Historiania e njohur serbe: Këto elita politike në Ballkan nuk duan shtete funksionale, por vetëm para nga BE

Qëllimi i elitave politike në Ballkan është që shoqëritë të mbesin të pazhvilluara dhe të mos ndryshohet asgjë, mendon historiania e njohur serbe Dubravka Stojanoviq. Synimi elitave është t’i mbajnë shoqëritë në një gjendje paramoderne dhe gjysmë-analfabete.

«Ata kanë një refuzim të brendshëm ndaj Europës, ata i frikësohen Europës, kanë kompleksin e vlerës së ulët, nuk dinë si të sillen, ata kanë një raport klaustrofobik ndaj Europës, në të cilin mbështetet shumica e sistemeve tona politike që ndërrohen këtu»: Historiania Dubravka Stojanoviq mbi votuesit e Aleksandar Vuçiqit.



Në një intervistë dhënë agjencisë së lajmeve Fonet, Dubravka Stojanoviq, deklaroi se qëllimi i elitave politike në Ballkan është që «ne kurrë të mos bëhemi shtete ku sundon ligji, që kurrë të mos bëhemi shoqëri demokratike pluraliste, që kurrë të mos hyjmë në ekonominë liberale». Stojanoviq tha se që nga shekulli i ’19 ky ka qenë qëllimi i elitës serbe, por, sipas saj, po shihet se një synim të tillë e kanë edhe elitat tjera politike në Ballkan.

Stojanoviq, profesoreshë në Universitetin e Beogradit, tha se nacionalistët në pushtet në Ballkan nuk janë të interesuar të zgjidhin problemet. «Dëgjojmë se po bëjnë potere (Ivica) Daçiqi, Kolinda (Grabar Kitarovi q)… që diçka tjetër të mos shihet. Jo, këto për ta janë çështjet e vërteta, ky është programi i tyre dhe kjo është bërthama e politikave të tyre, ata nuk dinë gjë tjetër dhe nuk duan gjë tjetër». Stojanoviq tha se elitave aktuale në Ballkan do t’u konvenonte madje edhe sikur të shpërthente sërish lufta. Të gjithë, sipas historianes, po bëjnë gara për tensionim të situatës. «Kështu qeveriset në këto vende dhe duhet të themi se deri më tani është qeverisur me sukses». Sipas saj pushteti i përjetshëm i elitave të biznesit, të kishës, të intelektualëve, të elitave të ndryshme, të cilat qëndrojnë pas elitave politike është synim i përhershëm. Këto elita kanë interes që të mos ndryshojë asgjë, sepse nëse ndryshon, të gjithë do të shkojnë me këto ndryshime, shtoi Stojanoviq.

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Historiania e njohur serbe tha se qëllimi i elitave politike është t’i mbajnë shoqëritë në një gjendje paramoderne dhe gjysmë-analfabete. «Vetëm në këtë gjendje mund të keni shtet partiak, pushtet partiak dhe shoqëri tërësisht të kontrolluara, nga mediat deri te rrjedhat financiare». Kjo është e mundshme përmes krijimit të pandërprerë të krizave të reja pas së cilave qëndrojnë interesa serioze shoqëroro-politike dhe ekonomike. Stojanoviq tha se krizat e kontrolluara janë shumë të rrezikshme, sepse mund të shndërrohen në konflikt.

Në pyetjen se përse lufta dhe interpretimi i luftërave sot janë temë e përhershme, Stojanoviq tha se kësisoj homogjenizohen emocionet dhe nuk lejohet mundësia e pluralizmit dhe demokracisë. «Nëse pandërprerë kërcënoni me luftë, atëherë kërkesa për liri të mediave shndërrohet në kërkesë komike, në një situatë kur lufta është para nisjes. Stojanoviq tha se elektorati i presidentit serb Aleksandar Vuçiq i frikësohet Europës. «Vuçiq e di shumë mirë se elektorati i tij në të vërtetë është elektorati i dikurshëm i Partisë Radikale, se për të nuk kanë votuar kurrfarë qytetarësh vërtet proeuropianë me orientim liberal dhe demokratik, por për të votojnë ish-votuesit e tij dhe ai s’mund t’i nevrikos ata. Stojanoviq është e bindur se politikisht Vuçiqit më shumë do t’i shkonte për shtati që sa i përket vlerave të orientohet nga Vojislav Shesheli se sa nga Bashkimi Europian, sepse në thelb për votuesit e tij integrimet europiane nuk kanë kurrfarë rëndësie. «Ata kanë një refuzim të brendshëm ndaj Europës, ata i frikësohen Europës, kanë kompleksin e vlerës së ulët, nuk dinë si të sillen, ata kanë një raport klaustrofobik ndaj Europës, në të cilin mbështetet shumica e sistemeve tona politike që ndërrohen këtu».

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Stojanoviq deklaroi se në Serbi asnjëherë nuk është shtruar pyetja se çka ka kërkuar Serbia në luftërat e viteve ’90, përse kanë ndodhur ato. «Nuk është shtruar pyetja e programit që e kanë futur Serbinë në luftërat e viteve ’90, andaj meqë ajo pyetje s’është bërë, ne ende jetojmë me atë program, rrjedhimisht jetojmë edhe me ekzekutorët e atij programi, sepse ata kriminelë lufte nuk kanë qenë një aksident, ata ishin thelbi i asaj lufte».

Stojanoviq shtoi se «nga territoret tona janë dëbuar kroatët dhe shqiptarët, por nuk shqyrtohet pyetja se si ndodhi situata kur ju duhet ta shfarosni tjetrin, ta mënjanoni, shpërngulni, vrisni dhe ta zhvendosni në varreza masive sekondare dhe terciare». Sipas historianes serbe njerëzit që po largohen nga Serbia dhe Bosnja këtë po e bëjnë sepse kanë hequr dorë nga këto shoqëri, kanë humbur çdo shpresë se këto shtete dhe shoqëri mund të ofrojnë një koncept të ardhmërisë. Këto elita politike në Ballkan nuk duan shtete funksionale, por vetëm para nga BE, tha Stojanoviq. Sipas saj vetëm Sllovenia ka ndryshuar dhe duket se edhe Maqedonia po ndryshon. Në vendet e tjera të Ballkanit elitat duan vetëm fondet e BE-së, mendon historiania nga Beogradi. (dp)