Historiani kroat Tvërtko Jakovina: Rreth nesh vetëm gënjeshtra dhe urrejtje, kurse plagët kullojnë pandërprerë

Profesor Tvërtko Jakovina, shef i Departamentit të Historisë në Universitetin e Zagrebit dhe, sipas shumë vëzhguesve, historiani kryesor kroat i kohës moderne, në një intervistë për portalin boshnjak «Buka» flet për marrëdhëniet e rrënuara ndërnacionale dhe ndërshtetërore në rajon, për tensionet gjithnjë e më të pranishme në Bosnjë-Hercegovinë, për rritjen e nacionalizmit dhe të revizionizmit, si dhe për lëvizjet e përgjithshme radikale fashiste nga Lufta e Dytë Botërore.

Profesor Tvërtko Jakovina, shef i Departamentit të Historisë në Universitetin e Zagrebit.

Zoti Jakovina, kohët e fundit është bërë e dhimbshme të shihet se çfarë po ndodh në Bosnjë-Hercegovinë, në Kroaci dhe në Serbi? Që nga paslufta, marrëdhëniet nuk kanë qenë asnjëherë më të tensionuara, dërgohen mesazhe kërcënuese, e disa kërkojnë madje luftëra të reja. Si e shihni Ju këtë situatë?

Duke shikuar zhvillimet në pothuajse të gjitha vendet e Europës Juglindore dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre, tanimë për një kohë të gjatë situata është mjaft dëshpëruese. Nuk bëhet fjalë vetëm për paaftësinë që kushdo qoftë t’i rrëfehet dikujt sinqerisht. Kërkim-falje ka pasur shumë, e kanë bërë presidentët Mesiq, Josipoviq, Tadiq, Maroviq, Gjukanoviq, disa politikanë boshnjakë, por asgjë. Me kërkim-falje askush nuk është kënaqur. Nuk ka të bëjë kjo me jodashuri ose dashuri – dashuria nuk mund të arrihet artificialisht. Dashuria e rreme nuk do t’i ruajë marrëdhëniet e mira.

Nëse vazhdimisht këmbëngulet për të keqen, për luftë, për urrejtje, pa gjasa për të bërë luftë përsëri, ndoshta do të ishte mirë që në jodashuri të bëhen përpjekje për zhvillim të disa prej çështjeve që janë të rëndësishme për një jetë të mirë dhe normale?

Nëse vazhdimisht këmbëngulni në urrejtje dhe nuk doni që të mbyllet konflikti, atëherë këmbëngulni që plagët të kullojnë vazhdimisht. Elitat politike nuk mund t’i kthehen ardhmërisë, por do të ishte e mjaftueshme që të ofrojnë politika të cilat do të ndihmonin në krijimin e një bote të re për të gjithë ne për të jetuar më lehtë në atë botë të re. Është për keqardhje dhe e dhimbshme kur sheh gënjeshtra, paaftësi, urrejtje, e edhe më poshtëruese kur sheh sesi zgjedhësit nuk i dënojnë ata që këmbëngulin në ato politika.

Në Bosnjë-Hercegovinë, e cila në muajt e fundit është shndërruar në një fuçi të vërtetë baroti, situata çdo ditë është gjithnjë e më e tensionuar. Sidomos me erërat, që nga secila nga pak, fryjnë nëpër të nga Lindja dhe Perëndimi. Deri ku mund të na çojë një situatë e tillë konfliktuoze?

Në Bosnjë-Hercegovinë nuk do të ketë luftë. Nuk pati as më parë, nuk do të ketë as pas referendumit në Republikën Serbe. Kjo nuk do të ndodhë edhe për një kohë, madje edhe në qoftë se gjithçka mbetet siç është tani, e edhe në qoftë se edhe më tutje këmbëngulet për ndarje. Por, kjo nuk duhet të jetë një ngushëllim, sepse raportet nuk do të riparohen, standardi nuk do të rritet, pakënaqësia nuk do të ulet. Por, me Kroacinë në NATO dhe në BE-së, me Malin e Zi në rrugën e shpejtë drejt integrimit europian, me Serbinë, e cila gjithnjë e më shpejt përparon, natyrisht që gjithçka do të ketë efekt të favorshëm në Bosnjë. Mendoj se ky skenar është më i mundshmi, sesa skenari që përfshin urrejtjen që do të shpërthente në luftë. Është e rëndësishme, megjithatë, të kuptohet se mund të jetohet shumë gjatë në varfëri gjithnjë e më të madhe. E, ky është problemi që do të duhej ta identifikonin politikanët përgjegjës, por edhe votuesit.

