I drejtë dhe i drejtpërdrejtë

17 vjet pas vrasjes: në kujtim të Enver Malokut, gazetar e koleksionist pllakash të gramafonit, kritik letrar dhe librofil. Mbi të gjitha: luftëtar për lirinë e Kosovës.

Enver Maloku politikan



Dy breza që janë sot të gjallë e njohin Enver Malokun si politikan, si njeri të besueshëm të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, si martir të Kosovës së re. Brezi i parë është ai që u rrit nën shtetrrethim dhe lufta e gjeti ende në moshë të re, kur policia serbe gjuhej me gurë. Brezi i dytë është ai që lindi gjatë dhe pas luftës.

Pakkush e di se Enver Maloku ishte roker, mbase ndër të parët në Prishtinë – në atë kohë kur me i mbajtë flokët e gjata si Bob Marley ose të quanin «frajer» ose «Bitlles» – kështu shqiptohej asokohe në Kosovë rokgrupi «Beatles». Enver Maloku i ka rënë bukur kitarës. Dhe është matur se kush ka më shumë pllaka gramafoni në nahijen e Llapit. Enver Maloku kishte një pasion të madh në vitet 70-të: ishte koleksionist i pllakave të gramafonit. «Hiteve» atëherë u thoshin «shllagera» ose në anglishte «evergreen», ndërsa secilit që dinte me i ra kitarës dhe që mbante flokët e gjatë si Enveri i kanë thënë «roker».

Enver Maloku
Enver Maloku

Në kohën kur Fadil Bajraj si nxënës gjimnazi kishte marrë rrugë për Woodstock, ishte fotografuar tek varri i Jim Morrisonit, kishte takuar Alan Ginsbergun, kur Migjen Kelmendi kishte filluar të bëjë muzikë me rok-grupin «Gjurmët», por ende nuk e kishte editu «evergreen-in» e tij «O në tren për Përzeren», kur Naseri e Mufa nëpër banesat e Kodrës së Diellit sapo kishin filluar të ushtronin dhe të mendonin për me e nisë një «bend» si «Minatori» – Enver Maloku ishte «këshilltar» e «editor», por edhe yshtës e trimërues për ta, me ide e shkrime, me qëndrimin prej rokeri.

Enver Maloku ka luajtur bukur në kitarë dhe krahas fare pak të rejave e të rinjve ishte adhurues i rokut dhe zhanreve të tjera të muzikës perëndimore të viteve të 70-të. Ishte kohë e Bob Marley dhe Elvis Presley, e Led Zeppelin dhe Stevie Wonder – deri tek mjuzikli me Olivia Newton John dhe John Travolta dhe me serialin «Sandokan». Po ashtu, ai ishte adhurues i librit, një librofil klasik dhe e blinte atë ngado që shkonte, madje familjarët thonë se Enveri tërë jetën ka paguar me këste librat që kishte blerë. Shumica nga këto libra, fatkeqësisht, i janë djegur në shtëpinë e tij në Bradash të Podujevës. Biblioteka që e kanë trashëguar gruaja dhe fëmijët ende është për t’u lavdëruar, ajo i ka rreth 5 mijë libra. Enveri jo vetëm që ka qenë lexues i madh, por edhe ka lënë në dorëshkrim

rreth 30 libra, novela, kritikë letrare, prozë, eseistikë. Me këtë rast duhet me e përmend faktin se Enver Maloku është ideatori dhe botuesi i të parës gazetë të mbrëmjes në historinë e gazetarisë shqiptare.

Sot, e hënë, 11 janar 2016, mbushen 17 vjet nga vrasja e tij.

Kthim në kohë

Moda e viteve 70-të karakterizohej me pantallonat «shizi» prej stofi ose farmerkat e famshme të ngushta në bel dhe shumë të gjëra nën gjunj, për femra e meshkuj njësoj; këmishët me jaka të mëdha (si veshë gomari!) që barteshin të shpërthekuara deri tek kopsa e tretë (meshkujt) dhe «rollkat» për femra, por edhe për meshkuj; mundësisht ndonjë zinxhir ari, tek «katundarët» mund të shihje edhe Marijanen, partneren e Kabir Bedit-Sandokanit, nga seriali i famshëm, të vënë në zinxhir të lirë të «latinëve të Janjevës». Po ashtu hasje «maica» (sot u themi «T-Shirt») me portretin e Sandokanit dhe pantallona somotka krem, këpuca ose çizme «shpic» me maje të mprehtë dhe taka të larta, kurse tek shtresat më të ulëta edhe «maica» me Bruce Lee!

