Idhujt e fesë, idhujt e politikës

Sikur ndalesa e idhujtarisë të çlirohej nga dogma fetare, sigurisht se do të mund të vërehej se në fakt idhujtaria ka mbijetuar atje ku pritet më së paku – në politikë. Kulti i personalitetit, i njohur nga komunizmi, nuk është zhdukur, vetëm së është shumëfishuar në më shumë udhëheqës shtetërore, partiakë a lokalë. Përndryshe nuk do t’u shkonim prapa aq verbërisht, por, sikur të mos na i verbonte sytë lakmia, frika apo dëshira për nënshtrim, do t’i shihnim të tillë çfarë janë – mashtrues e horra. Shumë të rinjve më të afërt ju duken disa hoxhallarë, sidomos ata të cilët flasin me fjalor më të thjeshtë, po ngulmues, ndërsa harrojnë se, mu kur flasin kundër idhujtarisë, bëhen vetë idhuj. Shikojeni se sa video të tyre ka në internet, sikur të ishin yje të muzikës pop, dhe sa njerëz i përcjellin!

Foto: Shutterstock



Vitin e kaluar, kur ndodhi ajo «u mbulua – s’u mbulua» monumenti i Skënderbeut në Tiranë, gjatë faljes së Kurban Bajramit, mendoja të shkruaj një koment. Për këtë më shtynte sidomos reagimi i një imami kosovar, i cili mbulesën (nëse ka ndodhur vërtet) e shpjegoi me parimin islam për ndalimin e idhujtarisë. Imami i respektuar, mulla Osman Musliu i Drenasit, pat thënë se në islam ndalohet falja e namazit para çfarëdolloj figure të gjallesave, qoftë fotografi a pikturë, ndërsa mbulimi nuk ka të bëjë me mosrespektimin e figurës.

«Myslimani nuk bën sexhde para asnjë lloj figure të gjallesave tokësore, por vetëm para Zotit. Prandaj, në xhami nuk ka figura të gjallesave, madje as në artin islam në përgjithësi nuk ka figura të gjallesave», pat thënë ai. Për të treguar se për ndalimin e idhujtarisë kishte edhe një shpjegim shkencor, doja të citoja Erich Frommin, nga libri «Përtej prangave të iluzionit», në të cilin e dija se e trajton këtë temë. Por, gjeta një pjesë, e cila ndonëse e shkurtër, jepte një shpjegim aq të qartë për këtë dukuri, sa e përktheva të tërën. Mirëpo, ndodhi që u vonova me atë koment, ngjarja e përfolur u bë e shkuar e harruar dhe shkas të ri nuk kisha, kështu që përkthimi më mbeti koti. Deri në një çast tjetër.

Tash, para disa ditësh, një mik i imi nga Facebooku, besimtar mysliman, kishte postuar Dhjetë urdhëresat, dy të parat e të cilave i kishte rrethuar me vijë të kuqe, ndërsa postimin e kishte titulluar «Të gjitha rrugët çojnë në islam!» Dhjetë urdhëresat, siç është e ditur, janë një grup ligjesh biblike që kanë të bëjnë me etikën dhe adhurimin, dhe kanë një rol thelbësor në judaizëm, krishterim dhe islam. Dy urdhëresat e para, të veçuara nga ky miku, udhëzojnë për të adhuruar vetëm perëndinë dhe ndalesën e idhujtarisë, si në vijim (nuk e di i kujt është përkthimi): 1. Nuk do të kesh perëndi të tjera para meje; dhe 2. Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës.

Sapo i pashë m’u kujtua komenti im i pashkruar dhe pjesa e përkthyer. Se si më erdhi dhe i thashë atij mikut se kam një shpjegim shkencor për ndalesën e idhujtarisë dhe e luta publikisht që ta postoja si koment në postimin e tij. Më bujari më lejoji. Teksti më duket shpjegim tepër racional dhe po aq frymëzues, ndaj po e jap në vazhdim të plotë.

