Humnera

Ferdando Pessoa, poet portugez.



Mes ndërgjegjes time dhe meje
Është një humnerë,
Ka një fund të padukshëm,
Ku rrjedh një lumë zhurmues,
Larg edhe nga vetë të vetmuarit.
O zhurma është e ftohtë, po e vërtetë,
Aty çdo pikë e mendimit tim
Është gjithashtu e ftohtë, por dhe e errët,
Pabesueshmërisht e lashtë në vetvete,
Por jo në dukjen e paraqitur!
Të dëgjuarit e mi është të shikuarit e mi,
Është pikërisht ky lumë gati pa hapësirë,
Zhurma e tij që çliron gjithmonë
Mendimin tim
Nga pushteti i ndjesisë për të ëndërruar.
Veç një realitet i frikshëm
I përket këtij lumi këngësh pa zë,
Një realitet abstrakt,
Që flet për mosrealitetin,
Për lëvizjen e lumit
Drejt kurrfarë deti!
Dhe ja në sytë e të ndjerit tim të ëndërruar
Ndjej të paparin lumë
Drejt vendit, ku në fakt nuk shkon,
Pra, drejt tërë gjërave përbërëse të mendimit tim
Të vetvetes, të botës dhe të Zotit
Që janë dallgët e këtij lumi të pamundur.
Ah, idetë e botës dhe të Zotit
Të vetvetes time dhe të misterit
Si prej një katarakti të epërm rrjedhin
Tek ky lumë, përherë drejt detit,
Që s’arrihet kurrë,
Po që i përket lëvizjes të ngjizur me natën
Gjithmonë drejt
Diellit të plazhit
Të një oqeani të pakapshëm!

Përktheu: Moikom ZEQO