Kështu ishte ajo kohë.

Ose më mirë të themi epokë.

Kur u shfaq televizori me ngjyra.

Kur më 1975 mbaroi lufta e Vietnamit.

Kur Bill Gates dhe Paul Allen themeluan Microsoft-in.

Kur (më 1976) Steve Jobs dhe Steve Wozniak krijuan kompaninë Apple.

Kur (më 1978) lindi fëmija i parë nga epruveta – Louise Joy Brown.

Kur vdiq (më 1978) Papa Pali VI dhe u zëvendësua nga Papa Gjon Pali I, i cili gjithashtu ndërroi jetë atë vit dhe u zëvendësua nga Papa Gjon Pali II.

Në ato vite 15 albumet më të shitura ishin:

  1. Pink Floyd – «Dark Side of The Moon» (më i shituri në vitet 70-të).
  2. Pink Floyd – «The Wall» me 23 milionë albume të shitura.
  3. Led Zeppelin me 22 milionë albume (më 1971).
  4. Stevie Wonder me 9 milionë pllaka të shitura më 1976.
  5. Elton John me albumin «Goodbye Yellow Brick Road» – me 7 milionë të shitur (më 1973).
  6. The Rolling Stones «Some Girls» me 6 milionë (më 1978).
  7. Bruce Springsteen «Born To Run» me 6 milionë (më 1975).
  8. Elvis Presley me «Aloha from Hawaii» me 5 milionë albume (më 1973).
  9. Rod Stewart me «Blondes Have More Fun» me 4 milionë (më 1978).
  10. Aerosmith me «Rocks» me 4 milionë albume të shitura (më 1976).

Pas tyre vijnë The Beatles, Eric Clapton, Paul McCartney & Wings – Band On The Run, Janis Joplin, Bob Dylan, The Doors (Jim Morrison) etj.

Ndër miliona blerës të këtyre albumeve ishte edhe njeriu i Kosovës. Enver Maloku. Ishte kohë kur muzika rok hyri në Kosovë. Në atë kohë dy përvjetorë ngjallën edhe më shumë ndjenja atdhetare të kosovarëve shqiptarë: më 1968 nën patronatin e Kuvendit Krahinor u festua 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut dhe më 1978 u shënua 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit.

Vula e viteve 70-të

Më 1970 zyrtarisht hapet Universiteti i Kosovës në Prishtinë.

Nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim arsimor e kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë. Vijnë profesorët nga Tirana, ndër ta edhe Eqrem Çabej e Rexhep Meidani.

Nisë themelimi i «grupeve ilegale» marksist-leniniste.

Jusuf Gërvalla vargjet e tij nisë t’i këndojë me kitarë. Ai po në ato vite i editon në «Jugoton» baladat e tij, ndër to edhe këto vargje vizionare për kohën: «Brenda një nate le t’bashkohet Berlini».

Të kamufluar nën petkun e marksizëm-leninizmit Gërvalla me shokët e tij nxjerr në Gjermani të parën gazetë moderne antijugosllave «Liria». Tashmë flamuri shqiptar është i lejuar, po ashtu Iljaz Kurteshi lexon proklamatën se është miratuar Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974 që Kosovën de facto e barazon me Republikat tjera të Federatës së Jugosllavisë, por pa emrin Republikë, kurse Josip Broz Tato e viziton Kosovën më 1975 dhe 1979.

Martiri i gazetës

Ai ishte ndër të parët gazetarë shqiptarë në Kosovë që foli edhe kur kjo ishte e ndaluar dhe jo vetëm në raport me okupatorin serb, por edhe në raport me grupet brendashqiptare. Ai, Enveri, është dëshmori i parë bashkëkohor i lirisë së shprehjes në Kosovë.

