Imami Nehat Ismaili largohet nga organizata e dyshuar për radikalizëm islamik

Imami Nehat Ismaili, i cili drejton të ashtuquajturën «Xhami e Bardhë» në Aarburg në Zvicrën qendrore, ka dhënë dorëheqje nga Organizata Europiane e Qendrave Islamike (EOIC), e cila dyshohet për lidhje me Ligën Botërore Islamike të Arabisë Saudite dhe për aktivitete ekstremiste fetare. Dorëheqja vjen pas raporteve në media mbi veprimtaritë e dyshimta në Zvicër të këtyre organizatave që supozohet se financohen nga Arabia Saudite.

Nehat Ismaili, imam në Zvicër.

Akuzat e ngritura në mediat zvicerane kundër Ligës Botërore Islamike dhe Organizatës Europiane të Qendrave Islamike (EOIC) nuk e kanë lënë indiferent imamin shqiptar Nehat Ismaili. Të dy organizatat janë akuzuar nga mediat zvicerane për ushtrim të aktiviteteve radikale islamiste, siç është përhapja e selafizmit dhe vahabizmit, një doktrinë rigjide dhe zyrtare e islamit në Arabinë Saudite. Imamë të afërt me Organizatën Europiane të Qendrave Islamike (EOIC) nga shërbimi sekret francez konsiderohen si rrezik për sigurinë publike.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën nga e ashtuquajtura «Xhami e Bardhë» në Aarburg në Zvicrën qendrore, thuhet se imami Ismaili «vendosi të largohet nga Organizata Evropiane për Qendrat Islame (EOIC) me seli në Gjenevë». Si arsye për këtë Ismaili ka përmendur shprehimisht shkrimet në mediat zvicerane, por edhe faktin «se kaloi gati një vit që nga themelimi i kësaj organizate e që nuk ka pasur ndonjë aktivitet domethënës, që për ne e vë në pikëpyetje edhe funksionimin efektiv të saj si organizatë serioze».

Ismaili, i cili është shef i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës (UISHZ), ka theksuar se «asnjë xhami a qendër islame shqiptare, të cilat veprojnë në kuadër të UISHZ-së, as për blerjen e objekteve fetare, as për ndërtimin dhe as për mirëmbajtjen e tyre, nuk financohen nga burime të jashtme. Të gjitha këto bëhen me kontributin dhe vetëfinancimin e popullatës shqiptare që jeton dhe vepron në Zvicër si dhe me mbështetjen financiare të bankave zvicerane, të cilave këto xhami u kanë borxhe në shuma të larta, të cilat do të duhet t’ua kthejnë atyre në këste për afate të caktuara paraprakisht nga vetë bankat».

Gazeta zvicerane «NZZ am Sonntag» ngriti dyshime mbi financimin e një xhamie të myslimanëve shqiptarë, e cila, përfshirë edhe truallin, kishte kushtuar rreth 2,5 milionë franga. Ekzistojnë dyshime se xhamia të jetë financuar nga Liga Botërore Islamike dhe Organizata Europiane të Qendrave Islamike (EOIC), por dëshmi bindëse për këtë nuk ka ende. Sidoqoftë, vetë imami Ismaili e pranon se ka qenë në kontakt me themeluesin dhe presidentin e degës së Zvicrës të Organizatës Europiane të Qendrave Islamike Ziane Mehadjri, një algjerian 49-vjeçar dhe imam vahabist në Zvicrën franceze.

Pranimin e tij para një viti në Organizatën Europiane të Qendrave Islamike imami Ismaili e kishte bërë publik në portale shqiptare, duke e prezantuar si të arritur të madhe. Në njoftim thuhej: «Me një dekret nga ana e anëtarësisë së Mexhlisit Shura të Organizatës Europiane për Qendrat Islame, Nehat Ismaili, hoxhë dhe imam nga Kumanova, kryetar i Unionit të Imamëve Shqiptar në Zvicër, pranohet si pjesë e kësaj Organizate ndërkombëtare». Pastaj citohej dekreti: «Organizata Europiane për Qendrat Islame dëshmon që Nehat Ismaili, është anëtar i Mexhlisit Shura (Këshillit Konsultativ) të cilin e udhëheq dijetari i nderuar Salih bin Avad el Megamisij». (-lli)