I liruari nga Gjykata kërkohet për vrasjen e denoncuesit të tij




Përpjekja për ta shmangur presionin nga detyrimi në tentativë, duke denoncuar rastin në organet shtetërore, nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret për vëllezërit Morina nga Prizreni, të cilët të hënën mbrëma janë përballur me plumbat e shkrepur nga armë të zjarrit, ku si pasojë ka gjetur vdekjen Hekuran Morina, derisa vëllai i tij, Fadili, është plagosur rëndë, dhe dy persona të tjerë, prej të cilëve njëri ka qenë kalimtar i rastit, po ashtu kanë pësuar lëndime.

 

Në bazë të hetimeve fillestare dyshohet se vëllezërit Morina kanë pësuar nga i dyshuari, të cilin e kishin denoncuar në polici për detyrim në tentativë, dhe i cili në lidhje me këtë rast kishte qëndruar në paraburgim nga 23 marsi deri më 3 shtator të këtij viti, kur edhe Gjykata Themelore ia kishte zëvendësuar këtë masë me atë të paraqitjes në stacionin policor, shkruan sot «Koha Ditore».

Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, i dyshuari kryesor në rastin e vrasjes së Hekuran Morinës dhe plagosjes së tre personave të tjerë është personi me inicialet B. P., për të cilin ekziston një dosje lidhur me veprat penale të zhvatjes, detyrimit, tentim vrasjes e armëmbajtje pa leje.

Gjatë ditës së martë mediat elektronike e dhanë emrin e plotë të të dyshuarit – Bernard Përlazri