Imamët nuk kanë ndikim tek të rinjtë myslimanë

Myslimanët e rinj zviceranë orientohen shumë pak sipas imamëve nëpër xhami. Ata e interpretojnë fenë e tyre në mënyrë kritike.

Foto: KingJC / Shutterstock



Një studim tregon se myslimanët e rinj këtu, fenë e tyre e interpretojnë individualisht dhe në mënyrë kritike, e transmeton «20 Minuten» agjencinë zvicerane të lajmeve, sda. Ata orientohen shumë pak sipas imamëve nëpër xhami, sipas predikuesve të internetit, apo sipas organizatave që kanë një paraqitje të gjërë publike. Studiues të Universitetit të Luzernës kanë intervistuar 33 myslimanë dhe 28 myslimane të moshës 15 deri 30 vjeçare lidhur me orientimin e tyre fetar. Janë intervistuar para së gjithash sunitët që e dominojnë islamin zviceran.

Për sa i përket profilit të të intervistuarve, ata janë të gjithë myslimanë praktikues; prindërit e tyre kanë qenë fetarë, por nuk i kanë edukuar ata enkas fetarisht. Në krahasim me realitetin, myslimanët praktikues në studim janë të mbipërfaqësuar, njëlloj sikurse edhe ata me një shkollim të lartë apo me rrënjë turke. Të intervistuarit interesohen për fenë për motive të ndryshme. Islami mund të jetë një shtyllë mbrojtëse, një udhërrëfyes për jetën apo një sistem që duhet ndjekur. Një pjesë janë marrë vazhdimisht me islamin, për një pjesë ai ka qenë një si zbulim. Nxitës për një qasje më të thelluar në islam kanë qenë një rast vdekjeje, një krizë kuptimi, një udhëtim në një vend myslimam, apo lindja e një fëmije.

Debatet politike dhe shoqërore në Zvicër lidhur me islamin shumëkënd e ka shtyrë të merret më thellësisht me islamin. Një gjë vendimtare ka qenë debati lidhur me minaret. Një pjesë e të intervistuarve në ndërkohë ishte distancuar nga islami, si për shembull, për shkak të diskriminimit të gruas në shoqëritë myslimane. Konfliktin me fenë ata kanë mundur ta zgjidhin duke ia atribuuar diskriminimin të gruas jo islamit, por kulturës së vendeve të prejardhjes së prindërve të tyre.

Në kërkimet e tyre, myslimanët e rinj shfrytëzojnë dhe krahasojnë media të ndryshme dhe oferta të ndryshme. Një rol të rëndësishëm në këtë kontekst luajnë mendimet e prindërve, të miqve dhe personave që iu besojnë në komunitetin e xhamive. Më i vogël se sa mendohet është ndikimi i imamëve nëpër xhami apo predikuesve të internetit. Shumë me rëndësi për myslimanët e rinj është kontakti direkt.

Kjo përzgjedhje e vetëdijshme e ofertave për orientimin fetar të të rinjve myslimanë nuk është e jashtëzakonshme, por tipike për personat në rritje e sipër, thotë studimi. Ka një trend tek të rinjtë, me apo pa sfond migracioni, për t’u distancuar nga institucionet fetare dhe për ta përvetësuar fenë në mënyrë individuale. Dhe, thotë raporti, të rinjtë myslimanë janë përshtatur në këtë trend. ks