Historia e një vathi

Çfarë bën një grua në Zürich kur i humb vathi?

Foto: Shutterstock



Ka njerëz që e thërrasin policinë vetëm në raste të jashtëzakonshme: pas ndeshjes në trafik, pas hyrjes së vjedhësve në shtëpi ose pas dëmtimit të kopshtit nga komshiu faqezi. Në Zürich këtë javë një grua thirri policinë për një shqetësim tjetër: natën mes të mërkurës dhe të enjtes ajo, duke dalë nga një restorant, humbi një vath të çmueshëm me diamant. Stolia ra përmes një vrime të kapakut të kanalizimit – drejt e në kanalizim. E tronditur gruaja alarmoi mbrojtësit e rendit.

Policia e qytetit menjëherë dërgoi në vendin e ngjarjes disa policë të njësisë së mbrojtjes nga uji. Ata hapën kapakun e kanalizimit dhe njëri prej policëve, me gjasë ai më i guximshmi, zbriti poshtë, ra në gjunjë dhe filloi të kërkojë. Mbi ballë polici mbante një llambë dhe kështu i përngjante një minatori që në thellësitë e tokës nxjerr diamante. Kërkimi i tij qe i pasuksesshëm. Një koleg i tij, siç njofton gazeta «Tages Anzeiger» duke iu referuar një komunikate të policisë, hapi një kapak tjetër, 20 metra më tutje. As këtu policët nuk gjetën asnjë gjurmë të vathit.

Ndërsa policët po kërkonin, rreth kapakëve të kanalizimit u tubuan disa qytetarë kureshtarë. Njëri prej tyre pati këtë ide: të zbrazet gropa e parë e kanalizimit, e cila gjendej pak më lartë, pastaj ndoshta vathi do të rrëshqiste teposhtë. U tha, u bë. Kureshtarët dhe personeli i restorantit hodhën kova me ujë në gropën e kanalizimit ndërsa një zhytës i policisë vazhdonte të kërkonte vathin.

Në çastin kur policët po mendonin të ndërprisnin aksionin e kërkimit, kureshtarët hodhën edhe disa kova me ujë në kanalizim. Pastaj ndodhi mrekullia: befas polici që po kërkonte në gjunjë vathin arriti ta kap atë para se ta bartte uji. Kureshtarët filluan të duartrokasin dhe polici ia dorëzoi stolinë pronares së lumtur. (-lli)