I dëbuar pas 27 vitesh në Zvicër

Gjykata Federale, instanca më e lartë juridike e Zvicrës, ka vendosur ta dëbojë nga Zvicra një kosovar. Ai ka një karrierë të gjatë kriminale.

Foto: Shutterstock



Ai sot është 30-vjeçar dhe gati tërë jetën e ka kaluar në Zvicër. Ka mundur të jetë edhe shtetas zviceran. Në Zvicër kishte ardhur nga Kosova në moshën 3-vjeçare, por që me 11 vite kishte kryer deliktin e parë. Pesë herë u dënua pastaj nga gjykata për çështje të të rinjeve, dy herë për grabitje.

Edhe si i rritur ai shkeli ligjin. Për shkak të tregtisë me drogë dhe delikteve të tjera u dënua 7 herë. Më 2013 një gjykatë e dënoi me 42 muaj burg për shkak të sulmit fizik dhe shkaktimit të lëndimeve trupore. Sipas vendimit të gjykatës ai kishte sulmuar viktimën e tij me grusht në fytyrë pa qenë i provokuar. Pastaj e kishte therur me thikë. Po të mos ishte kryer shpejt një intervenim, viktima mund të humbte jetën. Ende pa hyrë në burg për këtë krim, ai u ndalua ndërsa po drejtonte automjetin në gjendje të dehur, pastaj për shkak të shkeljes së ligjit të armëve dhe delikteve të tjera.

Pas kësaj serie të tmerrshme deliktesh autoritetet e qytetit të Bernës anuluan lejen e tij të qëndrimit në Zvicër dhe urdhëruan që ai të largohet nga Zvicra pas vuajtjes së dënimit. Kosovari 30-vjeçar u ankua deri në Gjykatën Federale – pa sukses. Gjykata konfirmoi vendimin për dëbim nga Zvicra.

Avokatja e të dënuarit argumentoi se dëbimi ishte një goditje e rëndë, sepse kosovari kishte ardhur në Zvicër në moshën 3-vjeçare dhe nuk kishte ndonjë lidhje me vendin e prejardhjes. Edhe Gjykata Federale konstatoi se dëbimi nga Zvicra në raste kur keqbërësi ka jetuar gjatë në Zvicër duhet të shqiptohet me rezervë të madhe. Por në rastin konkret më i rëndësishëm është interesi publik se ai privat i kosovarit. Para se të kthehet në Kosovë ai duhet t’i mbulojë shpenzimet e procesit. (-lli)