Historia e Goli otokut, kampit jugosllav të përqendrimit: këtë libër duhet ta lexoni!

«Historia e Goli otokut» e Martin Previshiqit është njëri prej librave më të rëndësishme të botuara në Kroaci, por edhe në vendet e ish-Jugosllavisë, në 30 vitet e fundit prej se është shpërbërë Jugosllavia. E hulumtuar jashtëzakonisht mirë, e verifikuar me dëshmi, e shkruar mirë, ajo bën fjalë jo vetëm për një kamp, por edhe për një vend dhe kulturë të krijuar rreth kampit. Kjo vepër duhet të lexohet patjetër.




Fare në fillim të Jugosllavisë së re, në vitet 1948 dhe 1949, pjesëtarët e elitës popullore dhe shoqërore u ndodhën para sfidës për t’iu përgjigjur pyetje të Sfinksit. Duhej që lirisht dhe pa udhëzime paraprake e sugjerime të deklarohen mbi Rezolutën e Informbyrosë, me të cilën Stalini, lideri i proletariatit sovjetik, e dënoi Titon, prijësin e një vendi të vogël dhe revolucionit të tij. Ai që në atë çast gjykonte logjikshëm, dhe sipas oportuniteteve të ekzistencës vetjake, është dashur të jetë për Stalinin, sepse Stalini ishte shumë më i madh dhe më i pushtetshëm. Ai që gjykonte me zemër, qoftë si idealist, qoftë si besimtar, gjithashtu është dashur të jetë me Stalinin, sepse në ato vite për komunizmin Stalini ishte çfarë është Jezu Krishti për të krishterët. A mund të jesh i krishterë pa Jezusin?

Domethënë, për të dhënë përgjigjen e vërtetë, shumëfishtë të drejtë në pyetjet e Sfinksit, – të detyruar për t’u përgjigjur kanë qenë pothuaj të gjithë anëtarët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë -, duhej dhënë përgjigje kundër arsyes dhe kundër zemrës. Në të vërtetë, duhej përgjigjur në atë mënyrë që ndaj dilemës së parashtruar do të përgjigjeshim me radhë armiqtë sistemor të Jugosllavisë së re, dekadentët borgjezë, antikomunistët, simpatizantët e Perëndimit dhe të partive të vjetra borgjeze jugosllave, sikur t’i kishte pyetur dikush.

Gabimisht, sipas logjikës dhe zemrës ose sipas bindjes së thellë politike, u përgjigjën 15’737 njerëz. Kaq njerëz u internuan mes viteve 1948 dhe 1956 nëpër kampet dhe burgjet jugosllave, shumica prej tyre në Goli otok.

Martin Previshiq, i lindur më 1984, është docent në katedrën e historisë kroate, dega e historisë, në Fakultetin Filozofik të Zagrebit. Ai filloi të merret me temën e Goli otokut dhe kompleksin informbyroist në çastet e fundit para se gjenerata e golo-otokasve të mbulohet nga dheu dhe para se ngjarjet pashmangshëm do të historizoheshin, por pa u verifikuar në mënyrë të sigurt. Njëkohësisht ishte koha kur u hapën arkivat dhe u bë e mundshme qasja ndaj dokumenteve mbi Goli otokun, të cilat, krahas një numri të konsiderueshëm të librave, të cilat botohen që nga fillimi i viteve ’80, prozës historiografike, publicistike dhe memoristike, mund të shërbenin si material për shkrimin e historisë së parë të gjithmbarshme të kampit të Goli otokut.

Previshiq këtë punë e ka kryer në mënyrë shembullore duke shkruar një libër prej gjashtëqind faqesh të formatit të madh, të ndarë në shtatëmbëdhjetë kapituj. Në të është paraqitur konteksti historik i Rezolutës së Informbyrosë, si dhe i asaj që pasoi pas saj. Për aq sa ka qenë e mundshme janë përshkruar format e deklarimit për rezolutën, mandej arsyet si dhe mënyrat juridiko-administrative të ndëshkimit, izolimit dhe burgosjes së atyre që në mënyrë aktive ngritën krye kundër vendimit të Titos dhe Partisë Komuniste të Jugosllavisë ose – në të shumtën e rasteve – vetëm u përgjigjën gabimisht ndaj pyetjeve të Sfinksit. Vazhdon pastaj rekonstruimi i mënyrës se si ka funksionuar kampi, procedurat e tij formale dhe joformale, dhe si historia e plotë nga hapja e tij deri te mbyllja, e cila ndodh në kohën e shtendosjes ndërshtetërore me Bashkimin Sovjetik dhe harmonizimit të raporteve mes partive.

