Iluzion shtetëror, utopi emancipuese apo burg i popujve? Para 100 vitesh u themelua Jugosllavia

Më 1 dhjetor 1918 sllavët e jugut themeluan shtetin e tyre të përbashkët. Ky shtet nuk arriti t’i tejkalojë kurrë kundërthëniet e brendshme – dhe më 1991 u shemb si pasojë e hegjemonizmit serb. Një rrëfim për Jugosllavinë që para një shekulli filloi të krijohej në ishullin grek të Korfuzit.

Disa burra me kapela «Girardi»: Nënshkruesit e Deklaratës së Korfuzit, e cila hapi rrugën për themelimin e Jugosllavisë më 1 dhjetor 1918.



Që në shekullin e ’19 në mesin e sllavëve të jugut kishte ëndrra për një shtet të përbashkët. Dijetarët serbë propagandonin idenë se kroatët janë serbë katolikë, boshnjakët serbë të «turqizuar», malazezët «serbë krenarë që jetojnë në male». Në thelb të këtij argumentimi hegjemonist qëndronte ideja që përmes gjuhës serbe të integroheshin në një komb të madh serb apo jugosllav të gjithë sllavët e jugut. Me gati po aq zjarr sa aktivistët serbë edhe intelektualët kroatë u angazhuan për themelimin e një shteti të përbashkët të sllavëve të jugut për shkak se nuk e duronin tutelën austriake dhe hungareze. Nën ndikimin e romantizmit gjerman dhe Revolucionit Francez intelektualët kroatë shpikën nocionin e «ilirizmit» si emër që përfshinte fiset sllave të Ballkanit. Këtu bëhet fjalë për një keqpërdorim të nocionit «ilir», të cilët në lashtësi shtriheshin deri në Kroaci, por sllavë nuk ishin, përkundrazi: shumica e historianëve sot pajtohen se ilirët janë paraardhës të shqiptarëve.

Shpërbërja e Perandorisë Osmane, luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore ndikuan në themelimin e Jugosllavisë së parë më 1 dhjetor 1918. Pa këto konflikte, kriza dhe ndryshime dramatike të hartës gjeopolitike, Jugosllavia zor se do të ishte krijuar. Pas pushtimit të Serbisë nga Perandoria Austro-Hungareze si pasojë e atentatit në Sarajevë të kryer nga nacionalistët serbë kundër trashëgimtarit të fronit të Monarkisë austro-hungareze, Franz Ferdinandit, ushtria serbe më 15 tetor 1915 filloi të largohet nga Serbia dhe përmes Shqipërisë u vendos në Korfuz dhe pjesë të tjera të Greqisë.

Në Korfuz u vunë themelet e Jugosllavisë. Më 20 korrik 1917 në ndërtesën e teatrit të ri të qytetit në rrugën Nikolaos Mantzaros (kompozitor e pedagog grek i muzikës) mori fund një konferencë «e organizuar keq, e pamenduar, por vendimtare», sipas historianit kroat Ivo Banac. Kjo konferencë zgjati 36 ditë dhe në fund u nënshkrua Deklarata e Korfuzit – nga ana e Ante Trumbiqit, një avokat kroat projugosllav nga Spliti, i cili drejtonte Komitetin Jugosllav (Jugoslavenski odbor), dhe Nikolla Pashiqit, kryeministër i qeverisë serbe. Komiteti Jugosllav ishte një organizatë e politikanëve jugosllavë në territoret e Austro-Hungarisë, të cilët angazhoheshin për bashkimin e popujve sllavë të Ballkanit. Në deklaratë saktësohet se qëllimi është themelimi i një Mbretërie të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve nën dinastinë serbe të Karagjorgjeviqëve. Trumbiqi nuk arriti ta bind Pashiqin që shteti i ri të jetë federal. Kështu kroatët u futën nën tutelën serbe. Më vonë shkrimtari kroat Mirosllav Kërlezha, ndonëse ithtar i Jugosllavisë socialiste, do të shkruante: «Realiteti ynë austrohungarez u rrokullis i dehur nën fronin e Karagjorgjeviqëve si një shishe e zbrazët birre në bërllok». Ndërsa po hidheshin themelet e Jugosllavisë, në një burg në Kështjellën Theresienstadt dergjej anarkisti serb Gavrillo Princip, i cili kishte vrarë Franz Ferdinandin në Sarajevë.

