Ibrahim Rugova flet vetë!

Për Ibrahim Rugovën të gjithë e kanë së paku një mendim. Disa e lartësojnë si themeltarin e shtetit të Kosovës, të tjerët e shohin me sy kritik. Politikanët që në faza dramatike shndërrohen në udhëheqës të një populli kalojnë nëpër tri faza: të lavdërimit, mohimit dhe vlerësimit real.




Ka ardhur koha që Rugova të vlerësohet realisht. Një kontribut për të plotësuar biografinë e tij politike është edhe libri «Veç pavarësi, asgjë më pak. Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon – 1989 – 2006. Përzgjedhur dhe përkthyer nga Enver Robelli». Këtë vepër e sjellin tani botimet KOHA.

Libri përfshinë pothuaj të gjitha intervistat, deklaratat, portretet, reportazhet me, rreth dhe mbi Ibrahim Rugovën në shtypin gjermanofon. Karriera politike e Rugovës në skenën ndërkombëtare dhe pranimi i tij si lider i shqiptarëve të Kosovës fillon me botimin e intervistës së tij të famshme në revistën gjermane «Der Spiegel», më 26 qershor 1989 – dy ditë para se Slobodan Milosheviqi të mbante fjalimin e tij luftënxitës në Gazimestan me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës.

Gjatë viteve 90-të dhe pas luftës Rugova ka folur pothuaj për të gjitha gazetat dhe revistat e rëndësishme gjermane – dhe jo rrallë është ballafaquar edhe me pyetje të pakëndshme. Përgjigjet e tij shpeshherë janë vizionare, nganjëherë të ngathëta për shkak të indiferencës së bashkësisë ndërkombëtare ndaj terrorit në Kosovë, por edhe dobësive të palës shqiptare në organizimin politik.

Në këtë libër Ibrahim Rugova flet vetë!

Veprës i paraprinë një parathënie nga publicisti Halil Matoshi, i cili në verën e vitit 1989, derisa po kalonte pushimet në Greqi, e kishte blerë revistën «Der Spiegel» me intervistën me Rugovën. Si erdhi revista në Prishtinë? Edhe ky detaj zbulohet në këtë libër – për të vijuar pastaj me tekstet nga shtypi gjerman. / -lli