Hotelierët e Ferizajt kundërshtojnë tarifat e reja komunale

Nëntëmbëdhjetë subjekte afariste hoteliere që veprojnë në Komunën e Ferizajt e kanë nënshkruar një peticion-ankesë në kundërshtim të tarifave dhe ngarkesave komunale.




Të nënshkruarit të cilët përfaqësojnë biznese të ndryshme që hyjnë në kategorinë e ofrimit të shërbimeve hoteliere dhe turistike janë drejtuar në adresë të kryetarit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, që ai të marrë parasysh të gjitha masat dhe t’i analizojë çështjet që janë paraparë me rregulloren e të hyrave vetjake, e cila është miratuar në qershor, shkruan sot «Koha Ditore».

«Në parim shuma prej 1.000 eurosh e cekur në këto aktvendime referohet kryesisht për biznese të cilat ne i drejtojmë. Një aktvendim i këtillë i referohet palës si restorant ndërkohë i njëjti është vetëm sallë dasmash ose e njëjta është vetëm restorant që ofron shërbime tremuajshe në vit. Ndërkohë aktvendimet që Drejtoria e Financave i ka dërguar nuk ka bërë seleksionimin e drejtë në raport me obligimet që ne si biznese i kemi ndaj shtetit», thuhet në reagim.
Hotelierët kanë insistuar se kjo taksë e shprehur përmes këtyre aktvendimeve është totalisht e papranueshme dhe ndëshkuese.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, nga ana tjetër, ka siguruar se do të shqyrtohen këto ankesa të këtyre bizneseve, derisa njëherësh edhe e ka arsyetuar vendimin e marrë më datën 4 qershor 2015 lidhur me tarifat dhe ngarkesat komunale.