Humbin tri javë mësim për shkak të renovimit dyditësh

Mbi 150 nxënës të shkollës fillore «Mehmet Gradica», të fshatit Gradicë të Drenasit, nuk e kanë mbajtur asnjë orë mësimi, ndërsa kanë kaluar tri javë qëkur ka nisur viti i ri shkollor, shkruan sot Koha Ditore.




Ata kanë humbur ditët e mësimit për shkak se punëkryerësi i kontraktuar pesë muaj më parë, për rregullimin e dyshemesë së shkollës, i ka nisur punimet fundjavën e kaluar.

Kjo situatë ka nxitur reagimin e njërit nga këshilltarët e Komunës, i cili thotë se do të denoncojnë përgjegjësit për korrupsion në këtë tender. E tenderin dyshohet se e ka fituar një koleg i tij, po ashtu këshilltar komunal, por që firmën e ka bartur në pronësi të një tjetër personi.