Enver Malokut nuk ia falën qasjen e tij të drejtpërdrejtë deri në formën e vetë kërcitëse kapobandat, të cilat po luftonin për ta rrënuar Ibrahim Rugovën e për t’ia shtruar vetes rrugën drejt pushtetit politik. Ai e mbronte me ngulm legjitimitetin popullor të rezistencës kundër shtypjes serbe dhe njëherësh mbronte legjitimitetin po aq popullor të Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) përballë forcave të ashtuquajtura majtiste të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPK). Ai ra viktimë në këtë konflikt absurd që i ndan shqiptarët që nga fillet e shekullit 20-të. Në këtë konflikt të mbjellë ndër shqiptarët nga «socializmi që erdhi nga të ftohtit» (Sartre) kanë rënë shumë krena në tri epoka. Bajram Curri ishte nën ndikimin e leninizmit dhe u vra nga Kadri Mehmeti, zyrtar milicie i Ahmet  Zogut, pastaj në këtë luftë «të huaj» ranë njëri pas tjetrit që nga Fan S. Noli, i cili u rrëzua nga pushteti, por mbijetoi dhe iku në ShBA, deri te Azem Hajdari në Shqipëri dhe Enver Maloku e Xhemail Mustafa në Kosovë. Enver maloku ishte kryeneç, gazetar dhe kritik letërsie ndër të rrallët që gjërat i thonë në burimin e tyre etimologjik.

Kur Shaip Beqiri ia dha të mbante një rubrikë në «Zërin e rinisë» që të shkruante për librat e sapobotuar, shumë nga kolegët ia shihnin për të madhe, sepse «ua prente këmbët» ende pa nisë mirë të ecin shumë kinseshkrimatrëve dhe kinsepoetëve, të frymës socrealiste, të cilëve, në anën tjetër, u ishin bërë protektorë Rexhep Qosja e Agim Vinca.

Enver Maloku mbetët kritiku i vetëm në letërsinë shqipe që shkruante: «Ky libër nuk ia vlen të lexohet». Ose «është i pabotueshëm». Dhe nga ana tjetër: «Ia vlen të lexohet, por vuan nga këto të meta, gabime…». Të folurit dhe të shkruarit troç ia hangër së pari shpirtin, e pastaj në luftë edhe kryet Enverit!

Një shkollë në Podujevë dhe një rrugë në Prishtinë mbajnë emrin e tij. Fëmijët në Kosovë janë mësuar tashmë që emrat e rrugëve dhe shkollave janë të rezervuar për «ata» të UÇK-së.

Sot, 17 vjet pas atentatit mbi Enverin, të gjithë të afërmit dhe bashkëmendimtarët e tij dyshojnë se vrasjen e tij e ka porositur dikush nga komisarët politikë të UÇK-së. Kur u varros, në një ditë të acartë janari, roje nderi i bën edhe ushtarët e UÇK-së, të cilët me gjasë s’kanë pasur haber se ndonjë nga banditët e shtabit të përgjithshëm mund të ketë dhënë urdhër për të vrarë një gazetar shqiptar.

Në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të e shohim Enver Malokun duke u shoqëruar me Shkëlzen Maliqin, i cili e editonte revistën prestigjioze për kulturë «Fjala», me Agim Malën, me të cilin i lidhte shkrimi, gazetaria, por edhe televizioni, pastaj me Bajram Krasniqin, kritik e studiues letërsie, Ibrahim Rugovën, Ibrahim Berishën, Xhemail Mustafën, Jusuf Buxhovin. Në ëmbëltoren «Elida» në Pallatin e Rinisë, në bankën e parë në të majtë, i gjeje rëndom ata tek e qanin e kuvendonin dertet e vendit.

Shpesh u bashkangjitej Ali Podrimja që nuk durohej shumë me llapjanët, por me Enverin ia çonte për mrekulli. Vinte aty në atë tavolinë edhe i urti Gani Bobi.

Enver Maloku i thoshte Podrimjës se s’ka haber me shkru poezi, e ky ia kthente, si të gjithë neve, – «Hë mor‘ balosh». Ndonjëherë të rrinim me ta edhe ne gazetarët e rinj, sepse sapo ishim angazhuar në organizatën «Parlamenti rinor». Profesor Bobit i pëlqente nisma e jonë, e më të rinjve, por nuk donte që me ne të bashkoheshin «emra të mëdhenj» që tashmë i shquante njëfarë snobizmi. Podrimja ia miratonte fjalët duke pulitë sytë dhe lëkund kryet poshtë e lartë në shenjë pohimi, por Enveri tutej mos shkaktonim përçarje që ishte fort temë e madhe atyre viteve.

Me Xhemën (Xhemail Mustafën) shkoja më mirë, më dukej më liberal. Enveri ishte «i shtiri» atëbotë.

