«I huaji, ai Kosovari»

Një libër që të fton ta lexosh që me titullin që ka përzgjedhur autori. Thellësia e tij gjendet gjithsesi në brendi. Një intrigë edhe për lexuesin e stërvitur. Fjalë e mbajtur në promovimin e librit të Arbër Ahmetajt në Bernë.




[Best_Wordpress_Gallery id=”99″ gal_title=”kosovari”]

Katër kohët e narracionit letrar – koha e shkrimit, koha e rrëfimit, koha historike dhe koha e leximit – gërshetohen me mjeshtri qëndisëse nga autori Arbër Ahmetaj, në librin «I huaji, ai Kosovari.

Koha e shkrimit – luftës në Kosovë, koha e rrëfimit – fillimit të rënies së Murit të Berlinit, koha historike që na shpie nga lashtësia gjer tek ajo që ne e quajmë moderne, pra koha e katërt letrare – e leximit.

Në këtë libër e kemi një ironi fisnike të shkrimit, ku groteskja, sarkazma e cinizmi nuk janë aspak të pranishme. Kjo vjen si duket nga ajo se autori e ka një dashuri të veçantë për përjetimet e personazheve të librit që i përkasin popullit të tij.

Asaj nëse pajtohemi apo jo me përmbajtjen e librit i zë vend menjëherë përmbajtja stilistike që na bën të harrojmë se secili nga ne mund të jemi personazh i këtij libri dhe e lexojmë sikur me një përkatësi letrare njerëzore që i tejkalon përmasat e ngushta të një vendi.

Dhuntia e hulumtimit të së vërtetës platonike të autorit bën që të mos ndahemi vetëm me përgjigje, por me më shumë pyetje që na i shtron Arbër Ahmetaj, dhe ne vetes, pas leximit të romanit.

Pothuajse të gjithë mendojmë shpesh se dimë të përgjigjemi, por të rrallë janë ata e ato që dinë të pyesin. Arbër Ahmetaj na bën të ndahemi me pyetje që ndoshta edhe mund të na tronditin, por edhe na bëjnë të ndihemi më mirë, të njihemi më shumë ndërmjet nesh, ne të njëjtët – shqiptarë e shqiptarë. Andej e këndej, e më shumë gjetiu.

Unë nuk shoh përçarje në këtë libër, ashtu sikur përmendet kalimthi nga botuesi në fund të librit, por e shoh urën e një lumi të njohjes së ndërsjellë kombëtare që thellohet nga autori. Dhe, kur lumi është i thellë, është më i qetë – thotë një fjalë jona popullore, e kur njihemi më thellë ne, shpirtrat tanë qetësohen dhe u lënë vend ndjenjave të përkatësisë së njëjtë.

Mund të ketë pak Kadare brenda librit, pak Kamy në titull, por para së gjithash ka Arbër Ahmetaj. Sepse, një shkrimtar i mirë i merr fjalët tona dhe i kombinon në formën e vet, e edhe nëse na imiton, mjeshtëria e tij bën që të mos mund ta imitojmë.

Simbolika e emrit Doruntinë, të dashurës së «atij Kosovarit», na intrigon të mendojmë se kush e solli Doruntinën para rrugëtimit të Kosovarit, kush e solli Kosovarin para udhëkryqit të Doruntinës ; udhëkryq ky ku Hafizja, personazh simpatik dhe i dhembshëm i romanit, kërkon, sa anën fetare, aq edhe atë shpirtërore.

Në një nga faqet e romanit, që ju besoj se do ta lexoni, autori e bën të flasë rrëfimtarin e librit me fjalët: «Hej Hafize, të raftë pika, të raftë! Punë i ke nxjerrë vetes dhe neve! Çka të duhet Kosova ty, moj budallicë?»

Nuk dua assesi që Hafizes t’i bjerë pika, por që ajo ta gjejë atë që e kërkon dhe në vend se t’i bjerë pika Hafizes, po i vë pikë këtij ligjërimi, se nderin më të madh ia bëjmë këtij libri dhe vetvetes nëse e lexojmë, e jo nëse vetë flasim për të.