I akuzuari si pjesë e «bandës së Habilajve», kërkon të ekstradohet në Itali

Një prej të arrestuarve si pjesë e bandës së Habilajve i kërkoi gjykatës që të ekstradohej në Itali, për tu përballur me drejtësinë italiane e cila e ka shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge. Ndërkohë, një çështje ndaj tij ka filluar edhe në Tiranë, duke e vënë sistemin në dilemë procedurale

Gjykata e Krimeve të Rënda, Tiranë.



Një prej të akuzuarve si pjesë e bandës «Habilaj», kërkoi përmes avokatit që të ekstradohej në Itali, ku kërkohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Nazer Seiti, i cili sipas prokurorisë së Katanias – Itali, është anëtar i bandës së drejtuar nga Moisi Habilaj, kërkoi të përballet me akuzat e trafikimit të drogës para drejtësisë Italiane.

Seanca e djeshme kishte të bënte me shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së autoriteteve Italiane, për ekstradimin e Seitit në Itali, ndërkohë që ky i fundit  është në hetim edhe prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila nisi një çështje menjëherë pas publikimit të përgjimeve të Prokurorisë së Katanias që u bën publike javën e kaluar.

Nezar Seiti listohej në këto përgjime si një prej anëtarëve të  grupit Habilaj që kujdesej për infrastrukturën e trafikut të hashashit drejt Sicilisë. Menjëherë pas hapjes së dosjes për këtë grup, bazuar në përgjimet italiane, prokuroria dhe policia qenë në gjendje të arrestonin dhe ndalonin disa persona në Babicë të Vlorës, përfshi Seitin, ndërsa u sekuestruan më shumë se katër tonë drogë.

Dosja «Habilaj» u kthye në çështje dite të politikës në Shqipëri, pasi në përgjimet e anëtarëve të dyshuar të bandës përmendet disa herë emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir TahiriNdërkohë kuvendi votoi kundër kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të lejuar edhe arrestimin e ish-ministrit, i cili i ka mohuar akuzat.

Prokurori i çështjes Shahin Pasha, i depozitoi gjykatës një kopje të urdhër-arrestit të lëshuar nga Italia për këtë person dhe disa shkresa të tjera për dobi të këtij procesi. Në fund të fjalës së tij, prokurori Shahini kërkoi masë sigurie «arrest me burg» për qëllim ekstradimi.

Ndërkohë katër ditë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi për Seitin masën e arrestit «20 ditë në burg», për llogari të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, i cili filloi menjëherë pas arrestimit të të dyshuarve të tjerë të grupit në Itali.

I kontaktuar në telefon nga BIRN-i, avokati i të arrestuarit Nazer Seiti pohoi se klienti i tij ka shfaqur vetë vullnetin të ekstradohet në drejtim të Italisë. «Klienti im ka vetë vullnetin të shkojë në Itali dhe të përballet me akuzat e ngritura nga ky shtet», deklaroi avokati Detar Hysi. Ky i fundit shton se ka shfaqur habi me kërkesën e përfaqësusit të prokurorisë së Tiranës, i cili në një seancë të tillë gjyqësore me objekt ekstradimin e Seitit në Itali, kërkoi caktimin e masës  ekstreme sipas tij të «arrestit me burg».

I kontaktuar po ashtu përmes telefonit prokurori i çështjes i tha BIRN-it se «vetë i pandehuri ka treguar vullnetin e tij për tu ekstraduar në Itali». I pyetur se si mund të zgjidhet ekstradimi i Nazer Seitit drejt Italisë, në një kohë që paralelisht dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një procedim penal kundër këtij personi si i dyshuar për trafik droge, prokurori tha se nuk mund të komentonte këtë pjesë.

(https://www.reporter.al/i-akuzuari-si-pjese-e-bandes-se-habilajve-kerkon-te-ekstradohet-ne-itali/)