Fjala në vend të lotit

Kolegu i tij më i ri, që sapo kishte qatis në punë gazetari, i ardhur rishtas në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK) nga gazeta e studentëve «Bota e re», Safet Zejnullahu, e kujton Enverin si profesionist të shkëlqyer dhe të guximshëm përtej kufijve të guximit njerëzor. «Enver Malokun, drejtues i Qendrës për Informim të Kosovës, e kujtoj gjithmonë si njeriun më profesionist me të cilin kam punuar ndonjëherë.

I afërt me të gjithë, i gatshëm të kryejë secilën punë që dilte, që nga shkrimi i lajmit më të shkurtër, në kohë zhvillimesh të rënda, vetëm që lajmi të mbërrijë sa më shpejt te lexuesi.

Motivues, por edhe kritik i rreptë, njeri që e donte në lajm fjalën e përzgjedhur, fjalinë e shkurtër e të fuqishme, mesazhin e qartë.

Kemi diskutuar me dhjetëra herë për fjalë të huaja që i përdornim, shpesh pa menduar që ta gjejmë një fjalë në shqip në vend të saj. Thoshte shpesh: ‹Mos e përdor fjalën të cilën nuk e kupton qoftë edhe një lexues i vetëm!›

Enveri ishte nismëtar i projekteve të reja, në një kohë tepër të rëndë. Botues librash të rëndësishëm për kohën në anglisht, themelues i ‹Pres Qendrës› së QIK-ut, mbi të gjitha botues i ‹Informatorit›, gazetës së parë të mbrëmjes në shqip.

I guximshëm, përtej kufirit të guximit për atë kohë. Në kohën e luftës në Prekaz nga ndërtesa e policisë përballë ndërtesës së QIK-ut drejt nesh ishin drejtuar snajperët. Ne i shihnim për dritare dhe vazhdonim e shkruanim lajme. Pa e përfillur rrezikun dhe këshillat që të ruheshim.

Pas atentatit të parë, të gjithë i thamë të ruhej dhe të kishte kujdes. Qeshte me ne pse po i flisnim. Dhe bëri të kundërtën – e shtoi shumëfish punën dhe angazhimin.

Thoshte: ‹Më ka dhënë Zoti fuqi të punoj kurrë pa u ndalur›.

Dhe vërtet, pa një fuqi mbinjerëzore dhe pa një besim të madh në fitoren e Kosovës, ishte e vështirë t’i dilej në ballë gjithë punës që bënte Enver Maloku.

Në periudhën më të rëndë 1998-1999, kur shqiptarët në Prishtinë, po edhe në qytetet e afërta nga kryeqyteti heshtnin dhe mbylleshin brenda me të rënë terri, gazeta e mbrëmjes ‹Informatori› i shtynte njerëzit të rrinin më gjatë në qytet për të pritur që ta marrin ekzemplarin e kësaj gazete.

E kujtoj se pothuaj te të gjithë kishin një ndikim të jashtëzakonshëm komentet e Enverit të botuara në faqen e parë të gazetës.

I kam lexuar pothuaj çdoherë këto komente para se të botoheshin dhe vazhdimisht jam mrekulluar me temën që përzgjidhte, thjeshtësinë, por edhe shpejtësinë e shkrimit. Ndahej për pak minuta nga redaktimi i teksteve të tjera dhe e dinim se shumë shpejt komenti do të jetë gati. Nuk e kaloi asnjë numër pa shkruar komentin e tij dhe nuk e shkroi asnjë, siç thuhet, vetëm sa për ta mbushur hapësirën.

Mund ta them me plot gojën se ai që nuk i ka lexuar atëherë tekstet e Enver Malokut nuk e ka kuptuar kurrë drejt njërën prej epokave më të mëdha shqiptare, ai që këtë rast e lëshon edhe tash nuk do ta kuptojë kurrë drejt 1998-shin, vitin e madh e të rëndë të Kosovës, nuk do ta kuptojë kurrë 1999-shin, ˂vitin e luftës dhe të lirisë˃, siç e cilësoi Enver Maloku».

Një koleg tjetër, Bajram Mjeku, e mbanë në kujtesë «shefin» si lajm!

Për Mjekun, vetë jeta dhe vdekja e tij ishin lajm.