Ëndrra për një shtet të përbashkët të sllavëve të jugut u realizua, por shpejt u shndërrua në ankth sidomos për kroatët. Shteti i ri përballej me probleme të mëdha të natyrës fetare, socioekonomike, politike dhe nacionaliste. Mbreti Aleksandër I mbeti ai që ishte: përfaqësues në radhë të parë i interesave të popullit serb. Intelektualët kroatë që kishin përkrahur themelimin e Jugosllavisë humbën shpejt iluzionet e tyre. Mirosllav Kërlezha denoncoi terrorin serb në Kosovë dhe politikën e shfarosjes së shqiptarëve, që e ndiqte borgjezia serbe dhe qarqet nacionaliste. Më 1921 u miratua Kushtetuta unitariste e Mbretërisë serbe, kroate e sllovene. Kësisoj, shteti i përbashkët i sllavëve të jugut u shndërrua në diktaturë mbretërore. Në vijim konfliktet veçanërisht mes politikanëve serbë e kroatë mbi dizajnimin e shtetit vazhduan dhe kulmuan më 1928, kur në parlamentin e Mbretërisë deputeti serb Punisha Raçiq nxori revolen dhe hapi zjarr kundër deputetëve të Partisë Fshatare Kroate. Njëri nga të qëlluarit me armë ishte lideri i partisë Stjepan Radiq. Ai vdiq më 8 gusht 1928 në spitalin e Zagrebit.

Biografia e Punisha Raçiqit është mjaft domethënëse për rolin e nacionalistëve serbë në parlamentin e Monarkisë. Ai rridhte nga fisi malazez Vasojeviqi (pasardhës i së cilit është edhe Sllobodan Millosheviqi). Historiani gjerman Holm Sundhaussen në veprën e tij monumentale «Historia e Serbisë» shkruan se gjatë luftërave ballkanike Raçiq veproi si çetnik në Maqedoni, pastaj mori pjesë në organizimin e një kryengritjeje të fiseve katolike shqiptare të Shqipërisë veriore dhe mandej si besnik i Nikolla Pashiqit u dërgua në Kosovë për të shtypur lëvizjen kaçake. Punisha Raçiq ishte zgjedhur deputet në parlamentin e Mbretërisë në vitin 1920 – si kandidat nga Tetova i partisë Xhemijet (që përfaqësonte shqiptarët, turqit dhe myslimanët sllavë) dhe i Partisë Radikale të Pashiqit. Xhemijeti ishte një parti me orientim islamist dhe fakti që çetnikët serbë arritën ta bindin këtë parti të përkrahte Punisha Raçiqin për deputet tregon se sa kaotik e i prapambetur ishte organizimi politik i shqiptarëve në atë kohë.

Vrasja e Stjepan Radiqit e përplasi Jugosllavinë (këtë emër shteti e mori më 1929) në një vorbull krizash të njëpasnjëshme. Më 3 tetor 1929 u miratua ligji për ndarjen e re territoriale të Jugosllavisë në banovina (krahina, rrethe). Me rastin e kësaj reforme nuk u morën parasysh rrethanat etnike, historike, kulturore. Serbët i themeluan banovinat në atë mënyrë që ata në 6 prej 9 banovinave tani ishin shumicë, ndonëse në Jugosllavi nuk përbënin as gjysmën e popullsisë. Agresiviteti i nacionalizimit serb tani ishte i pafrenueshëm. Svetozar Pribiçeviqi, një serb nga Kroacia, i cili kundërshtonte diktaturën e Mbretit Aleksandër, u internua në një fshat të Kopaonikut afër Kosovës dhe tek pas intervenimit të presidentit të atëhershëm çekosllovak, Tomas Masaryk, u dëbua në ekzil. Nga atje Pribiçeviq u përpoq pa sukses t’i bind serbët mbi rrezikun nga diktatura mbretërore. Në vitin 1931 agjentë të policisë jugosllave ia morën jetën në mënyrë bestiale albanologut, antropologut dhe historianit kroat Millan Shufllaj. Tronditja mbi këtë vrasje ishte e madhe në mesin e intelektualëve përparimtarë të kohës. Më 6 maj 1931 shkencëtari Albert Einstein dhe shkrimtari Heinrich Mann (vëllai i nobelistit të letërsisë Thomas Mann) botuan në «New York Times» një apel, ku denonconin brutalitetin dhe terrorizmin e regjimit të Beogradit. Më 9 tetor 1934 pasoi kundërgoditja e nacionalistëve kroatë: në Marsejë (Marseille) të Francës u vra Mbreti Aleksandër. Nën regjimin e Mbretit të ri Pavle Karagjorgjeviq Jugosllavia mbijetoi deri në vitin 1941, kur u sulmua nga Gjermania naziste.

