Hotel «Graçanica» dhe historia e zviceranit që u dashurua në Kosovën

I vendosur afër Manastirit të Graçanicës dhe afër parkut arkeologjik Ulpiana, Hotel «Graçanica» është shndërruar në simbol të bashkëjetesës mes serbve, shqiptarëve dhe romëve në Kosovë.

Pamje e Hotel Graçanica afër Prishtinës.

Paqe dhe pajtim mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe prezantim i anës turstike të vendit. Me këtë synim zvicrani Andreas Wormser, bashkë me dy partnerë të tij në biznes, e nisën para tri vite e gjysmë ndërtimin e një hoteli në Graçanicë, për të sjellë në Kosovë përvojën zvicerane të të bërit biznes. Por për zvicranin Wormser historia e ndërtimit të këtij hoteli i ka rrënjët në kohën e përfundimit të luftës në Kosovë.

Ai pas vitit ’99 shërbeu si atashe për migracion në Zyrën Ndërlidhëse Zvicrane në Prishtinë, kohë kjo kur bëri shumë miq dhe u lidhë shumë me Kosovën. Në një rrëfim për «Dialogplus», Wormser thotë se lidhja me Kosovën e shtyu atë që të investojë në Kosovë. «Bëra miq këtu dhe fillova ta dua këtë vend. Pas kthimit në Bernë, u bëja shpesh vizita miqve në Kosovë deri në vitin 2009 kur e ndjeva se ishte koha të investoja këtu».

Ideja fillestare qe ndërtimi i një hoteli, ku krahas anës biznesore, sipas Wormser, ka qenë ofrimi i një ambienti tolerant për të gjitha komunitetet. Kosova në sytë e Wormser është një vend mjaft atraktiv për investime me malet mbresëlënëse, kulturën e pasur dhe mikëpritjen e madhe të njerëzve. «Por ende mungon një akomodim i duhur për turistët dhe kjo është pika ku unë dhe dy partneret e mi në biznes, e kemi parë potencialin për ndërtimin e një hoteli, që do t’i targetonte vecanërisht turistët». Hoteli ofron intimitet, ka një arkitekturë të përzier mes modernitetit, funksionalitetit dhe traditës dhe ofron një atmosferë të këndshme për mysafirët. Hoteli është vepër e arkitektit shqiptar që punon në Zvicër, Bujar Nrecaj. Është i vendosur në një vend të bukur afër Prishtinës, në afërsi të manastirit të Gracanicës, i cili është i mbrojtur nga UNESCO si trashëgimi botërore dhe afër parkut arkeologjik, Ulpiana.
Gjithashtu vlerësohet si hoteli më «miqësor» në Kosovë kundrejt natyrës me ngrohje gjeotermale, ajër të kondicionuar dhe me impiantin për trajtimin e ujërave të zeza. Restoranti i hotelit ofron kryesisht ushqim vendor.

Hotel Gracanica më staf multietnik

Ajo që e bënë të veçantë këtë hotel, krahas cilësisë dhe shërbimit zviceran, janë të punësuarit aty. Stafi është në përbërje e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
«Aktualisht kemi 13 punëtorë; 6 që vijnë nga komuniteti rom, 6 serbë dhe një punëtor me etni të përzier shqiptaro-serbe», thotë Wormser, duke shtuar se do të donte të këtë më shumë shqiptarë, por shumë pak prej tyre kanë aplikuar deri më tani. Sipas tij, Hotel «Graçanica» është një shembull i mirë i bashkëjetësës mes komuniteteve në Kosovë. Asnjëherë nuk ka pasur tensione me motive etnike si dhe klientët që e vizitojnë hotelin janë të te gjitha komuniteteve. «Megjithatë ballafaqohemi me paragjykime të vazhdueshme etnike prej njerëzve jashtë hotelit». Kosova ka një të kaluar të rëndë, por, sipas Wormser, e vetmja rrugë tek një e ardhme më e mirë është pajtimi. «Hotel Graçanica është synimi im, kështu dua të ndihmoj në këtë drejtim, brenda mundësive të mia».

Vështirësitë e të bërit biznes në Kosovë

Megjithatë për të arritur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Ndërtimi i hotelit në Kosovë ka qenë sfidë në vetvete. «Na mori 14 muaj kohë deri në marrjen e lejës për ndërtim», thotë Womser. Si rrjedhojë ka qenë e vështirë të arrihet kualiteti i synuar. Burokracia, korrupsioni dhe një system i drejtësisë i pamjaftueshëm janë pengesat kryesore për të bërë biznes në Kosovë. Por Wormser ende nuk i ka humbur krejtësisht shpresat. Thotë se, edhe pse shumë gjëra ende mungojnë, ka gjithashtu edhe mundësi. «Problemi ynë kryesor është se edhe pas tre vjet e gjysëm të operimit në Kosovë ende nuk kemi arritur ta bëjmë biznesin profitabil. Ka arsye të ndryshme për këtë, por njëra që është më kryesorja është se turizmi në përgjithësi ende është i dobët në Kosovë dhe nuk ka përpjekje të koordinuara që kjo të ndryshojë». Me shkallën e lartë të papunësisë që ka, Kosova padyshim «vuan» për investime të huaja. Dhe receta, sipas Wormser, për t’i joshur investitorët është e njohur tashmë: kryesorja është një luftë efektive kundër korrupsionit dhe funksionim më i mirë i gjyqësorit.