Imigrantët shqiptarë në Kalais vazhdojnë t’i drejtohen Britanisë

Të pa shqetësuar nga referendumi britanik për të dalë nga BE-ja, imigrantët shqiptarë janë grumbulluar në Kalais, në pritje të trafikimit të paligjshëm përgjatë Kanalit.

Didier Corfec, një kapiten anije 54-vjeçar nga Franca e pësoi nga trafikimi i njerëzve.

«Belazur» një hotel modest me tre-yje, përgjatë gjirit të qytetit portual francez të Kalais – baza jozyrtare për shumë migrantë të paligjshëm që duan të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar – është ende plot.

Megjithëse njësitë e armatosura rëndë të xhandarmërisë franceze e mësynë hotelin në nëntor 2015, në kërkim të imigrantëve të paligjshëm dhe trafikantëve, si dhe në një bastisje më të fundit në kërkim të migrantëve islamikë që po përpiqeshin të mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar, hoteli është ende shumë i zënë me punë.

Shumica e personave që qëndrojnë në të janë shqiptarë. Ata mund të shihen teksa qëndrojnë në dritaret e dhomave të hotelit dhe teksa qëndrojnë ulur e pinë diçka në barin e hotelit – vendi ku shumë prej tyre takojnë trafikantët të cilët i transportojnë në Mbretërinë e Bashkuar me anije ose kamion.

Referendumi i 23 qershorit, ku Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar nga BE-ja, nuk duket se i shqetëson shumë migrantët e ardhshëm. Shumë thonë se është ende herët të kuptosh nëse pasojat e referendumit do të zbatohen ndonjëherë.

Të pyetur rreth daljes së mundshme të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja dhe nëse ajo do t’i prekë ata apo nëse do ta bëjë Britaninë një destinacion më pak tërheqës për imigrantët e huaj, një imigrant shqiptar, duke folur në kushtet e anonimitetit i tha BIRN se «Brexit» mund të rezultojë në favor të tij.

«Mund të nënkuptojë se nevojiten më shumë shqiptarë për punë në Britani», tha ai.

Megjithëse numri i saktë i shqiptarëve që po përpiqen të arrijnë në Britani nuk është i ditur, zyrtarët thonë se numri i shqiptarëve që po i largohen varfërisë në atdheun e tyre dhe që po përpiqen të mbërrijnë në Britani me anije dhe traget nga Franca, Belgjika ose Holanda është qartazi në rritje.

Në Holandë, në gjashtë muajt e parë të 2016, policia arrestoi 290 shqiptarë që po përpiqeshin të mbërrinin në Britani.

Shqiptarët përbëjnë 50 për qind të të gjithë të arrestuarve të kapun në përpjekje për të shkuar nga Holanda në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo është një rritje e madhe krahasuar me vitin e mëparshëm, kur në 12 muaj një total prej 105 shqiptarësh u arrestuan në portet holandeze.

Kjo vendosmëri për të shkuar në Britani reflektohet haptazi në hotelin Belazur, ku tensioni është në ajër, teksa imigrantët përpiqen të kontaktojnë dhe negociojnë udhëtimet e tyre me trafikantët.

Me mbërritjen e verës dhe me forcimin e kontrolleve në kamionët e transportit, gjithnjë e më shumë migrantë duket se po kërkojnë të transportohen me varka të vogla, që besohet se kanë shanse më të mira për të mbërritur në brigjet e Britanisë pa u vënë re.

Me shtimin e imigrantëve që po zgjedhin këtë itinerar, numri i incidenteve në det u rrit gjithashtu.

Dy muaj më parë, 18 shqiptarë dhe dy shtetas britanikë u shpëtuan në Kanalin Anglez pasi varka e tyre hasi me probleme ndërsa përpiqeshin të arrinin në tokë. Ata u gjetën dhe u shpëtuan vetëm pasi një nga shqiptarët kërkoi ndihmë nëpërmjet celularit.

«Çfarë është më mirë? Të rrezikosh jetën një herë dhe të jetosh më mirë në Mbretërinë e Bashkuar apo të të duhet të mbijetosh çdo ditë në Shqipëri?», i tha BIRN një i ri shqiptar, në pritje të transportit të tij.

Ngaqë migrantët janë të gatshëm të paguajnë deri në 8’000 paundë britanikë (9’555 euro) për një udhëtim të sigurt drejt Britanisë, trafikimi i organizuar është një biznes joshës.

Në shumë raste, transportet e paligjshme organizohen nga rrjete kriminale, por peshkatarët dhe lundërtarët e vegjël në Britani, Francë, Belgjikë dhe Holandë janë përfshirë gjithashtu.

Didier Corfec, një kapiten anije 54-vjeçar nga Franca, ishte një trafikant i tillë që përfundoi duke e paguar çmimin për veprimin.

Një kapiten me eksperiencë që dikur lundroi botën me anijen e tij St Bodic, Corfest i tha BIRN se në 2014, një ndërmjetës francez i ofroi 14’000 euro për të transportuar 14 shqiptarë nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar.

Në atë kohë, atij i nevojiteshin paratë për të mbuluar faturat mjekësore, ndaj pranoi marrëveshjen dhe vendosi të transportojë imigrantët – të ndarë në dy grupe – në Mbretërinë e Bashkuar.

Të dyja grupet ishin shumica të përbëra nga të rinjtë, që Corfec prezumoi se po shkonin në Britani në kërkim të punës, por ato përfshinin gjithashtu një familje me dy fëmijë të vegjël.

«Në të dyja herët, lundrova nga porti natën, që të tërhiqnim më pak vëmendje», tha ai për BIRN.

«I njoh shumë mirë portet angleze dhe u përgatita për udhëtimet e mia shumë mirë», tha ai.

«Shkova në Britani për të kontrolluar paraprakisht se ku ishin portet pa kontroll. Në Kingsbridge, do të kisha pasur shumë telashe. Në Plymoith kishte gjithashtu shumë kontrolle. Ndaj zgjodha Dittisham në Devon, ku nuk kishte njerëz. Atje, pasagjerët e mi mund të zbrisnin nga barka pa asnjë problem», tha Corfec.

Secili udhëtim mori rreth 20 orë dhe sapo zbritën në tokë, migrantët hipën në makina që po prisnin për ta.

«Nuk prita sepse kisha ftohtë dhe kisha shumë uri. Porosita ushqim dhe një birrë dhe u ktheva në shtëpi», kujton ai.

Corfec tha se ndaloi me trafikimin e njerëzve pas udhëtimit të dytë. «Kisha fituar mjaftueshëm për të paguar borxhet. Nuk mund ta bëja sërish, nuk ishte e drejtë», tha ai.

Megjithatë, pasi disa imigrantë postuan foto të shkrepura në anijen e tij në rrjetet sociale, policia franceze veproi shpejt.

Ata e gjetën dhe e arrestuan Corfec bashkë me 12 trafikantë të tjerë. Një gjykatë në Rennes në e dënoi atë me 18 muaj burg ndërsa anija iu sekuestrua përkohësisht.

Corfec së fundi u lirua pasi kreu dënimin, por ai është urdhëruar të mbajë një byzylyk gjurmues. Anija iu kthye sërish, por Corfec thotë se bën kujdes të mos përfshihet në trafikim sërish.

«Në çastin që më arrestuan, nuk isha në dijeni se kishte kaq shumë njerëz të përfshirë në këtë formë të trafikimit», tha ai.

(BIRN Albania: http://www.reporter.al/imigrantet-shqiptare-ne-kalais-vazhdojne-ti-drejtohen-britanise/)