Sipas historianes Nada Boshkovska nga Universiteti i Zürichut, problemi më i madh i Jugosllavisë ishte se nuk kishte një popull që përbënte shumicën. «Kur u themelua serbët ishin grupi më i madh me 40 për qind. Pasonin kroatët (23 për qind) dhe sllovenët (8 për qind) si dhe shumë grupe të tjera të vogla dhe shumë të vogla», shkruan ajo në një artikull të botuar të premten në «Neue Zürcher Zeitung». Me shtetin e ri ishin të gjithë të pakënaqur, nënvizon Boshkovska. Serbët e shihnin veten si themelues të Jugosllavisë dhe nga kjo nxirrnin përfundimin se atyre u takonte të dominojnë shtetin, kroatët e ndienin veten të shtypur politikisht dhe të shfrytëzuar ekonomikisht – «grupe të tjera popullsish si maqedonasit dhe shqiptarët përjetuan diskriminim të madh dhe pothuaj nuk kishin mundësi të participimit», nënvizon Boshkovska. Rrjedhimisht, pushtimin nazist jo pak kroatë, boshnjakë apo shqiptarë të Jugosllavisë e panë edhe si çlirim nga zgjedha serbe.

Jugosllavia e dytë u themelua në fund të nëntorit 1943 në qytezën boshnjake të Jajces. Nën flamurin e luftës kundër fashizmit partizanët ia dolën të mobilizojnë më së shumti përkrahës dhe fituan edhe mbështetjen e fuqive të mëdha – nga Amerika e Britania e Madhe deri te Bashkimi Sovjetik. Me këtë «legjitimitet» ata morën pushtetin dhe në vitet e para nga Sllovenia deri në Kosovë e Maqedoni iu hakmorën gati çdokujt që ishte shënjuar si kundërshtar i regjimit të ri komunist apo si bashkëpunëtor i nazistëve. Pas pavarësimit të Sllovenisë në fillim të viteve ’90, në këtë republikë ish-jugosllave u zbuluan qindra varreza masive, ndërsa kufomat e mijëra shqiptarëve të vrarë në Tivar nuk janë gjetur kurrë dhe në opinionin shqiptar nuk ka ndonjë përpjekje serioze për të ndriçuar aq sa është e mundshme këtë krim të llahtarshëm komunist.

Pas konsolidimit të pushtetit, lideri jugosllav Josip Broz Tito, i cili ishte bërë i famshëm pas kundërshtimit të Stalinit më 1948, filloi të liberalizojë shtetin dhe shoqërinë, të luajë mjeshtërisht mes bllokut transatlantik dhe sovjetik dhe të shndërrohet në një lloj idhulli të vendeve të botës së tretë, shumicën e së cilave i mori pas vetes në të ashtuquajturën Lëvizje e të Painkuadruareve. Nën bajrakun e «vëllazërim-bashkimit» Jugosllavia socialiste u bë shtet i respektuar në botë, përkundër faktit se ishte herë diktaturë, herë autokraci, ku kritikët e sistemit izoloheshin, burgoseshin ose detyroheshin të iknin në ekzil. Përkrahësit e Jugosllavisë edhe sot theksojnë se ajo ishte një projekt shtetëror emancipues. Për kritikët e matur Jugosllavia ishte utopi emancipuese. Për kundërshtarët e saj thjeshtë një burg i popujve. Të gjithë kanë të drejtë – nga pak. Por, përvoja e popujve dallon. Serbët me Jugosllavinë kishin një shtet me të gjithë serbët nën një kulm. Kur tentuan që Jugosllavinë ta shndërrojnë në Serbi të Madhe, shkaktuan shumë tragjedi dhe mbi gërmadhat e këtij shteti u krijuan shtatë shtetet të reja.

Nacionalistët kroatë e mallkojnë edhe Jugosllavinë e dytë, por pa lëvizjen partizane dhe Josip Broz Titon krahina e Istrës dhe ndoshta edhe disa pjesë të Dalmacisë sot vështirë do të ishin pjesë e shtetit kroat. Njëra ndër arsyet përse kroatët gjatë shekullit ’20 vrapuan të bëhen pjesë e Jugosllavisë ka qenë edhe rreziku i pushtimit të territoreve bregdetare kroate nga Italia. Boshnjakët në Jugosllavi arritën që hap pas hapi të konsolidojnë kombin e tyre. Njëjtë edhe maqedonasit. Shqiptarët si në Jugosllavinë e parë ashtu edhe në të dytën në faza të caktuara duhej të luftonin për mbijetesë. Mirëpo, nga mesi i viteve ’60 deri në shpërthimin e demonstratave të vitit 1981 Kosova shënoi një zhvillim që s’mund të shpërfillet – në ekonomi, arsim, kulturë, në jetën sociale. Me këtë evolucion të shoqërisë shqiptare të Kosovës nuk u pajtuan kurrë nacionalistët serbë. Me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit më 1987 dhe me përzënien nga funksionet udhëheqëse të komunistëve të fundit liberalë serbë filloi edhe procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë.