Ngritja e njeriut

«Evolucioni i religjionit është ngushtë i gërshetuar me zhvillimin e vetëdijes njerëzore dhe individualizimit. Duket se me zhvillimin e vetëdijes njeriu ka zhvilluar po ashtu përvojën e vetmisë së tij dhe të qenit i ndarë nga të tjerët. Kjo përvoje çon në shqetësim intensiv, e për ta kapërcyer këtë ankth njeriu ka zhvilluar dëshirë të pasionuar për t’u bashkuar me botën, që të pushojë së qeni i veçuar. Me qindra mijëra vite ka provuar të kthehet nga ka ardhur, të bëhet sërish njësh me natyrën. Ka dashur të jetë përsëri njësh me kafshën, me drurin; ka dashur të shmangë barrën e të qenit njeri, të ketë ndërgjegjen për veten dhe botën e tij. Ka provuar ta arrijë atë bashkim në shumë mënyra. Ka adhuruar drunjtë e lumenjtë, është identifikuar me kafshët dhe ka kërkuar plotësim duke ndjerë e duke vepruar si shtazë. Apo ka tentuar ta heqë qafe vetëdijen e tij, duke harruar se është njerëzor me marrjen e pijeve dehëse, drogave apo me orgji. Në fund ka krijuar idhujt, në të cilët ka projektuar gjithçka ka pasur, të cilëve ua ka flijuar fëmijët e tij dhe bagëtinë e tij në mënyrë që të ndjehet pjesë e idhullit, i fortë e i fuqishëm në atë simbiozë. Por, në një çast në histori, njëmend jo tepër larg, para më pak se katër mijë vitesh, njeriu ka bërë një kthesë vendimtare. Ka kuptuar se kurrë nuk do të mund ta arrijë bashkimin në qoftë se e heq njerëzinë e tij; se kurrë nuk do të mund të kthehet në virgjërinë e parajsës; se kurrë nuk do të mund ta zgjidhë problemin se çka është njeriu, që e tejkalon natyrën, e megjithatë është në të, duke shkuar së prapthi. E ka kuptuar se mund ta zgjidhë problemin e tij vetëm në qoftë se do të ecë përpara, duke e zhvilluar plotësisht arsyen e tij dhe dashurinë e tij, duke u bërë plotësisht njerëzor dhe duke gjetur kështu harmoninë e re me njeriun e natyrën, duke u ndjerë sërish si në shtëpinë e tij në botë.»

Më tej, Fromm, me të dhëna historike shpjegon se përvoja e kësaj njohurie të re ka ndodhur në shumë vende të botës ndërmjet vitit 1500 para epokës sonë dhe 500 të epokës sonë. Lao Ce e ka zbuluar në Kinë, Buda në Indi, Eknaton në Egjipt, Mojsiu (Musa, sipas islamit – vër. ime) në Palestinë, ndërsa filozofët në Greqi.

«Përvoja, e cila qëndron në prapavijë të këtyre zbulimeve ndoshta të ndryshme ndoshta nuk kanë qenë saktësisht e njëjtë… Por, ato në esencë kanë qenë njësoj, por i kanë formësuar në mënyra të ndryshme. Lao Ce e Buda nuk kanë folur fare për zotin; Lao Ce ka folur për <Rrugën>, ndërsa Buda për nirvanën dhe iluminizmin, filozofët grekë mbi parimin… Në filozofinë e iluminizmit dhe në humanizmin e ri, përvoja e cila e ka përbërë sfondin e traditës religjioze ka qenë e shprehur në terma jo teistikë: preokupimin për njeriun, e jo për Zotin. Megjithatë, ka qenë kjo brenga e njëjtë, brenga për zhvillimin e plotë të njeriut, që ta bëjë qëllim, e jo mjet, që të krijohen kushte shoqërore për zhvillimin shpirtëror të njeriut.»

Primitivizmi ynë

Në kontekstin aktual shoqëror kosovar, disa përfundime mund të nxirren shpejt e shpejt nga ky shpjegim. Fakti se «patenti» i kësaj ndalese nuk i përket vetëm një religjioni apo kombi a personi të caktuar, por është vetëdije e arritur nga përvoja e tërë njerëzimit, mbase edhe do të duhej t’i sheshonte ndasitë fetare, në të cilat me ëndje këmbëngulin imamët tanë.

