Improvizim ligjor për jetëgjatësinë e EULEX-it

Qeveria ka improvizuar në përpjekje për t’ia bërë bazën ligjore vazhdimit të mandatit të EULEX-it. Ndryshe nga herët e tjera, mandati i ri nuk do të mbështetet në marrëveshje ndërkombëtare.

Qëndrimi i mëtejmë i EULEX-it në Kosovë do të mundësohet nëpërmjet një projektligji që ekzekutivi, në një mbledhje të jashtëzakonshme, e ka proceduar të hënën për aprovim në Kuvend – atij për vazhdimin e mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, shkruan sot «Koha Ditore».

Të premten e kishte sponsorizuar një projektligj tjetër, që i referohej marrëveshjes ndërkombëtare me BE-në.

Instrumente të marrëveshjes konsideroheshin letrat që pritej të shkëmbeheshin ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini. Thaçi e ka adresuar shkresën, por Mogherini nuk ia ka kthyer.