«Jeta e gazetarit është lajm», ishte slogani i Enver Malokut, shef i Qendrës për Informim të Kosovës gjatë viteve 1993-99. Këtë slogan e ka përdorur shpesh midis ne punonjësve të QIK-ut, por edhe më gjerë. Pikërisht për këtë dhe për dinamikën e punës që ndodhte në Qendrën për Informim të Kosovës, pas përfundimit të luftës në Kosovë, ne gazetarët e QIK-ut kemi bërë një llogari, nga e cila ka rezultuar se Qendra për Informim e Kosovës nga themelimi i saj deri në 24 mars të vitit 1999 ka distribuuar rreth 290’000 (dyqind e nëntëdhjetë mijë) informata, lajme, kumtesa, raporte, analiza e komente për zhvillimet në Kosovë nën kushtet dhe rrethanat e okupimit serb. Të gjitha informacionet që u dërgoheshin qendrave ndërkombëtare të vendosjes përktheheshin edhe në gjuhën angleze, gjermane dhe frënge.

Për shkak të punës vetëmohuese të Enver Malokut dhe punonjësve të Qendrës për Informim të Kosovës, tirani serb Slobodan Millosheviq në vitin 1996 pat deklaruar se ‹Ibrahim Rugovës i funksionojnë dy segmente me rëndësi: informimi dhe arsimi në Kosovë›.

Energjia dhe sakrifica e Enver Malokut dhe punonjësve të paktë të Qendrës për Informim të Kosovës ishte e jashtëzakonshme. Jo rrallë pas vitit 1996, kur në Kosovë nisën të zhvillohen ngjarje dramatike, nga mëngjesi deri në orën 24:00 kemi distribuuar deri në 22 edicione lajmesh, më saktë rreth 150 informata kredibile brenda ditës.

Enver Maloku nuk ishte vetëm gazetar dhe shef i Qendrës për Informim të Kosovës. Ishte edhe disident brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, në momentet kur ajo nuk zhvillohej në hap me kërkesat dhe aspiratat e kosovarëve për liri dhe pavarësi. Disidenca e Enver Malokut brenda LDK-së, kur në Kuvendin e Tretë, i mbajtur më 22 mars të vitit 1998 u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, përbën lajtmotivin dhe këmbënguljen e tij për liri e pavarësi të Kosovës, cila dallonte skajshmërisht nga të tjerët».

Gëzimi i zi

Në dyvjetorin e vrasjes së Enver Malokut miku i tij dhe gazetari Xhavit Beqiri shkroi këtë tekst: «Atë ditë Hyji më përballi me një gjendje shpirtërore që s’e kisha njohur kurrë më parë.

Ishte 12 janari i vitit 1999. Një ditë e zezë dhe e gëzueshme, njëkohësisht.

Pikërisht si sot, dy vjet më parë, unë po ndeshesha për herë të parë me vrerin e zi të pikëllimit që sjell varrimi i një njeriu, të cilin e ke njohur dhe e ke çmuar, dhe gëzimin që sjell në shtëpi vaji i thekshëm i një fëmije të porsalindur.

Ajo ishte një ditë krejt e veçantë. Shëmbëllim asaj nuk i gjendet dot. E papërsëritshme ishte, në llahtarin e saj të tmerrit dhe të lumturisë. Në agun e mëngjesit të datës 12 janar 1999, e zgjedhura ime e jetës solli në këtë ˂jetë të bekueme˃ fëmijën tonë të dytë, Liburnin. Po atë ditë, vetëm pak orë më vonë, redaksia në Prishtinë e gazetës ˂Bota sot˃ më dha mbase njërën nga detyrat më të rënda, që kam kryer ndonjëherë prejse jam gazetar. Bashkë me kolegun e atëhershëm, Rrahman Paçarizin, duhej të raportonim për vrasjen makabre të njeriut të paepur të fjalës së lirë – Enver Malokut.

Ishte, pra, një pikëllim i paskaj, një trishtim që s’thuhet, që po ndeshej fytas, brenda meje, me atë ndjenjën tjetër, krejt të kundërt – dhe po kaq të natyrshme – gëzimin e lindjes së tim biri.

Unë për vete isha në një jermi totale. As i zgjuar, as në ëndërr. Ndërsa, urimet e ngushëllimet më ngatërroheshin, dhe më nuk e dija kush më përgëzonte për lindjen e djalit, e kush më ngushëllonte për vdekjen e Enverit.

Mërzia, thyerja shpirtërore e atij çasti të lig, përpiqej dëshpërueshëm ta mposhtte atë ndjenjën tjetër, po aq kryengritëse, të gazit të lindjes së fëmijës.

E zeza dhe e bardha jetonin njëkohshëm përbrenda meje, ndaj më nuk e dija a qaja, apo qeshja.

