Hoti sqaron gjendjen me buxhetin për Komunën e Junikut

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka dhënë një sqarim në lidhje me akuzën që ka ardhur nga kryetari i Komunës së Junikut në lidhje me alokimin e buxhetit për këtë komunë.




Hoti ka thënë se Buxheti për vitin 2016 për komuna është ndarë plotësisht në përputhje me ligjet përkatëse dhe me aprovim të Komisionit të Granteve, ku marrin pjesë katër kryetarë të komunave që përfaqësojnë të gjitha komunat, të përzgjedhur në mars të këtij viti.

«Është zbatuar me përpikëri formula e grantit të përgjithshëm, e cila merr parasysh numrin e popullsisë, madhësinë e territorit të komunës dhe disa kritere të tjera. Po ashtu, është aplikuar plotësisht formula për grantin e arsimit, duke e ndarë buxhetin bazuar në numrin e nxënësve. Njëjtë është vepruar edhe me grantin për shëndetësi, bazuar në numrin e popullsisë dhe numrin e vizitave shëndetësore», ka thënë Hoti në sqarimin e tij.

Buxheti për komuna për vitin 2016, Hoti thotë se është diskutuar disa herë në takime me kryetarët e komunave.

Thotë të jetë bërë vlerësim shumë më objektiv i të hyrave vetanake, të cilat, sipas tij, nga viti i ardhshëm do të vlerësohen bazuar në potencialin ekonomik të secilës komunë.

«Komuna e Junikut ka qenë në mesin e tri komunave që vetme që kanë përkrahur me buxhet shtesë gjatë rishikimit të buxhetit në korrik», ka theksuar Hoti.

Ministri i Financave ka thënë në fund se Qeveria mbetet e hapur për të mbështetur komunat në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarë në përputhje me mundësitë buxhetore.

«Buxheti është i të gjithëve, dhe secili do të përfitojë aq sa i takon», ka përfunduar Hoti.