zv.krytarit Luan Rama e quajti të hënën votimin e të mërkurrës si «votim pro apo kundër reformës në drejtësi». Deputeti Alibeaj e sheh gjithashtu ruajtjen e imunitetit të Tahirit si një votë që e dëmton reformën në drejtësi.

«Me këtë akt po bëhet gati ta gjynjëzoj, që në embrion, drejtësinë e reformuar. Kështjella e Reformës në Drejtësi po merr në këto momentë një goditje që do ta fusë atë përsëri në vdekje klinike. Kësaj radhe pa shpresë jete, nëse ndodh», tha ai.

Në një univers paralel, deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja, mendon se rasti dëshmon të kundërtën.

«Jo vetëm që nuk shof asnjë lidhje mes çështjes Tahiri dhe Refomës në Drejtësi, përkundrazi motivimin politik që i ka bërë prokuoria në harkun kohor të katër ditëve këtij rasti, unë e shof si sfidë ndaj vetingut dhe Reformës në Drejtësi», tha Manja.

Për analistët politikë qëndrimi i shumicës është një shenjë se politika nuk ka për të pranuar lehtë arrestime në rradhët e saj, me apo pa reformë.

«Është një mesazh shumë i qartë që politika nuk ka për të shkuar në gijotinë me këmbët e saj, sigurisht këtë shije të lë», tha Arion Sulo, kryeredaktor i të përditshmes Mapo.

Pasi vë në dukje se reforma ende nuk ka filluar të zbatohet, Sulo shprehet se kjo e fundit ka pasur dhe ka të plotë vetëm mbështetjen ndërkombëtare.

«Janë ndërkombëtarët që e kanë shtyrë përpara Reformën në Drejtësi dhe vetingun, po të qe për politikën shqiptare do e kishte kapur siç e ka bërë për 27 vjet», tha ai.

Edhe Arjan Vasjari thotë se nuk e shikon këtë si një goditje ndaj reformës «për shkak të mundësive të kufizuara që politika ka në raport me reformën». Por sipas tij qëndrimi i shumicës ka gjurmë që më bëjnë ta lexoj këtë sjelllje si një lloj vulnus-i ndaj frymës së reformës e cila, në themel të saj, ka reduktimin cilësor të influencës së politikës mbi autonominë vendimarrëse të sistemit të drejtësisë.

Armand Shkullaku ndërkohë sheh një sjellje të përsëritur të politikës ndaj drejtësisë.

«Kjo nuk është hera e parë që kjo na ka ndodhur. Në momentin që skandalet kanë marrë përmasat që mund të rrezikonin një pushtet, çonin vendin në zgjedhje të parakohshme reagimi on-bllok ka qenë kundër organeve të drejtësisë», thotë ai. Shkullaku shikon sulmin e shumicës ndaj prokurorisë si një sulm që do dekurajonte këdo në ato pozita.

Duke hequr paralelizëm mes qëndrimit të Ramës në rastin Tahiri me atë të Berishës pas 21 janarit, Shkullaku thotë se «ndryshon vetëm efekti stilistikorë i dy protagonistëve. Berisha kishte një gjuhë më të egër, Rama e ka më të sofistikuar, por në thelb kur preket pushteti secila mazhorancë i drejton sulmet e saj ndaj prokurorisë».

(https://www.reporter.al/imuniteti-i-saimir-tahirit-thellon-hendekun-midis-politikes-dhe-sundimit-te-ligjit/)