Ilirët e Zürichut

Përkthyesi Robert Elsie dhe historiani Oliver Jens Schmitt shpjegojnë historinë shqiptare para studentëve shqiptarë të Universitetit të Zürichut.

Muzeu i Skënderbeut në Krujë. Foto: Shutterstock

Ekziston një bindje e çeliktë shqiptare. Kjo bindje niset nga premisa se «historianët tanë» kanë thënë se «kemi origjinë ilire» dhe kjo është e vërtetë e pamohueshme. Ky rrëfim synon të dëshmojë autoktoninë, vazhdimësinë dhe përhershmërinë shqiptare në Ballkan. Nga këtu buron ose interpretohet një e drejtë e patjetërsueshme: ai që ka lindur i pari në një vend është një lloj pronari edhe i historisë. Ai që ishte i pari në këto troje, atij i takojnë këto troje. Në rastin e Kosovës, për shembull, shkencëtarët nacionalistë serbë pretendojnë se shqiptarët janë ardhacakë, duke ia rezervuar popullit serb të drejtën e zotërimit të përhershëm të territorit. Nga ana tjetër: nëse dikush nga pala shqiptare shtron pyetje apo kërkon sqarimin e disa dilemave lidhur me tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët, ai nga «kujdestarët e kombit» shpallet ose spiun i grekëve, ose i serbëve. Edhe më keq: dorë e zgjatur e Rusisë.

Në një debat të organizuar të hënën nga shoqata e studentëve shqiptarë të Universitetit të Zürichut përkthyesi Robert Elsie dhe historiani Oliver Jens Schmitt nga Universiteti i Vjenës u përpoqën të qetësojnë publikun. Ata thanë se nuk ka fakte që mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve, por po ashtu nuk ka dëshmi të bindshme për kontinuitetin linear iliro-shqiptar. Kjo nuk është tragjedi, sepse duke qenë territor mes fuqive të mëdha Ballkani ka qenë një trevë e përzierjeve të mëdha etnike gjatë historisë.

Sipas Robert Elsie ekzistojnë disa teza për origjinën e shqiptarëve. «Teza e parë: shqiptarët janë me prejardhje ilire. S’ka dëshmi për këtë, por është e mundshme, mund ta paramendoj. Kjo është një lloj dogme që përfaqësohet nga shkenca shqiptare. Copëzat e mbetura të gjuhës ilire nuk mjaftojnë për të dëshmuar se shqiptarët janë me origjinë ilire. Teza e dytë ka të bëjë me trakët. Sipas disa gjuhëtarëve shqiptarët mund të jenë pasardhës të trakëve. Teza e tretë: historiani Gottfried Schramm beson se shqiptarët janë pasardhës të besëve, një popull i vjetër ballkanik, i cili jetonte në Bullgari, Maqedoni dhe në Serbinë e sotme dhe në rrjedhën e historisë u dynd në viset ku sot jetojnë shqiptarët».

Për profesorin Oliver Jens Schmitt nuk ka dilemë se shqiptarët janë «një popull i vjetër ballkanik», ndonëse teza për prejardhjen ilire nuk mund të dëshmohet përtej çdo dyshimi. Shpeshherë, sipas tij, për shkak të mungesës së traditës shtetformuese origjina përdoret si dëshmi për të legjitimuar shtetin. Schmitt nënvizoi se historia shqiptare është shkruar nga perspektiva e vetëgetoizimit dhe në rrethana totalitare, ku hulumtimi i lirë shkencor nuk pëlqehej, madje nuk durohej as mendimi alternativ. «Në ato rrethana të vështira Partia e Punës e Shqipërisë së Enver Hoxhës shpeshherë i ka imponuar tezat për origjinën dhe nga shkencëtarët ka kërkuar konfirmimin e tyre. Dhe konfirmimi s’kishte si të ishte ndryshe përveç se për vazhdimësinë iliro-shqiptare në territorin ku sot banojnë shqiptarët. Shpeshherë historia prezantohet si lojë e mikados. Kush lëviz, ka humbur. Por varreza ilire ka edhe në Niederösterreich, një land i Austrisë së sotme».

Historia e një populli nuk është statike. Njerëzit kanë lëvizur. Si shembull Schmitt përmendi librin e Noel Malcolmit mbi historinë e një familjeje shqiptare nga Ulqini i shekullit të ’16, kur shqiptarët shërbenin si një urë lidhëse mes kanaleve diplomatike të Perandorisë Osmane dhe Venedikut. Një rol të tillë luajti edhe familja shqiptare, të cilën e portreton Malcolm: anëtarë të kësaj familjeje bën karrierë në shërbim të Venedikut dhe të Perandorisë Osmane. «Në oborrin e Sulltanit kishte një lobi boshnjak dhe një shqiptar. Në një fazë gjuha që flitej në atë oborr ishte ajo që sot mund ta quajmë gjuhë boshnjake-serbe-kroate. Ekzistonte një lojalitet i madh ndaj Sulltanit, por, gjithashtu, edhe një vetëdije për prejardhjen», tha Schmitt.

