Historitë njerëzore

Czesław Miłosz. Foto: Judyta Papp.



Këto janë histori njerëzore patetike te përvajshme
Të cilat askurrë nuk do t’i rrëfej
Thellë mendohem
Se çfarë më përmbajti.
Ndoshta mirëkuptimi
Se të gjithëve na përshtatet një deformim i sigurt
Me kujdes e fshehur
Se zbulimi i saj një takt i pamatur
Si të treguarit me gisht të gungaçit
Derisa tashmë jam
Një magjistar që të bëj ritualet e mia
Ca më lart e jo më poshtë se njeriu
Sikur të mundja të jem një kor
Në teatrin antik
Që të luaj me rroba të skalitura në gur
Që të vajtoj mbi grackat e Fatit
Po historitë e mia nuk do të ishin monumentale
Veçse çarçafë të rrudhosur betime të shkelura
Gënjeshtra të vogla prezervativë të përdorur
Dhe fjalë ndërmjet asaj dhe atij
Dhe fjalë që lëndojnë
që ai tjetri të ndihej si një leckë e shkelur në tokë
I goditur i prekur thellë në dinjitetin më intim
Komprometimi i vendimeve fisnike
Përqeshja e përfytyrimeve më të madhërishme
Për vetveten
Jeta e tyre si dallga kur akumulohet dhe
Spërkatet për brigje
O Zot i madhërishëm
Mos i lerë ata në humnerë
Pa Purgator dhe Ferr
Në labirinte të gabuara
Vëre në buzët e mia lutjen
Që desha t’i përshkruaj
Dhe nuk i përshkrova

Nga gjuha polake përktheu:
Mazllum SANEJA

Shënim biografik

Czesław Miłosz (Çesllav Millosh) u lind më 1911 në Shetejnjama (Lituania e sotme). Pas mbarimit të liceut në vendlindje, ai më parë studioi gjuhën dhe letërsinë polake në një nga Universitetet më të lashta në këtë pjesë të Evropës, në Vilniusin që dikur i takonte Polonisë. Ndërkohë, studioi dhe kreu Fakultetin Juridik në Universitetin e lashtë të Vilniusit «Stefan Batori». Kohën e pushtimit e kaloi në Varshavë, ku mori pjesë në Lëvizjen e Rezistencës. Në vitet 1934-1935 qëndroi në Paris si bursist shkencor. Në vitet 1945-1951 punoi në përfaqësitë diplomatike  në SHBA dhe Francë. Që nga viti 1960 vendoset përgjithnjë në SHBA, ku do të  ligjërojë si profesor i gjuhëve dhe letërsive sllave në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe në Universitetin e Harvardit.

Czesław Miłosz është laureat i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare në fushën e letërsisë në SHBA dhe Europë. Më 1980 ai nderohet me Çmimin Nobel në fushën e letërsisë si dhe do të marrë titullin si një ndër humanistët më të drejtë të popujve të botës. Në vitet e fundit të jetës jetoi në Krakov të Polonisë, dhe vdiq  në moshën 93 vjeçare, më 14 gusht 2004, po në Krakov. Ndërkaq, opusi i veprimtarisë letrare të Çesllav Milloshit është i gjerë dhe i shumëllojshëm, që nga poezia, novela, romani e deri te kritika, eseja dhe trajtesa e ndryshme në fushën e historisë së letërsisë, jo vetëm polake po edhe botërore. Poet, prozator, eseist, historian i letërsisë dhe përkthyes brilant i letërsisë polake, angleze, lituane, hebraike, greke, japoneze etj., Çesllav Millosh është një figurë shumëdimensionale dhe poliedrike në letërsinë botërore, i cili në veprat e veta zbuloi bukuritë dhe shëmtitë e

realitetit  të shoqërisë njerëzore në botë, të mirat dhe të këqijat e asaj shoqërie, përshkruar me gjuhën e fuqishme të ironisë dhe të sarkazmit, të farsës dhe groteskes. Ky shkrimtar erudit  dhe produktiv shkroi dhe botoi më se 60 libra të botuara në shumë gjuhë të botës, me të cilave përmendim: «Tre dimra», «Shpëtimi», «Traktati moral», «Mendja e robëruar», «Pushtimi i pushtetit», «Drita e ditës», «Lugina e Isit», «Traktati poetik», «Vendlindja e Europës», «Kontinentet», «Mbreti Popel dhe poezi tjera», «Guci i magjepsur», «Vështrimi mbi gjirin e San Franciskos», «Qyteti pa emër», «Toka Ulro», «Himni për perlën», «Kronika», «Duke filluar nga rrugët e mia», «Historia e letërsisë polake», «Jeta në ishuj», «Orfeu dhe Euridika», «Mbi udhëtimet në kohë», «Poezitë e fundit» etj, etj.
(M.S.)