Homazh emigrantëve të parë shqiptarë

Shënim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve. Veteranë të emigracionit shqiptar në Zvicër vijnë në vetën e parë për idenë e mërgimit, punën, gjuhën e huaj, përditshmërinë, pengjet, shëndetin, vendlindjen, dilemat, fundin...



N. është mërgimtar i viteve të ’60-ta. «Në Kosovë mbretëronte papunësi e madhe. Njëmbëdhjetë vjet kam punuar në ndërtimtari në Shkup. Pastaj e gjeta një punë në një vend më të afërt, i cili ishte vetëm 25 kilometra larg nga shtëpia ime. Rrugën për në punë e bëja me biçikletë. 50 kilometra në ditë. Një ditë u shpall që kërkoheshin njerëz për punë në Gjermani. U lajmërova, por ndalova në Zvicër». Kështu e përshkruan ai fillimin e karrierës së tij prej emigranti për një studim që kemi kryer me shqiptarët e moshuar në Zvicër.

«Pas rehabilitimit nga operacioni, duhej të kërkoja një vend pune. Unë e kisha një aksident. Me këtë rast u zbulua që vuaja nga një tumor i eshtrave. Si anestezisti, ashtu edhe këshilltarja e entit të punës më qortonin pse nuk e kam mësuar gjuhën e vendit», rrëfen një mërgimtar i orëve të para, K. «Si mund ta mësoja gjermanishten?», pyet Xh. «Unë kam punuar për 19 vjet në një vinç. Personi i vetëm, me të cilin kisha kontakt ishte brigadieri, të cilit i përgjigjesha dhe ai ishte vëllai im». Kurse V., raportin e tij me gjuhën e përshkruan aq natyrshëm sa nuk shkon më: «Unë nuk di të flas gjermanisht sipas rregullave të gramatikës. Me shkrim qëndroj edhe më keq. Kur kërkon dikush ndonjë gjë nga unë, merremi vesh si është më së miri. Kur mua më duhet diçka nga tjetri, atëherë ngatërrohet krejt puna».

Rrëfimet e mërgimtarëve të parë nuk kanë të mbaruar. I njëjti qëndrimin dhe punën e tij në Zvicër e përshkruan me këto fjalë: «Nga 1984-ta deri para dy vjetësh kam punuar në të njëjtën firmë, në ndërtimin e urave. Më duket se i kam bërë të gjitha urat në Zvicër. Në të vërtetë, ne e kemi bërë vetëm instalimin me letër të zezë. Ne ishim gjithandej në aksion nëpër Zvicër. Kur dola në pension, i kisha 250 orë të tepërta pune dhe 40 ditë pushim të pashfrytëzuar».

Përditshmëria e mërgimtarëve të moshuar, jo vetëm në Zvicër, mund të duket si ajo e J.: «Kur bëjmë pazar, unë jam përgjegjës për artikujt ushqimorë, kurse gruaja ime për veshmbathjen. Gjithmonë së pari e kontrolloj se cilët artikuj kanë zbritje çmimi. Nuk guxoj të mbaj pesha të rënda, por ne nuk kemi veturë. Dyqani është vetëm disa qindra metra larg. Nganjëherë blejmë në një dyqan me produkte nga vendlindja. Unë udhëtoj përherë në këmbë ose me transport publik. Aty mjerisht nuk ka gjithmonë konsideratë për pleqtë. Unë u bëj gjithmonë vend të moshuarve në autobus, tramvaj a tren. Shumë të rinj nuk e bëjnë këtë. Kjo është një ndër gjërat që në vendet tona funksionon më mirë se në Zvicër. Shpesh bëj ekskursione ditore me nipat dhe mbesat e mia. Në këto momente gëzohem njëlloj si fëmijët. Në fëmijërinë time nuk mund të përjetoja kënaqësi të tilla. Para se t’i dorëzohem gjumit, bashkë me gruan e shikojmë televizorin. Në këso momentesh arratisem me mendime diku tjetër. Kujtimet më shpijnë gjithnjë në fëmijëri, edhe atë në momentet e vështira të jetës sime. Asnjëherë nuk fle para orës një të natës. Shpesh shoh në ëndërr si më përndjek policia serbe, më burgos dhe më ekzekuton. Kur zgjohem, e dua jetën aq më shumë».

