Historiania e njohur serbe Dubravka Stojanoviq mbi situatën absurde në Serbi: «Po i presim rusët dhe po i gëzohemi Luftës së Tretë Botërore»

Në Serbi dhe në vendet përreth në pushtet janë ato elita që kanë shkaktuar luftërat, andaj është interes jetik i tyre që të harrohet përgjegjësia e palës serbe dhe e tyre personalisht. - Historiania e njohur serbe Dubravka Stojanoviq flet për elitat në pushtet, konfliktin e ngrirë të Kosovës dhe rreziqet e përleshjeve të reja.

Dubravka Stojanoviq.



Dubravka Stojanoviq është një historiane e njohur nga Beogradi, e cila nuk ngurron t’ia thotë shoqërisë serbe të vërtetat e pakëndshme, ato të vërtetat që shumica refuzon t’i dëgjojë, sepse turbullojnë bindjen e jo pak serbëve se ata gjatë konflikteve të përgjakshme në Ballkan në vitet ’90 kanë qenë vetëm viktima.

Stojanoviq thotë: «Nuk di të parashikojë ardhmërinë, por përpiqem të kuptojë si duket e tashmja jonë sipas modelit të së kaluarës, i cili dominon. Nëse, ta zëmë, i analizoni librat e historisë që përdoren në shkolla, në to kryesisht gjeni intepretimin identik të shkaqeve dhe rrjedhës së luftërave të viteve ’90 siç e kemi pasur edhe në kohën kur luftërat zhvilloheshin. Nëse pas gjithë këtyre nuk arrini të ndryshoni aspak këndvështrimin ndaj vetes dhe të së kaluarës suaj, atëherë nuk mund të bëni një hap drejt ardhmërisë».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Në një intervistë për gazetën liberale serbe «Danas», Dubravka Stojanoviq thotë se kohëve të fundit po forcohet narracioni për serbët si viktima – dhe ky narracion është furnizues ideal me energji i çdo nacionalizimi dhe i çdo konflikti të ri. «Ky vetë-viktimizim është gjëja më e gabueshme që mund t’ia bëjmë vetes, sepse ajo është sikur kur varrosni veten të gjallë, groposeni në imazhin e rrejshëm dhe jetoni jetën e rrejshme. Për këtë shkak nuk mund të ecim përpara», deklaroi Stojanoviq.

Historiania nga Beogradi theksoi se në opinionin serb para së gjithash po flitet për bombardimet e NATO-s, duke u përpjekur kështu për të dëshmuar se kjo pjesë e luftës ka dominuar çdo gjë që ka ndodhur më herët. Në Serbi, sipas Stojanoviq, po dominon imazhi i serbëve si viktima të pafajshme. Këtu hyn edhe kujtimi i aksionit «Oluja» (Stuhia) të ushtrisë kroate, me ç’rast u dëbuan mijëra serbë nga Krajina e Kroacisë, por, shton Stojanoviq, në Serbi nuk shtrohet pyetja se si ndodhi që Knini të bëhet qytet serb dhe përse nga Knini dhe vendbanimet e tjera të Krajinës u dëbuan kroatët në fazat e mëhershme të luftës. «Ne qe 20 vjet sillemi në qark dhe nuk duam të ndryshojmë asgjë. Andaj është e logjikshme që nuk ka përparim. Askund».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Në pyetjen se si i analizon deklaratat e presidentit të Serbisë, i cili për veriun e Kosovës flet si të ishte pjesë fizike e Serbisë, Stojanoviq përgjigjet: «Që nga koha kur Millosheviqi e shpalli fitoren kundër NATO-s deri te deklaratat e tilla (si kjo e presidentit serb, v.j.), në fuqi është fantazia e pabesueshme, ndonëse të gjithë nga përvojat elementare e dinë se, sa për fillim, në Kosovë as nuk mund të shkoni. Por, politikanët në pushtet nuk kanë fare problem të flasin gjepura të tilla për aq kohë sa shoqëria nuk reagon ndaj gati asgjëje. Pra, ne kemi si një betim për heshtje. Thua se ende është në fuqi ajo fjalia nga lufta në Slloveni – ata bëjnë sikur po shkëputen, ne bëjmë sikur nuk i lejojmë. Po ne qe 27 vjet jetojmë në këtë gjendje ‘sikur’! Kjo është disfata jonë më e madhe».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Cili mund të jetë komprimisi për Kosovën për të cilin po flitet aq shumë? Ndarja është përjashtuar, apo një gjë e tillë faktikisht do të bëhet e mundur nëse veriu i Kosovës merr statusin e një Republike Serbe, siç ekziston në Bosnjë-Hercegovinë? Dubravka Stojanoviq thotë se qëndrimet e palës serbe ndaj Kosovës janë pasqyrim i gjendjes së ngrirë. Thuhet: «Ta mbajmë të ngrirë veriun, të presim nuk di çfarë… Rusët? Po kjo domethënë Luftë e Tretë Botërore, të cilës ne, domethënë, i gëzohemi si atëherë kur u godit ambasada kineze dhe të gjithë të lumturuar flisnin se sërish për shkak tonin do të shpërthejë një luftë botërore. Çka të thuhet për këtë? Në gjithë këtë nuk është e ngrirë Kosova, por vetë Serbia. Kosova ecën rrugës së saj, ndërsa strategët tanë edhe më tutje hedhin zarin dhe tërheqin figura plastike».

Stojanoviq përmend si shembull konfilktin e ngrirë të Maqedonisë, i cili zgjati 25 vjet. Ajo thotë se këto 25 vjet janë «të miat dhe tuajat». Kështu, sipas saj, sillet edhe Serbia ndaj Kosovës. «Ju hidhni vite, dekada, njerëz, tru, ekspertë… gjithçka për shkak të një fiksioni të paqëndrueshëm. Me fjalë të tjera nuk jetoni në të tashmen, por në të kaluarën të cilës duhet hakmarrë edhe në të ardhmen dhe në të cilën kjo, siç thuhet, do të ndodhë. Është tragjike kur një shoqëri e vë veten në këtë pozitë».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIAT E TJERA

Stojanoviq është e bindur se në Serbi aksush nuk e dëshiron normalizimin e raporteve me Kosovën. «Kush bëhet merak për këtë? Elitat politike? Për zotin jo, ato jetojnë nga konfliktet. Elitat intelektuale, kishtare? Aspak – pjesë të rëndësishme të atyre elitave jetojnë nga urrejtja, pa të ato do të ishin minore si veprat e tyre. Të ashtuquajtuarat elita ekonomike? Shumica e tyre të ashtuquajturin milion të parë e kanë fituar në luftë».