Ia dola, po ha!

Të kesh boll për të ngrënë, madje të hash si zotëri, ende është mit në këtë vend. Shihni disa postime në Facebook, sikur kanë këtë motiv: unë ia dola, po ha! Më ranë në mend këto nga darka e mbrëmshme në Hajvali.




Nga një roman italian (kam harruar cilin) mbaj mend këtë episod: një djalë i varfër katundi, në ditët e para të qëndrimit në një shtëpi zotërinjsh, vëren me habi se ata nuk flasin për ushqimin, e kanë të mjaftueshëm, është gjë e nënkuptueshme, mendojnë për gjëra të tjera. Në shtëpinë e tij kjo ishte temë orë për orë, ditë për ditë. Në një roman të autorit kroat Mirosllav Kërlezha mbaj mend përafërsisht këtë fjali: një grua nga fshati, e goditur shërbëtore, mendonte se të jetosh mes zotërinjsh është të mos kesh pse të brengosesh më për telashet e kësaj jete.

Nuk do t’i kisha mbajtur mend këto situata, sikur të mos kishin qenë shpjegim i mrekullueshëm për një ndjesi të cilën e hasja te shumë njerëz ndër ne: idenë se të jesh në punë e me pagë të shtetit është po kështu – sikur i heq qafe përnjëherë të gjitha problemet e kësaj bote. Të kesh boll për të ngrënë, madje të hash si zotëri, ende është mit në këtë vend. Shihni disa postime në Facebook, sikur kanë këtë motiv: Unë ia dola, po ha! Më ranë në mend këto nga darka e mbrëmshme te Behgjet Pacolli. Mund ta kem gabim, po tash më duket se kësi njerëzish i kemi udhëheqës. Dhe ndjenjën e të qenit i pangopur nuk ua heqin as drekat e darkat, as udhëtimet me aeroplanë, as shpenzimet e pa hesap, as milionat…

Di edhe të kundërtën. Njoh njerëz të qytetit, të cilët kurrë s’kanë qenë në zor për para, por ushqimi i tyre më i shpeshtë është «pesë copa me gjysmë pitalke». «Vetëm thuej piqi mirë, dhe shtojau edhe një spec djegës». Është vetëm faqja tjetër e së njëjtës monedhë: edhe tërë pasuria e botës nuk ua heq ndjenjën se paratë janë vetëm për ditë të zezë.

Honoré de Balzacu i miri, i cili gjithmonë e ka parë botën me kthjelltësinë e fëmijës, e ka vërejtur mirë këtë karakter para gati 200 vitesh, në Paris. Dhe e ka përjetësuar nën emrin Felix Grandet, në romanin e tij «Eugénie Grandet». Prandaj duhet lexuar libra, të vjetra e të reja. Dhe është mirë të kesh udhëheqës, të cilët kanë bile disa libra. Për Bill Clintonin kam lexuar se ditët e pushimit më me dëshirë i ka kaluar në shtëpi, duke lexuar ndonjë libër. Dhe jo vetëm nga ato që tregojnë se jemi popull i lashtë, të cilat na bëjnë të ndjehemi krenar, por jo edhe t’i kuptojmë problemet e sotme. Mbase do të kuptonin se karaktere të tilla janë krijuar nga jeta brez pas brezi në varfri e në pasiguri të përhershme. Dhe do të angazhoheshin për një shoqëri më të pasur e më të drejtë.