Pastaj, sikur ndalesa e idhujtarisë të çlirohej nga dogma fetare, sigurisht se do të mund të vërehej se në fakt idhujtaria ka mbijetuar atje ku pritet më së paku – në politikë. Kulti i personalitetit, i njohur nga komunizmi, nuk është zhdukur, vetëm së është shumëfishuar në më shumë udhëheqës shtetërore, partiakë a lokalë. Përndryshe nuk do t’u shkonim prapa aq verbërisht, por, sikur të mos na i verbonte sytë lakmia, frika apo dëshira për nënshtrim, do t’i shihnim të tillë çfarë janë – mashtrues e horra.

Por, ajo që më shtyri ta shkruaj këtë tekst, është kërkesa e menjëhershme e një djali të ri, student, për kontakt në rrjetin shoqëror. Siç ma tha, mbante shpresë mos postoja edhe më tej shkrime të tilla! Me gjasë, ka qenë ballafaqimi i tij i parë me një qasje të këtij soji! Nuk guxoj të vë bast se edhe ky djalë është i tillë, por jam i sigurt se, ashtu si ka rënë niveli i arsimit dhe, në përgjithësi, ai kulturor ndër ne, ka me mijëra të rinj, të cilët edhe pse vijojnë apo e kanë mbaruar arsimin e lartë, nuk janë aq të zotët sa të lexojnë ndonjë libër më serioz jashtë lëmit të tyre të ngushtë. Dhe, sigurisht se nuk e dinë se, pos librave fetarë, ekzistojnë edhe klasikët e letërsisë dhe shkrimtarët bashkëkohorë, filozofët e sociologët, historianët e psikologët, të cilët janë marrë dhe merren me probleme ekzistenciale, shoqërore dhe etike. Ata, me gjasë as nuk mund t’i konsumojnë si duhet as filmat artistikë e dokumentarët, të cilëve sot është më zor t’u shmangesh se sa t’i shikosh, e prej të cilëve megjithatë mund të mësohet shumë. Edhe kur dinë ndonjë gjuhë të huaj, ata megjithatë nuk janë aq të zotët sa të shfrytëzojnë nga demokratizimi i pashembullt i dijes në kohën tonë, të mundësuar nga interneti, me gazetat e revistat online, enciklopeditë elektronike dhe numrin e pafundmë të librave në formatin pdf, të cilat shkarkohen falas ndërsa të shtypen me para të imëta.

Prandaj më të afërt ju duken disa hoxhallarë, sidomos ata të cilët flasin me fjalor më të thjeshtë, po ngulmues, ndërsa harrojnë se, mu kur flasin kundër idhujtarisë, bëhen vetë idhuj. Shikojeni se sa video të tyre ka në internet, sikur të ishin yje të muzikës pop, dhe sa njerëz i përcjellin! Shikojeni si duan ta ruajnë monopolin e tyre të kujdestarëve mbi moralin njerëzor, edhe atëherë kur preokupimi i tyre nuk shkon më larg se sa si vishen femrat dhe a dalin ato në mbrëmje! Shikojini me sa ngulm angazhohen për ndërtimin e xhamive, me së shpeshti me para të dyshimta! Në fakt, më shumë se t’i afrojnë besimtarët te zoti, duket sikur ata duan të lënë gjurmë të dukshme të jashtme të «punës» së tyre dhe ato të vërehen qartas në panoramat e qyteteve dhe fshatrave tona!

Dhe ndodh kështu, sepse shoqëria jonë vazhdon të matet me kapacitetin intelektual, shijet dhe ambiciet e politikanëve tanë me gjysmë-shkolle. E, ndër ata me «gjysmë-shkolle» – siç thotë shkrimtari i njohur beogradas Filip David – më së shpeshti fshihen primitivët, ndërsa, gjithçka që ata prekin, shndërrohet në të kundërtën e vetes:

«Besimi bëhet blasfemi, atdhetaria e komprometuar, kultura nënçmuese, pushteti mbrojtje e anarkisë, institucionet e arsimit të lartë paravan për marrëzi, politika – strehë për primitivizmin e primitivët».