Homazh për trëndafilin



Po zvetënohet kapitali social. Njerëzit po tëhuajësohen nga njëri-tjetri. Ky është derti që e kanë shoqëritë perëndimore. Fëmijët në një moshë të caktuar emancipohen nga prindërit dhe pothuajse përshëndeten me ta përgjithmonë. Çereku i zviceranëve – raportonin këto ditë mediet – kanë nga më shumë se dy banesa. Nuk ka vizita të ndërsjella as me farefisin, në përgjithësi. Ata nganjëherë jetojnë për ditë dhe javë të tëra të ndarë edhe nga bashkëshortët. Kështu e do puna, karriera. Gjithsesi, të moshuarit në Perëndim nuk e kalojnë në vetmi perëndimin e jetës së tyre, por gjithnjë e më tepër në azile pleqsh. Infermierët janë një profesion shumë i kërkuar në tregun e shtrënguar të punës për emigrantët në shoqëritë perëndimore.

Problemi është më i thellë. Këto shprehi, nëse mund të quhen kështu, reflektojnë më gjerë: Në disa vende perëndimore është gjetur që fragmentimi social e ka një ndikim negativ edhe në besimin në politikë. Kjo i bie që sa më indiferentë që të jenë qytetarët ndaj njëri-tjetrit, aq më pak janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhje. Ndonëse prej vitesh në Perëndim vërehet edhe një dukuri që quhet transformim vlerash – arratisja nga ato materialiste dhe dedikimi atyre postmaterialiste. Qytetarët në këto vende i braktisin, për shembull, ambiciet për karrierë dhe u përkushtohen përpjekjeve për ambientin dhe të ngjashme.

T’i thuash një shqiptari që jeton në vendlindjen e tij se në një vend rritet numri i shtëpive, por zvogëlohet ai i miqve, ai e kap kokën me dorë. Aq më tepër këto ditë – në dalldinë e festës së Bajramit, në fushatën e vizitave të farefisit. Këtë ditë ai lahet e rruhet, vesh petkat më të reja, mbush xhepat me cigare, ngjeshë kuletën me monedha për fëmijët e fisit dhe uron të njohur e të panjohur në rrugë, që zakonisht nuk do t’i përshëndeste kurrë, paçka se gjuha e tyre u dhuron një ndër shprehjet më të bukura në botë për këtë: «Tungjatjeta!». Ndërkohë që, së paku në Zvicër, pavarësisht të tjerave, në rrugë të përshëndet i njohur e i panjohur, i ri e i moshuar, zonjë a zotëri.

Mjerisht, në këtë mes identifikohet një farsë. Një vështrim i përkorë për vite me radhë i zhvillimeve në ambientin tim më sugjeron që tradita e solidaritetit dhe riti i festës ka lëvizur nga thelbi i tij. Shtatë ditë i ka Bajrami i Vogël, ndërsa të gjithë ata që njoh vizitat e fisit i kanë kryer në një ditë e gjysmë. Kjo është e pamundur, sepse sikur të takoje vetëm njërin nga pleqtë e fisit, rrëfimi i tyre plot detaje do të të lidhte me orë për froni. Dy janë shpjegimet: ose vizitat nuk kapin një rreze më të largët se brezi i parë i fisit, ose ato bëhen në mungesë të respekti për tjetrin, duke pirë një gotë ‹cola cola› në këmbë dhe «mirëmbetsh!».

Në jetën e përditshme kemi patjetër rast për t’iu kthyer fisit dhe miqve, sidomos për ndonjë nder. Atëherë ata i gjejmë ku janë, e ku nuk janë. Për ta dëgjuar hallin që kemi, ua shtrojmë edhe një drekë. Sigurisht në restorant, e jo në shtëpi. Magjia e kapitalit social sot në shoqërinë shqiptare shpërfaqet në trajtën e saj më të shëmtuar. Ai e ngufat barazinë e shanseve, postulon Pierre Bourdieu. Është ai i cili shpeshherë i falsifikon konkurset, sepse «gjaku nuk bëhet ujë». Te ne është kapitali social që e mban gjallë edhe participimin politik. Votimi kolektiv është një ndër format e deformimit të procesit elektoral që e raportojnë vazhdimisht vëzhguesit e zgjedhjeve.

Edhe në shoqërinë shqiptare shihet një transformim vlerash – qasja e idealeve jomaterialiste. I tillë mund të konsiderohet emigracioni nga përditshmëria e hidhur drejt përkushtimit për fenë. Ajo është shndërruar në azilin e të zhgënjyerve nga politika, që shpjegimin për mjerimin social dhe moral e gjejnë në fe. Fenomeni shfaqet te tespihet në retrovizorët e veturave, ilahiet në radiot e tyre, goblenët me stilizime të sureve të Kuranit në muret e shtëpive, në vetminë e Kuranit në vitrinën e serviseve të filxhanëve dhe gotave, në angazhimin me postime misionare në rrjetet sociale, në afirmimin e vuajtjeve të palestinezëve… A thua se nuk ka myslimanë të tjerë që vuajnë. A thua se vetëm myslimanët vuajnë. Farsë!

Në kujtesën time, para tri dekadash, nuk kishte kaq ikonografi nëpër shtëpitë e njerëzve tanë. Por, atëherë nuk të qerasnin me ‹cola cola›. Specialiteti i amvisërive për mysafirët e Bajramit ishte shurupi i trëndafilit! Ai nuk blihej nga industrialistët, atë e përgatitnin me marifet gratë fisnike nga trëndafilat që rritnin nëpër oborrin e shtëpive. Prandaj, ishte një hyzmet i shtrenjtë, sepse shërbehej përzemërsisht me gotat që pinin vetë nikoqirët dhe fëmijët e tyre. Mikpritje që të ndjellë përsëri… Ajo pije ishte poezi. Simbol i oksidentit dhe orientit. Urim për paqen. Dua. Tamam «Selam!». Aroma e trëndafilave e mbushte gjithë lagjen, e mbushte ajrin që thithnim, vetë kohën. Kohën kur kishte më pak «besim», por më shumë besë. Më pak xhami, por edhe më pak mjerim. Ai sot do të ishte një mesazh për mikpritjen, për ambientin – një protestë simbolike kundër Obiliqit, Jugohromit, dhunës. Të rrëmben malli për një Bajram të mirëfilltë, që kujtohesh me nostalgji në gjithë ato rrëfime nga njerëzit që i takon rrallë. Fisnikëri me trëndafil.