Por, ardhmëria e Jugosllavisë dukej e zymtë edhe në vitet e ’70. Tito ishte i paaftë të caktojë një pasardhës, ndoshta kjo ishte e pamundur për shkak të antagonizmave mes popujve nga Sllovenia në Maqedoni. Vendi ishte zhytur thellë në borxhe, modeli i vetëqeverisjes socialiste ishte shndërruar në model të «jugovinës», puno pak ose fare dhe jeto me kredi të lira. Andaj jo vetëm nga perspektiva e sotme duket absurde kur nostalgjikë të Jugosllavisë vajtojnë për parajsën socialiste, kur «shkonim në det çdo vit», «kur jetonim mirë», «kur ishim të respektuar», «kur kishte rrymë», «kur në dyqan s’mungonte asgjë». Po, ka pasur familje në Jugosllavi që kanë jetuar pa ndonjë hall të madh, por e vërtetë historike është se në vitet ’80 artikujt e ndryshëm të përdorimit të përditshëm bliheshin me triskë. Dhe, po, edhe në vitet ’80 njerëzit në Jugosllavi dënoheshin për arsye politike.

Jugosllavia nuk arriti t’i tejkalojë kurrë kundërthëniet e brendshme. Dhe si t’i kalonte? Ishte një shtet me popuj e pakica me përvoja krejt të ndryshme, i ndërtuar nga territoret që ishin sunduar nga dy perandori – ajo austro-hungareze dhe ajo osmane. Në atë shtet jetonin ortodoksë, katolikë e myslimanë. Në Luftën e Dytë nuk ishte zhvilluar vetëm lufta e partizanëve kundër nazistëve. Çetnikët serbë kryen krime të llahtarshme ndaj popujve të tjerë, ustashët kroatë me brutalitetin e tyre kundër hebrenjve, serbëve, romëve dhe komunistëve kroatë e shqetësuan edhe të dërguarin e Adolf Hitlerit në Zagreb. Në vitet e ’80 – ndërsa po thellohej kriza ekonomike – u ngjallën demonët e së kaluarës. Gjenerata e partizanëve po vdiste dhe tregimi i tyre për luftën e lavdishme po zëvendësohej me rrëfimet për vuajtjet e secilit popull nga tjetri.

«Kur hyra në klasën e parë më 1938, mua më regjistruan në shkollën e njohur Mbreti Aleksandër të Beogradit. Me këtë po dëshmoj se jam lindur në Mbretërinë e zotit Karagjorgjeviq në Jugosllavi dhe hapat e parë i kam bërë atje. Shpirti im fëmijëror kudo në shkollë kërkonte një idhull, por askund nuk e gjeja. Mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve ishte themeluar duke marrë shembull Monarkinë austro-hungareze që sapo ishte fundosur dhe përpiqej t’i bashkonte popujt gjoja të njëjtë, të cilët jetonin në truallin e njëjtë, por en passant (kalimthi) i injoronte disa popuj të vegjël. Ndonëse kishte hungarezë, hebrenj, shqiptarë, sllovakë dhe romë, ky ishte shteti i tre popujve, serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, të tjerët duhej të heshtnin». Autori i këtyre rreshtave – botuar sot në «Neue Zürcher Zeitung» – quhet Bora Qosiq, i lindur më 1932 në Zagreb, shkrimtar serb me qëndrime fisnike antinacionaliste, dikur rekrut i Armatës Popullore të Jugosllavisë në Prizren. Në një shkrim të botuar para disa vitesh Bora Qosiq kishte përshkruar se si jo vetëm elitat e Beogradit nuk mund ta paramendojnë shqiptarin e Kosovës ndryshe përveç se bartës të qymyrit. Ndoshta ky ka qenë edhe problemi thelbësor i Jugosllavisë: ambicia e shfrenuar e regjimeve të Beogradit për dominim dhe nënçmim të popujve të tjerë.

Në 100-vjetorin e themelimit të Jugosllavisë, ka vetëm një arsye për të qenë i pikëlluar: për viktimat që e shoqëruan shpërbërjen e saj. Po të ishte shpërbërë ai vend në mënyrë paqësore, tani në pasaportat e pothuaj të gjithë qytetarëve të Ballkanit do të gjendej mbishkrimi: Bashkimi Europian. Luftërat për dikë sollën lirinë, për dikë lirinë tragjike (Bosnjë, për shembull), por gati në çdo vend të Ballkanit konfliktet sollën në pushtet edhe elitat e reja, kryesisht grabitqare, të cilat mbijetojnë kryesisht duke i mbajtur gjallë fantazmat e së kaluarës.