I caktohet paraburgimi Enver Islamit për shkak të vrasjes së kryer në vitin 1993

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda - gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj tani të pandehurit Enver (Jahir) Islami nga Podujeva, ka caktuar paraburgimin për shkak të veprës penale: «Vrasje e rëndë» nga neni 197 par.1 nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.




«Tani i pandehuri Enver Islami dyshohet se në datën 28.04.1993 në Podujevë kishte vrarë tani të ndjerin Xhemshit Ajvazin në prezencë të familjarëve të të ndjerit Xhemshit dhe pastaj ishte arratisur në Spanjë ku kishte kryer edhe një vrasje tjetër të dyfishtë. I pandehuri ka qenë në ndjekje penale nga autoritetet e atëhershme –përkatësisht nga Gjykata e Qarkut në Prokuplje e cila deri në vitin 1999 sipas Vendimit të Kuvendit të Republikës së Serbisë ishte caktuar me kompetencë lëndore dhe territoriale për Komunën e Podujevës», njofton Gjykata Themelore në Prishtinë, transmeton Koha.net.

I pandehuri Enver Islami është deportuar nga organet e Spanjës dhe ndaj tij do të zhvillohet procedura penale në Republikën e Kosovës për vepër të rëndë penale të kryer në vitin 1993.