Imami shqiptar: «Islami në Zvicër po infektohet nga forcat konservatore si trupi me viruse të gripit»

Mustafa Memeti, imam në Shtëpinë e Religjioneve në Bernë, kritikon ashpër tendencat për përhapjen e islamit të prapambetur.

Mustafa Memeti, imam në Bernë.



Mustafa Memeti është një zë i rëndësishëm dhe i matur i fesë islame në Zvicër. Me origjinë nga Lugina e Preshevës, ai jeton në Konfederatën Helvetike që nga viti 1991. Më 2005 ai ka marrë shtetësinë zvicerane. Memeti rrjedh nga një familje e përkushtuar ndaj fesë – gjyshi dhe babai i tij ishin po ashtu imamë. 54-vjeçari Memeti ka studiuar fenë islame në Siri, Arabinë Saudite dhe Tunizi. Gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» ka portretuar në numrin e së mërkurës një numër personalitetesh që përfaqësojnë islamin në Zvicër. Mes tyre janë edhe dy shqiptarë: Mustafa Memeti dhe Bekim Alimi, imam në xhaminë e Wilit, një qytet në Zvicrën lindore.

Në bisedë me gazetën e Zürichut Memeti ka thënë se popullsia zvicerane me të drejtë frikësohet nga përhapja e një islai konservator, të prapambetur. Memeti është imam në Shtëpinë e Religjioneve në Bernë, një qendër unike në botë, ku bashkëjetojnë përfaqësues të feve të ndryshme: myslimanë, të krishterë, hebrenj, budistë dhe hindusë. Memeti tha se është i shqetësuar që në opinionin publik paraqiten si zëdhënës të islamit personalitete, të cilët komuniteti fetar i njeh vetëm nga mediat dhe të cilët gëzojnë pak mbështetje.

Sipas Memetit, islami në Zvicër po infektohet nga forcat konservatore si trupi me viruse të gripit. Shpeshherë në këtë fushë përzihen njerëz që nuk kaë lidhje me teologjinë, gjë që vetëm sa e ashpërson problemin. Rrjedhimisht, Kurani interpretohet politikisht. Pas një zhvillimi të tillë qëndron i ashtuquajturi Këshill Qendror Islamik (IZRS) dhe disa xhami në basel, Gjenevë apo Winterthur. Këshilli Qendror Islamik është një organizatë radikale, e cila udhëhiqet nga disa provokatorë – zviceranë të konvertuar në fenë islame, por edhe shqiptarë që hiqen si «besimtarë të devotshëm». Me ftesë të këtij këshilli në Zvicër ka qëndruar disa herë edhe imami kundërthënës nga Prishtina, Shefqet Krasniqi.

Memeti është kundërshtar i madh i bartjes së burkas, mbulesës së fytyrës. Ai po ashtu thotë se është e papranueshme që nxënëset myslimane të mos marrin pjesë në orët e notit në shkollë, siç kërkojnë disa prindër myslimanë. «Nga pikëpamja e tij është detyrë e imamëve me pozitën e tyre të fuqishme ne komunitetin fetar, që t’u tregojnë myslimanëve se çfarë perspektiva kanë në Zvicër dhe t’ua bëjnë të qartë prioritetet: demokracia, liria, rendi, siguria, toleranca, stabiliteti ekonomik – këto, sipas tij, janë vlera, pa të cilat myslimanët as nuk mund të jetojnë një jetë të përmbushur dhe të barabartë, as nuk janë në gjendje të ushtrojnë të lirë fenë e tyre», thotë Memeti për «Neue Zürcher Zeitung».

Gazeta ka portretuar edhe imamin Bekim Alimi, por me tone deri-diku kritike – për shkak se një fotografie të diskutueshme me një imam radikal. Alimi, megjithatë, gëzon njëfarë reputacioni në mesin e politikanëve zviceranë si zë i moderuar. Vitin e kaluar ai ishte i ftuar nga autoritetet zvicerane në bekimin e tunelit të Gotthardit, i cili me gati 60 kilometra është më i gjati në botë. Alimi angazhohet në integrimin e bashkëkomësve të tij në Zvicër dhe së shpejti për këtë do të ketë mundësi të reja: në një zonë periferike në Wil së shpejti do të hapet xhamia e re e komunitetit mysliman shqiptar. Ndërtimi i saj ka kushtuar 5 milionë franga. Alimi thotë se nuk kanë marrë para nga Arabia Saudite. Xhamia, sipas tij, është ndërtuar me donacione. (-lli)

© për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet rreptësishtë botimi i këtij teksti nga mediat tjera.