Hotel «Europa»

Duke e bashkuar Orientin dhe Europën e Mesme, ky hotel përmbledh si një prizëm rrezet e vagulla të asaj që përbën Sarajevën. E di që nuk mund të përshkruhet se ç’është «shpirti i Sarajevës» apo «identiteti i Sarajevës»; nuk mund të përshkruhet, sepse nuk mund të definohet, por mund të perceptohet estetikisht, pra përmes përvojës




Hoteli «Europa» është qendra teknike dhe semantike e qytetit të Sarajevës. Qendër teknike për shkak se gjendet mu në kufirin mes pjesës turke dhe austro-hungareze të qytetit, pra në qendër të asaj që në të vërtetë e përbën qytetin e Sarajevës, bazën e identitetit si një tog faktesh dhe karakteristikash, të cilat janë të ndërlidhura me Sarajevën. Sarajevë – janë pjesa turke dhe austro-hungareze e qytetit pikërisht në këtë tog raportesh cilësore dhe kuantitative, dhe gjithçka që, shikuar mekanikisht, e përbën përndryshe Sarajevën – janë thjesht ndërtimet. Hoteli «Europa» është qendra e qytetit të Sarajevës, sepse çfarë është ndërtuar pas Austrisë nuk është qytetit (si vend i identitetit), por një grumbullim ndërtimesh, përdorimi objektiv i të cilave assesi nuk e pezullon jopersonalitetin dhe anonimitetin e grumbullimit të tyre.

Hotel «Europa» bie më shumë në sy se qendra semantike e qytetit të Sarajevës. I ndërtuar, siç u tha, në skaj të pjesës turke, si shënim i kufirit mes kësaj dhe pjesës austriake të qytetit. Mirëpo, kur them «kufi», kjo përshkruan një vend, i cili njëkohësisht është brenda dhe jashtë, një vend, i cili i takon atij që kufizon dhe prapëseprapë është krejt ndryshe.

Në «Europa» takohen, preken dhe plotësohen dy epoka dhe dy fytyra të qytetit të Sarajevës, sepse «Europa» është kufiri mes tyre, pra vendi, i cili i takon edhe njërit, edhe tjetrit dhe njëkohësisht gjendet si jashtë njërit, ashtu edhe tjetrit.

Me «Europën» mbaron pjesa turke e qytetit. Me stilin pseudo-oriental të ndërtimit, me të cilin Austria në Sarajevë dëshironte të bëhej më familjare, «Europa» i takon kësaj pjese të qytetit ashtu sikur objekti dhe imazhi i shtrembëruar në një pasqyrë të thyer.  Ashtu siç i përkasin Bosnjës, ta zëmë, sevdalinkat (këngët e dashurisë, vër. e përkth.), të cilat janë kompozuar në Vjenë me vargje të poetëve gjermanë – dhe atje qëmoti janë harruar, por në Bosnjë pëlqehen ende. T’i takosh ashtu si na takon neve imazhi ynë në shikimin e tjetrit – një imazh, i cili në të njëjtën kohë dhe në mënyrë të njëjtë flet për të dhe për neve. «Europa» i takon edhe pjesës turke të qytetit edhe për shkak të imazheve naive sipas motiveve orientale dhe qilimave pseudo-oriental dhe për shkak se restoranti, ajo pjesa e hotelit ku hahet, është i rregulluar së brendshmi si një shtëpi boshnjake. Shkurt, «Europa» i takon pjesës turke të qytetit në të gjitha aspektet, në të cilat imazhi i natyrës sonë vërtet na takon neve në shikim të njeriut tjetër.

Me «Europën» fillon pjesa austriake e qytetit, të cilës i takon sipas emrit, sipas organizimit të brendshëm të mekanizmit të hotelit, sipas «prejardhjes» arkitektonike. «Europa» është hoteli i parë i Europës së Mesme në këtë pjesë të botës dhe pjesa më e pastër e «Europës së Mesme» në Sarajevë. Kur them «Europa e Mesme» mendoj në pasurinë e grupeve të vogla etnike, të cilat janë të mësuara të jetojnë në tolerancë, përzierje të ndërsjellë dhe ruajtjen e përshpirtshme të identitetit të huaj, sepse vetëm pranimi i këtij identiteti është konfirmim i identitetit vetjak; janë të mësuara të jetojnë ashtu siç bashkëjetojnë në hotelin «Europa» orientalizmi dhe Europa e Mesme. Kur them «Europa e Mesme», atëherë mendoj para së gjithash që kultura para së gjithash dhe më shumë se çdo gjë tjetër është formë e jetës, formësimi i qetë i ditës dhe ambientit jetësor dhe jo ndërtimi pretencioz i projekteve epokale dhe «sistemeve kozmike». Kur them «Europa e Mesme», unë mendoj edhe një raport jashtëzakonisht humoristik me vetveten dhe me botën, një raport, i cili krijon distancë me veten tënde dhe kështu mundëson tolerimin dhe respektimin e tjetrit.

Në këtë mënyrë dhe për shkak arsye hoteli «Europa» është qendra semantike e qytetit të Sarajevës. Duke e bashkuar Orientin dhe Europën e Mesme, ky hotel përmbledh si një prizëm rrezet e vagulla të asaj që përbën Sarajevën. E di që nuk mund të përshkruhet se ç’është «shpirti i Sarajevës» apo «identiteti i Sarajevës»; nuk mund të përshkruhet, sepse nuk mund të definohet, por mund të perceptohet estetikisht, pra përmes përvojës – ta zëmë kur shkon në hotel «Europa» nga shprehia për të ngrënë një copë tortë apo një akullore dhe këtë e bën jo për shkak të tortës (e cila, dorën në zemër, tjetërkund është shumë më e mirë), por për shkak të hotelit «Europa», në të cilin Sarajevën e përjeton me majën e gishtërinjve, e nuhat, e ndjen në diçka të tretë. E ndjen në vete si pjesë të vetvetes dhe, në fund, kështu edhe e kupton. Të njohësh Sarajevën domethënë të kesh shprehinë dhe nevojën të shkosh rregullisht në hotel «Europa».

Në fund të korrikut 1992 hotelit «Europa», në të cilin ishin të vendosura gra refugjate me fëmijët e tyre, iu vu zjarri nga predhat artilerike. Nga projektilët vijues u vranë pesë banorë të Sarajevës, të cilët po përpiqeshin t’i fiknin flakët dhe kështu të shpëtonin hotelin e tyre.

Nga gjermanishtja Enver ROBELLI

* Xhevad Karahasan është autor i njohur boshnjak. Ky tekst së pari është botuar në «Ditarin e shpërnguljes», një libër me kujtime nga Sarajeva, botuar në Wieser Verlag, Klagenfurt, Austri.