Hoxhaj kërkon në Vjenë heqjen e vizave dhe leje pune për kosovarët

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka kërkuar t’i ofrohet sa më parë rrugë e qartë Kosovës drejt liberalizimit të vizave dhe dhënien e lejeve të përkohshme për punë në mënyrë që të ndalet emigrimi i parregullt i kosovarëve.




Hoxhaj i është referuar së fundi edhe një debati nëpër vende evropiane për të ofruar përkohësisht leje pune sezonale për qytetarët nga Ballkani, përfshirë edhe Kosova.

Në një emision të telvizionit austriak ORF 1 në Vjenë, Hoxhaj ka thënë se arsyet kryesore të largimit të qytetarëve të Kosovës drejt BE-së kanë të bëjnë me izolimin e vendit dhe me zhvillimin e ngadaltë ekonomik, por natyrisht edhe nga faktor të tjerë.

«Prandaj liberalizimi i vizave për Kosovën është determinues që migrimi ilegal të jetë sa më i vogël dhe njerëzit të mos krijojnë pritje të gabuara që mund të marrin azilin. Po ashtu, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj duhet që të mendojnë për format legale të migrimit ku qytetarët nga Kosova do të pajiseshin me viza pune për punësime sezonale në vendet perëndimore. Kosova nuk e ka një mundësi të tillë prandaj këto forma do të ishin në interes të Kosovës dhe vetë vendeve të BE-së për ta kontrolluar formalisht», është shprehur Hoxhaj, raporton KTV.

Më tej, ai ka shtuar se edhe vendet e rajonit duhet të tejkalojnë status quon në të cilën gjenden dhe anëtarësimi i shpejt i tyre është motiv për reforma dhe demokratizim të shpejt.

Në këtë emision ku temë ishte çështja e refugjatëve nga Siria dhe migrimi ilegal nga Ballkani, kanë diskutuar me Hoxhajn edhe profesorë austriakë si dhe gazetarë nga Austria e Gjermania.