Se çfarë shkakton pushtimi brenda një shoqërie Schmitt e ilustroi me shembullin e qytetit të Shkodrës. «Shkodra e vitit 1490 ishte krejt tjetër nga Shkodra e vitit 1478, kur u rrethua dhe pastaj pushtua nga Perandoria Osmane. Pas pushtimit banorët u gjendën para dilemës: t’i nënshtroheshin Sulltanit apo të iknin në Venedik. Dhe pjesa më e madhe iku në Venedik. Rrjedhimisht Shkodra u islamizua relativisht shpejt».

Lidhur me pretendimet aktuale turke se Perandoria Osmane ishte tolerante ndaj popujve që i sundonte, Schmitt kishte një përgjigje të qartë: «Perandoria Osmane nuk ishte tolerante. Kishte fe të klasës së parë dhe fe të klasës së dytë. Kush përqafonte islamin, lirohej nga tatimet, mund të bartte armë. Por përse shqiptarët aq shpejt u konvertuan në fenë islame – këtë shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë ende me siguri të plotë».

Shumë të pranishëm ishin zjarrtë të interesuar të dinë për zhvillimin e gjuhës shqipe. Robert Elsie e shpjegoi këtë duke prezantuar një shishe me ujë. «Në fund të kësaj shisheje gjendet protoshqipja, janë disa pika, pastaj shihet latinishtja, e cila ka ushtruar një ndikim tepër të madh mbi gjuhën shqipe, më vonë, nga shekulli i ‘7, në Ballkan vijnë sllavët dhe në gjuhën shqipe edhe sot vërehet ndikimi i fjalëve sllave, mandej pushtimi 500-vjeçar turk ka lënë gjurmë edhe në gjuhë, jo në strukturën e saj, por në fondin e fjalëve, në vokabular». Gjuha shqipe, sipas Elsie, ka qenë përherë një gjuhë e hapur që lehtë ka pranuar ndikime të huaja. Kjo, sipas tij, shihet edhe sot me ndikimin e italishtes apo të anglishtes në gjuhën shqipe. «A mund të gjeni sot një fëmijë në Tiranë që bart emrin e bukur Agim? Jo. Atje fëmijët bartin emra si Roberto, Ruggerio, Mikele», tha Elsie.

Sa i përket gjenezës së fjalës shqiptar, Elsie iu referua foljes latine excipio, -ere, që domethënë flas qartë. «Njerëzit kështu kanë dashur të tregojnë se ne flasim qartë, ndërsa të tjerët jo, ngase ata kanë folur një gjuhë tjetër. Sllavët, për shembull, gjermanëve u thonë nemci, memecë, ata që s’flasin. Meqë nuk mund të merreshin vesh me ta i quajtën nemci».

Duke u ndërlidhur me çështjen e gjuhës Oliver Jens Schmitt nënvizoi rëndësinë e miratimit të alfabetit të gjuhës shqipe më 1908 në Manastir. «Vendimi për të përdorur alfabetin latin ka një rëndësi të madhe simbolike. Alfabeti ka diçka sakrale në vetvete, lidhet edhe me fenë. Kush shkruante latinisht tregonte një lloj përkatësie perëndimore. Është me rëndësi të theksohet se turqit tek dy dekada më vonë, më 1928, vendosën po ashtu të pranojnë alfabetin latin», tha Schmitt. Ai tregoi se pas Kongresit të Manastirit administrata osmane i nxiste imamët në trevat shqiptare të luftojnë kundër alfabetit latin. Fushatën kundër shkronjave latine ndër shqiptarë e mbështeti edhe Organizata e serbëve osmanë me seli në Shkup. Nën drejtimin e prijësit të tyre Radenkoviq dhe me miratimin e xhonturqve atëbotë në Kosovë dhe Maqedoni u themeluan celula për të luftuar alfabetin latin dhe për ruajtjen e alfabetit arab.

Si përherë në debate të tilla është e pashmangshme pyetja se përse shqiptarët u vonuan aq shumë në krijimin e shtetit të tyre nacional. Schmitt ka këtë shpjegim: «Sepse nuk ishin të interesuar. Lidhja e Prizrenit fillimisht ishte një organizatë që synonte vetëm autonomi brenda Perandorisë Osmane. Shumica e shqiptarëve ishin myslimanë sunitë. Shkëputja nga Sulltani përjetohej si dramë e dyfishtë: shkëputje nga udhëheqësi politik dhe fetar, sepse Sulltani ishte edhe Kalif, pra prijës i myslimanëve. Për këtë arsye në udhëheqjen e lëvizjes kombëtare shqiptare ka pak sunitë. Prijës të kësaj lëvizjeje kanë qenë bektashinjtë toskë dhe disa gegë».

«Lëvizja kombëtare si lëvizje intelektuale», thekson Schmitt, «në radhë të parë udhëhiqej nga bektashinjtë toskë, ortodoksët toskë dhe gegët katolikë. Gegët sunitë në lindje shumë vonë u bindën se duhet shkëputur nga Sulltani. Pas vitit 1912 diplomacia austriake në Shkup konstaton se ekziston një parti absolutisht besnike ndaj Sulltanit, pastaj autonomistët me mëdyshje dhe një pakicë e albanistëve të vërtetë. Mungonte thjesht baza intelektuale, hendeku arsimor mes diasporës toske dhe pollogut ishte i madh».

Nga këto shpjegime shumica e studentëve me vete morën edhe disa pyetje, të cilat ndoshta mund t’u ndihmojnë që historinë shqiptare ta shohin nga një këndvështrim jodogmatik.