Hoti nënshkruan Rregulloren për Administrimin e Fondeve të Huamarrjes

Në vazhdën e aktiviteteve të Ministrisë së Financave drejt ndërtimit të një infrastrukture ligjore e cila siguron shfrytëzim efikas dhe efektiv të parasë publike, ministri i Financave, Avdullah Hoti ka nënshkruar Rregulloren për Administrimin e Fondeve të Huamarrjes.

Me këtë Rregullore, siç potencon MF përmes një komunikate për media, përcaktohen rregullat e shfrytëzimit të fondeve për te gjitha Organizatat Buxhetore dhe ndërmarrjet publike të cilat financojnë projekte nga huamarrja shtetërore.

«Rregullorja siguron kontroll të brendshëm financiar të shfrytëzimit të fondeve të huamarrjes shtetërore duke obliguar organizatat buxhetore dhe ndërmarrjet që të hartojnë procedura të brendshme për të siguruar koordinim të saktë të përgjegjësive në kuadër të hierarkisë së brendshme, procedura të cilat sigurojnë që çdo pagesë nga fondet e huamarrjes të ju nënshtrohet autorizimeve të brendshme para ekzekutimit», thuhet në këtë njoftim për media.

Më tej potencohet se përmes kësaj rregulloreje përcaktohet që të gjitha pagesat nga huamarrja shtetërore të ju nënshtrohen procedurave të regjistrimit dhe ekzekutimit të parasë publike të nxjerra nga Thesari për Organizatat Buxhetore, gjithmonë në koordinim të plotë me procedurat e negociuara në pakot e marrëveshjeve financiare.

«Projektet me financim nga huamarrja shtetërore do të ju nënshtrohen rregullave të auditimit sipas legjislacionit në fuqi për të siguruar që fondet e huamarrjes po shfrytëzohen në mënyrë sa më efikase të mundshme», thuhet më tej në komunikatë.

Ministria e Financave, nën përgjegjësinë ligjore të përcaktuar me Ligjin për Borxhet Publike për të siguruar administrim të fondeve të huamarrjes, thotë të ketë përcaktuar edhe procedurat e rekrutimit dhe kushtet e punësimit të stafit të cilët paguhen nga fondet e huamarrjes dhe punësohen vetëm atëherë kur është paraparë gjatë negociatave të Marrëveshjes Financiare me Kreditorin.