Imitimi, një këshilltar i keq



I.

Ta nisim nga përfundimi: Politika duhet të jetë origjinale. Edhe kur u referohet modeleve të etabluara. Akoma sot shkruhen punime shkencore për ekspeditat e akademikëve japonezë nëpër vendet e zhvilluara perëndimore për t’i studiuar sistemet e tyre juridike e politike dhe për t’i përshtatur në vendin e vet. Këtë vizion, në një raport tjetër, e japin «Letrat perse» të juristit e filozofit francez Montesquieu. Te shqiptarët, këtë temë e ka trajtuar Ukshin Hoti. E thotë emri i revistës që ai botonte në Slloveni: «Demokracia autentike».

Importimi, apo eksportimi i demokracisë ka qenë një temë me rastin e intervenimit amerikan në Irak në kohën e George W. Bush. Atëbotë dyshohej mundësia e vendosjes së një demokracie të modelit perëndimor në këtë vend për shkak të veçorive të tij në këndvështrim të kulturës politike dhe asaj në përgjithësi. Disa madje mendojnë se një gjë e tillë është e pamundur. Ndonëse proklamimi i demokratizimit nga opinioni kritik botëror është konsideruar vetëm si një pretekst për pushtimin e Irakut.

Në opinionin publik shqiptar është identifikuar inspirimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë nga një frymë e re politike, sidomos ajo që përhap presidenti i ri amerikan Donald Trump, por edhe aktorë rajonalë, si Viktor Orban e ndonjë tjetër. Botëkuptimi i tyre politik afirmon antiglobalizmin, ksenofobinë, antisemitizmin etj. Kjo vardisje, si inaugurimi i rrugës «Donald Trump» në Kamëz, dhe sinkronizimi i agjendave me aktorë që kanë tjetër sfond historik dhe politik, nuk mund të dalë për hair. Edhe nëse është vetëm konjunkturale, që i shërben gjetjes së aleatëve dhe ardhjes në pushtet.

II.

Dokumentimi i jetës së udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë na ka lënë trashëgim ca sekuenca interesante, ku Enver Hoxha, në qendër absolute të vëmendjes, tregon një histori. Në rrëfim e sipër, ai e bën një hop virtuoz, sikur e merr dikë në përqafim. Dhe, në modus të ngadalësuar, jepet si të njëjtin gjest, i mrekulluar nga adhurimi për shefin e madh, e bën edhe Ramiz Alia, që i qëndron atij në krah.

Për një sy të stërvitur nuk është vështirë t’i vërejë ca anomali në paraqitjen e disa nga prej figurave politike. Në koreografinë e gjestikulimeve të Eduard Shalsit, Erion Velisë, Erion Braçes, Saimir Tahirit, Ilir Beqës etj. e gjen në një trajtë pangatërrueshëm të njëjtë gjestikulimin e Edi Ramës. Përveç komunikimit verbal, ata e kanë adoptuar edhe ligjërimin e tij me gjeste. Dhe, kjo prirje nuk ndalon te burrat; shprehinë e ndesh edhe te Mimi Kodheli, Elisa Spiropali etj.

Ndonëse për syrin tim, virtuoziteti nonverbal i këtyre nganjëherë interferon edhe me gjestikulimet e ish-kryetarit alternativ të socialistëve, Ben Blushit. Por, sikur shprehet shpesh Blushi, «ç’rëndësi ka». Ky riprodhim i virtuozitetit të shefit mund të interpretohet nga termat neutralë si admirim e vlerësim, deri te ato malinje, si stërdëgjueshmëri e servilizëm. Të rrethuar nga servilë deri në këtë shkallë, liderët rrezikojnë të bien në delir.

III.

Në formatet më të shikuara televizive në Shqipëri moderatori qëndron gjithë kohën në këmbë. Ata njëherë duket si padronë, njëherë si shërbetorë. Këto emisione dinë të zgjasin goxha gjatë, sa mund të kesh nevojë që shkopin ta përdorësh si bastun! Lodhje e vetes, lodhje e publikut. Kur kamera e fokuson moderatorin, panelistët zhduken. Kur ajo i fokuson panelistët, moderatori duket deri në brez. Këtë regji e ndjek edhe një fomat debatues në Maqedoni, pronari i të cilit është nga Maqedonia, kurse origjina e tij profesionale është Shqipëria.

Historia e izolimit 50-vjeçar, gjeografia dhe fakti që për shqiptarët «dielli lind nga perëndon», këtë model të televizioneve në Shqipëri e lokalizojnë në Itali. Në këtë vend me ekonomi të spikatur të tregut, regjia e qëndrimit në këmbë të moderatorit të një formati debatues mund të jetë e frymëzuar nga motive komerciale. Italia është një qendër e modës dhe qëndrimi i moderatorit në këmbë atje mund të jetë reklamë implicite e një marke firmato. Por edhe kot, një veçanti, ndryshe nga të tjerët. Kurse te shqiptarët është vetëm imitim!

Në Kosovë kanë spikatur formatet me kafenë e mëngjesit dhe ato serialet me familje, gjurmët e të cilave të shpijnë në periudhën e «bashkëjetesës» në Jugosllavi. Më vjen ndërmend një shprehje që ia kam harruar origjinën: Mos u krahaso kurrë me shokun, fqinjin – krahasohu me idhullin. Them që idhull nuk është e thënë të jetë patjetër një subjekt real. Ai mund të konstruktohet vetë, me reflektim dhe kreativitet. Ta përfundojmë si filluam: Shih konceptin e ‹tipit ideal› të sociologut gjerman Max Weber.