Homazh për mërgimtarin



Kur u vendosën fotografitë e kandidatëve për zgjedhjet në Maqedoni nëpër pllakate, portreti 9 me 13 centimetra i Qahilit nëntëvjeçar i mbushi 66 vjet në një raft të dhomës së ndenjës.

Kjo fotografi më ka intriguar qysh si fëmijë. Sidomos për faktin se dajat e tjerë, më të rinj se ai në moshë, nuk e kanë një të tillë. Akush nga rrethi im në moshë mbi 45 vjeç nuk ka fotografi nga koha si fëmi! Qahili i vogël, që pas disa orësh do të bëhej burrë, qëndron plot vetëbesim para aparatit fotografik. Por, sytë e tij të gjelbër shtrojnë qindra pyetje.

«Syri i zi bën njëmijë, syri shkrum s’ka t’pagum», kishte thënë daja i tij i urtë. Por, gjyshja kishte tjetër hall. Ata kishin vendosur që djalin e madh, atëherë fëmijë, ta nisnin në mërgim. Fillimisht do të shkonte në kooperativa bujqësore, dikund thellë në Maqedoni. Gjyshja kishte porositur t’ia bënin një fotografi që ta kishte për kujtim të tijin. Guximi i saj shkonte deri në kufijtë e blasfemisë, ‹syreti› aso kohe shihej si një vepër e djallit.

Gjyshja ma ka rrëfyer disa herë këtë histori. E kishte përcjellë Qahilin një mëngjes dimri. Duke qenë më i vogli nga të gjithë katundarët që ishin nisur bashkë, ai ishte zhdukur i pari në horizontin e borës te gryka e hyrjes në katund. Nga ajo kohë, gjyshja ishte çmallur me portretin e tij në mur.

Dikur atë e vendosën mbi televizor. Të tjerët, përfshirë ata që dyndeshin për t’u argëtuar me ndonjë film nga Xhuliano Xhema, Çarli Çaplini, apo duelet me Muhamed Alinë, shihnin spektaklin, gjyshja shtjellonte në imagjinatë shiritin e kujtimeve me të. Dhe ato ishin të pakta e të dhimbshme.

Pas shërbimit për disa vite në kooperativë, ai migroi si fuqi krahu në Beograd. Më pas mërgoi në Gjermani, ku punoi 30 vjet me radhë. Qahili u bë baba për vëllezërit e motrat dhe vëlla për miqtë. Ai nuk arriti t’ia jepte gjyshes përshëndetjen e fundit. Atë ditë nuk kishte një avion të uruar ta dërgonte në varrimin e asaj.

Mërgimi është i vetmi fenomen shqiptar, të cilit nuk i dihet vetëm e kaluara, por edhe e ardhmja. Përpara Qahilit, daja i tij në fillim të shekullit kishte kaluar disa vite në Bukuresht. Tani në mërgim janë nipërit e tij.

Për dallim nga gjeneratat e mëhershme, brezi i ri është i orientuar nga Italia dhe, së fundmi, nga Lindja. Ata kontrollojnë për çdo ditë, si personazhë të Migjenit, nëse u ka dalë emri në listat e kompanisë Ecolog për një shërbim në Irak, Afganistan, Haiti, Libi e gjetiu.

Historia e re e emigracionit është po aq e dhembshme sa ajo e moçmja. Mërgimtarët e lënë jetën nëpër gërmadha aksidentesh trafiku, duke mos mbërritur kurrë në vendin e premtuar. Më shpesh akoma rrugës për në shtëpi, nganjëherë mu afër saj. Avioni i tyre njëherë nuk arriti të ngjitej në qiell. Njëherë tjetër ai nuk mbërriti të ulej në tokë. Ndërsa anijet e refugjatëve nganjëherë më parë arrinin fundin e detit se bregun e shpëtimit. Para ca vitesh, disa të rinj shqiptarë e humbën jetën në rezervuarin e një kamioni, duke dashur të kalonin ilegalisht në Itali. Tre punëtorë shqiptarë u vranë në një pritë të talebanëve në Afganistan. Dy të tjerë mundën të liroheshin nga pengmarrësit në Irak, siç thuhet, falë një pagese të lartë nga firma kontraktuese që u përmend më sipër. Një shqiptar tjetër e humbi jetën në një shpërthim në Bagdad.

Fotografitë e tyre janë skalitur në gurët e varreve. Ndërkaq po bëhen gati njëzetepesë vjet nga rilindja e mërgimit në Shqipëri, me hyrjen nëpër ambasada në Tiranë. Ky moment shënon zbulimin e botës pas një përgjërimi gjysmëshekullor në izolim. A thua, përse i vajtonin nënat me aq trishtim pas kangjellave të ambasadave dhe rrugëve të qytetit këta emigrantë që e kishin shansin të parët ta shihnin Perëndimin?

Këta njerëz, megjithatë, nuk janë bërë për t’u sakrifikuar, sikur i trajtojnë ata që e kanë mbushur vendin me fotografitë e tyre. Ata janë persona me identitet, të lidhur fort në një rrjet social, fati i të cilëve është një mal me dhimbje për njerëzit e tyre.

Qahili prej rreth dhjetë vjetësh ishte në pension. Një ditë, para se të mbaheshin zgjedhjet, i trokiti vdekja në zemër. Në agoni e bëri shpejt një bilanc: djemtë dhe vajzat, vëllezërit e motrat – rehat, tepihët e xhamisë për shpirt të nënës – u lanë, hallallin njerëzve – gjithmonë, drutë për dimër… Dhe, për pak kohë iu dorëzua urdhrit të saj. Në varrimin e tij morën pjesë më shumë njerëz se në tubimet e kandidatëve për president të Maqedonisë.