Lagjja e Diellit në Prishtinë sikur nuk donte të bindej se kumti katran ishte i vërtetë. Por, TV-ja e konfirmoi atë që njerëzit më kot përpiqeshin të mos e pranonin. Atëherë lagjen e kaploi heshtja, një eklips i lemerishëm, nga i cili, me gjasë, ajo nuk do të çlirohet kurrë.

Dy vjet kanë kaluar nga ajo ditë. Liburni sot ka datëlindjen. Ai do t’i fikën dy qirinj dhe do t’ia hapë vetes rrugën për mësim-pësimet e vitit të tretë. Pak më vonë, babi do t’i tregojë atij se aty pranë, fare pranë, ka jetuar një njeri që jetën ia pati kushtuar Shën Fjalës së Lirë. Asaj fjale që Liburnit ngaherë ia ka robëruar babanë. Siç e pati robëruar qëmoti Enverin, njeriun që e dinte se do ta shpërblenin me plumba, vetëm pse dashuronte marrëzisht një të ardhme tjetër për fëmijët e Kosovës. Asgjë më shumë».

Biografia e një bashkudhëtari

Paramendojeni sikur me Enverin jeni takuar rastësisht në korridoret e ngushta të një treni ekspres që rrugëton metaforikisht nga Selaniku në Vjenë e përtej në Mynih e që realisht quhej «Akropolis». Paramendojeni sikur ai ua ka dhënë dëgjueset dhe MP3-shin popullor për të dëgjuar «shllagerat» e viteve 70-të dhe ju pëshpëritë në vesh: «Merre lapsin vajzë ose çun dhe shkruaje biografinë time, sepse nuk dihet se ku e qysh përfundon ky tren – ‹sepse  jeta nuk është kajmak›».

Njeriu me qëndrim kritik për gjithçka, Enver Maloku, u lind në fshatin Bradash të Podujevës, më 2 shkurt 1954. U vra, siç u përmend, në Prishtinë më 11 janar 1999. Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Enver Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë gazetari kryesor i politikës kombëtare në Kosovë.

Fillimisht ka punuar si gazetar e redaktor, ndërsa nga viti 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila nga themelimi, më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve.

Herën e parë, në korrik të vitit 1998, atë e huqi plumbi i një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë në derë të banesës së tij. Mesazhi ishte shumë i qartë: kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë dhe e guximit për shprehje të lirë në Kosovë. Me meritën e Malokut dhe të kolegëve të tij fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai punoi si kurrë më parë në punë të informimit të opinionit të brendshëm e të jashtëm në kohë okupimi të egër e lufte të ashpër. Por, në pasditen e 11 janarit 1999, atentatorët – sipas dëshmive të kohës – tash ishin më shumë dhe, për fat të keq, nuk e huqën cakun.

Pak metra prej banesës së tij në përdhese të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

Dhe për koincidencë – të makthit shqiptar të janarëve – si Jusuf Gërvalla edhe ky mbërrin i gjallë në spital, mbase edhe aty shfaqet si nga legjendat me vampirë ndonjë «V» në xhepin e mantelit të bardhë të ndonjë mjeku ballkanas, si Vladeta, Vidoje ose Vidiç.

Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin «Medalja e Artë e Pavarësisë».

Gjithashtu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen «Urdhri i Artë i Shqiponjës».

«Baba» në barakë

Enver Malokut ia kam pasë lakmi për drejtëpërdrejtshëmninë e tij pa asnjë luhatje në rubrikën e kritikave letrare te «Zëri i rinisë» dhe emisionin e tij të intervistave me krijues në RTP e kam parë sikur të ishte një serial dramatik. Më është dukur ndonjëherë mendjemadh dhe në momente i rreptë, por padyshim i drejtë.

I drejtë ishte edhe reagimi i tij për sulmin e UÇK-së mbi Rahovecin, sado që oportunistët e gazetarisë do ta cilësonin si të parakohshëm. Ky sulm ishte pretekst për represion masiv ndaj qytetarëve rahovecianë nga ana e policisë serbe, ku u vranë dhjeta civilë të pambrojtur. Enver Maloku akuzonte drejtuesit e gueriles për sulme të pamatura në qytete duke mos pasur takat për t’u garantuar siguri civilëve dhe akuzonte qarqet e ekstremit të majtë se po e dëmtonin interesin e Kosovës dhe të popullit të saj deri në përmasat e cenimit të bërthamës kombëtare.