Por kjo nuk po ndodh. Askush nuk po e gjen rrugën për ndryshim të mirë. Ku ka tretur arsyeja e shëndoshë, në qoftë se ne nuk mund ta zhdukim nga shoqëritë tona nacionalizmin negativ, i cili është rrënjosur aq thellë në ne?

Në të vërtetë, nganjëherë duket se nuk vlen asgjë të thuhet, se nuk të intereson kush çfarë bën, ngase ende shkrepin të njëjtat ide, e njëjta frikë, të njëjtat iluzione dhe se vazhdimisht mund të fitohet me të njëjtat ide.
Ajo që iluzionet tregohen të rrejshme, qesharake, nuk ka asnjë efekt mbi votuesit, e prandaj as mbi mediet, as mbi politikanët. Ndoshta këmbëngulja në frikën nga e kaluara nuk është e mjaftueshme në të gjitha vendet për t’i fituar zgjedhjet – shihni Tomislav Karamarkon e HDZ-së në Kroaci – por kjo ende është e mjaftueshme për t’ia dhënë ritmin kryesor politikës, që vazhdimisht të forcoheni, e që assesi të mos mund të dilni në sipërfaqe. Mjafton çdo gjë, pra, që ta mbani gjendjen e keqe, dhe atë shumë gjatë. Nuk do të ketë mendje të shëndoshë nëse për këtë nuk punohet nëpër shkolla – e kjo nuk do të ndodhë.
Ekziston edhe rruga me e shpejtë, por shumë më e pasigurt, në mënyrë që të paraqiten pushtetarët e shkolluar, të cilët për një kohë do të jenë të aftë t’u japin përgjigje ngjarjeve politike, kurse anëtarët e partive edhe ashtu e ndjekin çdo politikë që ua imponojnë liderët e tyre. Por, kjo është, siç thashë, rruga më e pasigurt, sepse ajo ka jetë për aq kohë sa ka edhe lideri. Këto janë politika të pandershme, kërkim-falje false.

Tani për tani kudo kalon kjo politikë nacionaliste, dhe madje, edhe për shkak të përfitimeve të menjëhershme, gjithnjë e më shumë insistohet në rishikimin e ustashëve dhe të çetnikëve, si në Kroaci, ashtu edhe në Serbi, derisa në Bosnjë-Hercegovinë kjo është bërë krejtësisht normale. Deri kur të gjithë do t’i hedhin sytë andej, me dënimin e ngjarjeve të tilla në vendet fqinja, të cilat duken edhe si një lloj promovimi dhe mënyre për të krijuar tensione?

Lëvizja çetnike dhe ajo ustashe janë rehabilituar deri në masën sa ka mundur të bëhet kjo. Lëvizja çetnike tani, pa mbeturinat e saj, është vetëm njëra nga aleatet e lëvizjes antifashiste. Ndërsa Lëvizja ustashe, e cila nuk mund të rehabilitohet në ditët e stome, është relativizuar deri në ekstrem. Që këto dy lëvizje të mund të hynin në një paradigmë të re interpretuese, duhet të injoroni gjithçka tjetër, duhet që nga lufta antifashiste të bëni ferrin komunist dhe asgjë tjetër. Ajo që është shqetësuese, jo vetëm që nuk ka dialog, por shembulli i ustashizmit nga Kroacia korrespondon me të dhënat që sigurisht janë ekzagjeruar. Ajo se në Jasenovc nuk janë vrarë 700’000 njerëz nuk e bën atë më pak të keq dhe të tmerrshëm. Por, është gabim të insistojmë në të dhëna të pasakta dhe presim që pala tjetër, e cila lëpihet dhe gënjen, në këtë sfidë të përgjigjet normalisht.

Por, në fund, të gjithë thirren kundër fashizmit dhe për shpirt liridashës.

Natyrisht, ende të gjithë flasin kundër fashizmit, ngase antifashizmi është baza e botës sonë.