Humori i hidhur anglez: «Na mposhti vendi që ka më shumë vullkane se futbollistë»

Shtypi i Londrës ka reaguar me ironi therëse pas humbjes së Anglisë kundër Islandës në Kampionatin Europian të Futbollit.

Foto: Shutterstock

Një poshtërim të tillë Anglia nuk e ka përjetuar asnjëherë në historinë e futbollit. Vendi që e ka zbuluar këtë lojë është mposhtur dhe poshtëruar nga Islanda e vogël në Kampionatin Europian të Futbollit në Francë. Me efikasitet të madh, guxim dhe vetëbesim islandezët shënuan fitore kundër anglezëve me rezultat 2:1.

Vala e ironisë therëse, e humorit të zi, e cinizmit kundër anglezëve nuk ka fund. Lojtari i dikurshëm i Kombëtares angleze Gary Lineker shkroi në Twitter: «Fitorja më e tmerrshme në histori. Na mposhti vendi që ka më shumë vullkane se futbollistë». Gazeta «Times» shkruan se pas «959 ndeshjeve kjo ishte humbja më poshtëruese në historinë e Anglisë – kundër një vendi me 330 mijë banorë, të trajnuar nga një dentist. Natën që shkoi Anglia i dha fund të qenmit ekip futbolli dhe ishte vetëm një numër humoristik. Ky ishte futboll me tru të vdekur, me plot individë në panik».

Për gazetën «Daily Mail» Anglia pësoi një humbje të turpshme kundër peshkut më të vogël të turnirit. «Të mposhtur nga Islanda – një vend me numër banorësh sa madhësia e Leicesterit. Të mposhtur nga Islanda – një ekip me një trajner që punon me gjysmë orari dhe që ka një kulturë futbolli të kohës së lirë. Të mposhtur nga Islanda – një ekip që më parë kurrë nuk kishte zhvilluar asnjë ndeshje në eliminatorë».

«Brrrrexit Hodgson. Poshtërim i plotë. Pa ide, pa bindje, pa aneksa – djemtë e Roy Hodgson janë nisur rrugës për në shtëpi pas një shfaqjeje të tmerrshme në Nizza. Tri gjëra janë të sigurta në jetë: vdekja, tatimet dhe shfaqjet mesatare angleze në turnirët e mëdhenj», shkruan me zemërim gazeta «Mirror». Gazeta bulevardeske «Sun» i bie shkurt: për të futbollistët anglezë janë «Ice Wallies» (budallenj prej akulli – ky është aludim në Islandën).

Filozofike tingëllon gazeta «Independent»: «Arsyeja përse kombi lufton për të ndërtuar një emocion apo një lidhje me këta lojtarë është egoja. Tepër famshme, tepër e rëndësishme, tepër e pasur, tepër arrogante për të qenë në gjendje t’i dalë në mejdan shpejtësisë dhe të luftojë, kur bëhet fjalë për njërin prej kombeve më të vogla të futbollit në Europë. Kjo është Anglia». (-lli)