Komenti ma i ashpër mbetet ai për sulmin mbi Rahovecin dhe Enver Malokut mbase ky shkrim ka mund t’i bëhej «aktgjykim» sekret për ekzekutimin e tij. Në vjeshtën e vonë të 1998-tës, me miqtë e mi të moçëm (Blerim Shalën dhe Hysen Gashin), shkuam një ditë te «baraka e LDK-së» për ta takuar profesorin tonë dhe kolumnistin e «Zëri»-it, dr. Fehmi Aganin. Njëri nga miqtë nguli këmbë që ta takonim edhe Ibrën, siç i thoshim atëbotë Presidentin e Republikës.

I treguam Enverit se kishim lënë takim me profesor Aganin, me të cilin rëndom shkonim në restorant «Dora» te «Qafa» për kafe. Enveri na pyeti: «Hë djema, çka ka naj të re?»

Shala i tha se po e prisnim profesorin, unë i thashë më zë të vogël nëse mund ta takonim edhe Ibrën?

– Jo, tha ai, është me një delegacion të huaj.

Sakaq Enveri po e pyeste Hysen Gashin që nuk e njihte:

– E ti?

Gashi u përgjigj: «Jam ardhë me e pa babën».

Enveri qeshi në shenjë mirësjelljeje dhe duke e pandehur si dikë që vërtet mund ta ketë babën aty, po e pyeste Gashin se kë nga LDK-ja e kishte babë?

Mua më përfshiu një gaz i papërmbajtur dhe mezi ia sqarova Enverit se Gashi «babë» e quan Ibrën. Sakaq në derë u shfaq si gjithherë me buzëqeshje dhe nguti që e shquanin profesor Agani dhe ky muhabet me Enverin për «babën» që donte ta takonte miku ynë Hysen Gashi u mbyll me një shpoti të lehtë nga Hysen Gashit dhe me një sjellje koke në shenjë habie nga Enveri.

Numra që pikojnë gjak

Miti thotë se në religjionin e lashtë romak Janusi është zot i fillimit të tranzicionit. Ai zakonisht është përshkruar si njeri me dy fytyra, pasi ai shikon në të ardhmen dhe të kaluarën. Mendohet konvencionalisht se muaji janar është emëruar sipas Janusit (Ianuarius). Më 17 janar 1448 ka vdekë Gjergj Kastrioti, kurse po më 17 janar 1982 janë vra n’Gjermani nga policia sekrete jugosllave atdhetarët kosovarë Jusuf e Bardosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Në janar 1916 në Podgoricë, te Ura e Ribnicës, i zënë me pabesi nga malazezët vritet Isa Boletini. «Pobjeda», e përditshme nga Titogradi, më 26 maj 1980 e botoi kronikën e atëhershme ku thuhej se vrasja kishte ndodhur më 19 janar. Në skicën për biografinë e vet ngjarjen e përshkruan edhe Millovan Gjillasi, një bashkëpunëtor i afërt i Titos. Gjillasi sjell fjalët e babës së tij Nikollës: «Kam vrapuar nga ai, kur shqiptari trim i pafrenuar e mbështeti revolverin në dorën e majtë të tij, por nuk pati kohë që ta zbrazë. Një ushtar shpejtoi dhe ai ra. Përsëri baba ka shpejtuar te Isa. Ai e ka shikuar me sy të përgjakshëm. Ka fol diçka në gjuhën e vet, por baba nuk e ka marrë vesh. (…) Baba ia mori ˂mauzerin˃ si kujtimin më të madh!»

Fatalitetin shqiptar të janarit e zmadhon si një përbindësh t’çuem peshë nga fund-dheu fakti se po më 11 janar 1984 në Prishtinë mbi vendin e quajtur «Hani i Dilit», në një shtëpi buzë hekurudhe, janë vra në rezistencë ndaj milicisë serbe atdhetarët Rexhep Mala e Nuhi Berisha, dy militantë kundër regjimit jugosllav. Më 31 janar 1997 në Pestovë afër Vushtrrisë janë vrarë po ashtu në pritë, por nga forcat serbe të sigurisë, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.

Vetëm numra dhe fakte të rastësishme, në një botë paralele. Njerëz ëndërrimtarë lirie dhe numra që pikojnë gjak. Numra fatal apo estetikë e ftohtë dhe tragjike?