V. ka qenë gjithmonë fjalëpak dhe punëshumë. Ai e kishte edhe një pasion: këngën shqipe. Si çoban në vendlindjen e tij mbante koncerte me zogjtë e maleve dhe me këngën e tij e me sharkinë e mbaruar vetë i mallëngjente edhe lisat. E bënte behar në acar. Mirëpo, karriera e tij prej artisti jo vetëm u pre që në rrëzë, por meraku i tij për zemër u ndrydh në zemër. Në Zvicër «nuk mund të këndoja më lirshëm me çifteli si në rini. Nuk e bëj as tani si pensionist. Unë gjithë kohën kam banuar me fqinj të tjerë. Njerëzit në Zvicër kanë shije tjetër dhe shprehi të tjera».

Kush nuk e di atë thënien legjendare të shkrimtarit të shquar zviceran, Max Frisch: «Ne thërritëm krah pune dhe erdhën njerëz»? Ai sikur për këtë është frymëzuar nga një emigrant shqiptar: «Unë doja të qëndroja dy vjet në Zvicër, por u bë një jetë e tërë». Kështu shprehet R. për të njëjtin studim, të zhvilluar në vitin 2014. Dhe baca P. e kujton akoma: «Çdo vit, ama vërtet çdo vit, thoja se ky do të ishte i fundit që vij në Zvicër. Prandaj më janë dashur dhjetë sezona deri sa i rregullova letrat. Nuk mund të prisja sa të kalonin ato nëntë muajt, e lija gjimonë më herët.»

Jetëshrimi i K. nuk përshkruhet me fjalë. Ai lindi në një familje të madhe e të varfër kosovare, që jetonte në një shtëpi të vogël. Sa më shumë që ai rritej, aq më tepër zvogëlohej shtëpia. Gjithçka bëhej më e vogël, vetëm varfëria rritej. K. ka jetuar 40 vjet pa familjen e tij në Zvicër. Këtu e ka vetëm një dhomë, e cila është më e vogël se shtëpia e fëmijërisë në Kosovë, por kjo tani i duket e madhe! Ajo e tillë kishte qenë gjithmonë, por ai nuk e ka parë. Sepse jeta e tij përbëhej vetëm nga puna e rëndë dhe gjumi i lehtë. Ai tani është në pension dhe nuk mund të të kthehet te njerëzit e tij në vendin e lindjes, sepse atje nuk e merr pensionin e Zvicrës. Pas gjashtë vjetësh pezullimi Zvicra së fundmi i ka filluar negociatat për Marrëveshjen e re të Sigurimeve Shoqërore me Kosovën; përfundimi i tyre nuk duket në horizont. K. proteston: «Dëshiroj më në fund njëherë të jetoj me familjen time».

Edhe S., me të cilin kemi biseduar njëherë, ka mbi 40 vjet pa familjen e tij në Zvicër. Ai del ditë përditë para banesës së tij në shoqërinë e dy shisheve ujë mineral dhe shikon veturat që kalojnë në aksin kryesor të rrugës. Ishin mu veturat e bukura të kurbetçinjve nga fshati i tij që e joshën bujkun e ri në Perëndim. Kështu u rrokullis jeta e tij në mërgim, dy-tre vjet në Gjermani dhe 37 të tjera në Zvicër. Një veturë nuk e pati kurrë, gjithë kohën punoi si shofer kamioni. Së fundmi, për arsye shëndetësore, ai e humbi edhe patentëshoferin. S. ka shumë mall: Sa më e madhe bëhet familja ne Kosovë, aq më i vetmuar ndihet ai në Zvicër. Por, pas pensionimit ai ka deklaruar se nuk do ta lëshojë Zvicrën, sepse nganjëherë i duhet ta thërrasë ambulancën dy herë brenda natës dhe nuk e ka vajzën mjeke si K…

N., një plak mendjehapur, i cili kishte qenë edhe kampion shahu në një klub profesional në Zvicër, sikur lë për protokoll: «Momentalisht jam mirë me shëndet. Nuk kam vështirësi. Uroj të vdes pa dhimbje të mëdha. Bijtë e mi dhe nuset e tyre do të kujdeseshin për mua, por në një azil pleqsh këtë e bëjnë më mirë. Gruaja ime vitet e fundit të jetës duhej t’i kalonte në një azil shumë të kualifikuar. Aty janë kujdesur shumë mirë për të. Azili kishte vetëm 20 shtretër. Unë mund ta rregulloja që të sistemohesha aty. Dhe, uroj të vdes në shtratin e gruas sime. Kam dëgjuar se në Gjenevë ka një varrezë myslimane. Sido që të jetë: Unë dëshiroj të varrosem në Kosovë».