I thahen frutat në mungesë uji

Ka më shumë se tre vjet që Naim Igrishta, banor i fshatit Koliq, mori subvencione nga Komuna e Prishtinës për të kultivuar molla dhe dardha.




Qeverisja e kaluar ia dha atij rreth 1000 fidane , por përfitimi fermerit i shkoi huq, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Shumë nga fidanët e mbjellë u thanë në mungesë të ujit, njëjtë sikurse bunari i tij.

Rruga e “Kallqakut”, e cila e dërgon deri te toka e tij, është e pakalueshme dhe kësisoj asnjë kompani nuk pranon që përmes rrugës së prishur të shkojë e t’i mbushë rezervarët me ujë.

Sipas tij, nëse rruga do të mbesë pa u rregulluar edhe këtë vit, të gjithë fidanët do t’i thahen.

Edhe banorët më të vjetër thonë se e gjithë rinia e braktisi fshatin, për shkak të kushteve të vështira.

Në drejtorinë e Infrastrukturës në Prishtinë thonë se në këtë fshat qeverisja e kaluar nuk investoi kurrë, por që ata vetëm sivjet rregulluan 5 rrugë.

Mbetet për t’u parë nëse kjo rrugë, vetëm 2 kilometra, a do të marrë pamje tjetër deri në pranverë. Ndryshe deri në atë kohë, Igrishta do të vazhdojë të luftojë për t’i shpëtuar fidanët e tij.