Fatum i përllogaritur nga një mendje e padukshme, matematikisht hyjnore apo etikisht kriminale.

Ismail Kadare te novela «Baladë për J.G.» përshkruan dëshminë e personazhes S.G.: «Përpiqej të kujtonte faktet e ditëve të fundit, gjëra që mund të kishin zgjuar dyshime, fjalë të J., për ndonjë rrezik të mundshëm, por nuk i kujtohej asgjë.

I kujtoheshin vetëm ca parandjenja të këqija.

Por, edhe për to nuk ishte e sigurt nëse i kishte dëgjuar diku apo i kishte menduar ajo vetë.

Ishte thënë diçka për natën e 17 janarit. Për 17 janarin e vitit 1467.

Madje ishte përmendur vdekja: Ah, po, një orë më parë e kishte përmendur J.

Sot është dita e vdekjes së Skënderbeut.

Kështu kishte thënë duke kthyer kokën nga kalendari ku ishte një pikturë e Degas, një balerinë aq e papërshtatshme për ditën e mbarimit të kryezotit mesjetar…

E megjithatë, tani dukej se pikërisht ajo balerinë i sulej nga grumbujt e borës ndanë rrugës, drejt xhamit të veshur të taksisë si për t’i kumtuar diçka që ngjante herë si shpresë e dhimbshme, herë si një hare misterioze».

Ata ishin katër

Më 11 janar Doruntina do të nisej në shkollë si çdo fëmijë i moshës së saj. Nuk mund të thotë se kishte ndonjë parandjenjë pos që kishte kapur ndonjëherë çaste nga biseda e prindërve. Enver Maloku kurrë s’do ta mendonte për vrasës ndonjë shqiptar.

Mbase ndonjë jeniçer turk më parë do ta ëndërronte për vrasës potencial. Po, e kishin përcjellë gjatë, por UDB-ja, shërbimi sekret serb, këtë punë kishte.

Dhe njerëzit nuk bëheshin fare patetikë, flisnin me zë të ulët pa bërë dramë, sepse aso kohësh, shumica e gazetarëve dhe intelektualëve shqiptarë përgjoheshin e përcilleshin. Ata ishin përcjellë e përgjuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Doruntina s’ka asnjë shpjegim. E di se ata ishin katër. Të zinj, natyrisht.

– Jo, kjo nuk është dëshmi.

Rëndom në tregimet shqiptare secili vrasës përshkruhet të jetë fort i zi dhe mizor e rëndom i pabesë!

Pas plot 17 vjetësh dosjes për vrasjen e Enver Malokut i mungon dorasi apo dorasit.

Shumë i zi në shpirt do të duhej të ishte.

Dihet vetëm se vrasja e tij la shumë dhimbje. E them në një poezi: «Dhimta, ajo asht pushtues mizor… pa asni keqardhje – pa pendesë a bremje ndërgjegjeje / si ni gjeneral që i vë flakën shpirtit të ni qyteti ballkanik / e rri permi pirgun e ngrehun kufomash / e mburret aq ngat Zotit të lig asht afrue / ose s’pakut don me i gâ… / helmi që iu dha Socrates’it qiky âsht / ethet e Skënderbeut / prita që iu ngreh Hasan Prishtinës… / plumbi që mori Kennedy’të, Jusuf Gërvallen / mjeshtrit monstruozë që ngrehnin mure / për mos me depërtue ajr i dlirë në mushknitë e Nanës séme / po ata mjeshtër parakë që shuen Ibrahim Rugovën / kjo asht prita n’cillen ranë / ni pas ni para syve tanë – miqtë (…) po tashmâ e njohim t’njâjtën brengë – dhimtën/ (…) dhimta – ajo s’meriton respekt…».

Enver Maloku ishte gazetar vetëmohues dhe ëndërrimtar lirie, por nuk e priti i gjallë.

Liria! Askush s’e prêt i gjallë.

Një shënim në fund.

Ky shkrim i dedikohet vajzës së Enverit, Doruntinës.

Ajo e ka një ëndërr: me e çue n’ven amanetin e babës!

Ajo si gazetare dhe politikane (deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së) e zhvillon luftën për të vërtetën në dy fronte, së këndejmi kauza e saj është e dyfishtë: Së pari, ajo vepron si deputete, për Kosovën e pavarur, për Kosovën me liri e demokraci si kauzë të babës së vrarë në pritë dhe së dyti, zbardhjen e të vërtetës, pse dhe nga kush u vra ai.