Historia e çdo kampi të përqendrimit nga Dachau, Jasenovaci dhe Auschwitzi deri te Manjaça, Dreteli dhe Guantanamo është e mbushur plot me një numër të madh të historive individuale karakteristike dhe jokarakteristike. Kështu edhe historia e plotë e Goli otokut, po të ishte e mundshme, do të duhej të përmbante historitë personale të çdonjërit prej 15’737 (apo më pak) të ngujuarve të kamp. Ose, meqë kjo nuk është e mundshme, pjesë të historive personale të përfaqësuesve të çdo grupi të të burgosurve në kamp, të cilët mund të diferencohen në kamp. Këto individualitete të vogla të historisë së madhe Previshiq i ka përfshirë shkëlqyeshëm në librin e tij dhe kështu jo vetëm me librin e tij i ka ngritur një përmendore të vërtetë vuajtjes njerëzore, por edhe ka arritur të shkruajë një rrëfim të dorës së parë. Ai ka biseduar me shumicën e atyre njerëzve, ndërsa me dëshmitë indirekte është shërbyer vetëm kur nuk ka pasur zgjedhje tjetër. Kjo është çështje shumë e rëndësishme, edhe në kuptimin metodologjik, por edhe në atë intelektual dhe emocional. Martin Previshiqi e përjetoi Goli otokun e tij.

Libri i tij është i guximshëm, të shkruash diçka të tillë ka qenë e vështirë. E guximshme është para së gjithash për shkak se autorit nuk i ka shkuar ndërmend të parcializojë temën e tij dhe të shkruajë njëfarë historie kroate të Goli otokut. Mbi kampin e përqendrimit nga koha e Jugosllavisë është e mundshme – dhe ka kuptim – të shkruhet vetëm historinë jugosllave. Sidomos për shkak se shumica e të burgosurve në kamp vinin nga Serbia dhe Mali i Zi, por edhe për shkak se legjenda për Goli otokun, gjithçka që është ditur për këtë vend, është menduar, fabulizuar dhe supozuar gjatë shtatëdhjetë viteve të fundit, e sidomos gjatë dyzet viteve prej themelimit të tij deri te shpërbërja e Jugosllavisë, është pjesë e trashëgimisë jugosllave objektivisht të pandashme, me të cilën ia vlen të jetohet si me barrën tënde të padëshirueshme të historisë. Një libër i tillë ka qenë vështirë të shkruhet për shkak se ajo nuk e tematizon vetëm historinë e vendit dhe fatin e përbashkët të 15’737 burrave dhe grave, por edhe një histori të llojit të vet të nocionit Goli otok, si dhe gjithë asaj që një kamp përqendrimi domethënë për një bashkësi shoqërore disa dekada pasi ajo nuk ekziston më. Previshiqi është i vetëdijshëm se nuk po shkruan vetëm një tekst historiografik dhe një sintezë historike për Goli otokun, por se libri i tij paralelisht duhet të funksionojë edhe si studim antropologjik, si histori e vogël e përditshmërisë, pastaj si tekst kulturoro-historik dhe deri-diku edhe tekst letrar.

Historia e kampit është e domosdoshme, por edhe historia e atyre që kohën e kampit e kanë kaluar jashtë kampit. Kështu historia e Goli otokut është një histori sociale e Jugosllavisë. Dhe këtu fillon problemi, i cili pak ka të bëjë me Preveshiqin, por mjaftueshëm që çështja të bëhet e pakëndshme: ashtu siç të burgosurit në Goli otok nuk torturoheshin nga rojet, por u detyruan të torturojnë njëri-tjetrin, dhe në atë mënyrë atyre iu ngulit ndërgjegjja e vrarë, ndjenja e përjetshme se janë fajtorë dhe se kanë kryer krim, andaj gjykimi i informbyroistëve nuk mbaroi me policinë, me gjyqin e partisë, por u shpërnda në tërë bashkësinë. Pasi u liruan, ata njerëz jetuan të përbuzur nga shumica frikësuese e shoqërisë, dhe kështu kampi nuk qe vetëm ai vendi në Goli otok, por u shpërnda në mbarë vendin dhe te të gjithë (apo gati të gjithë) qytetarët e vendit. Të gjithë, në masë të caktuar, qenë torturues të banorëve të kampit, të cilët, po ashtu, ishin torturues të vetes së tyre apo të shokëve të tyre. Një e keqe e përsosur. Goli otoku nuk mund të krahasohet me Jasenovcin apo me kampet naziste apo staliniste, sepse në Goli otok nuk vritej. (Ndonëse ka pasur vrasje individuale). Gjasat ishin të mëdha që i burgosuri të largohej i gjallë nga ishulli. Por asnjë kampi nuk ka qenë ashtu i gjithanshëm si Goli otoku, andaj çdo i burgosur ishte vrasës i vërtetë apo potencial, dhe njeriu para njerëzve të tjerëve ishte aq përsosur i vetmuar. Martin Previshiq e ka përshkruar dhe dokumentuar jashtëzakonisht mirë këtë aspekt të Goli otokut.

Në librin e botuar nga Fraktura në shkurt të këtij viti dhe e cila gjithsesi do të duhej të gjente lexuesit e vet në çdo vend të ish-Jugosllavisë, qartë thuhet se informbyroistët, domethënë një pjesë e tyre, qenë kërcënim serioz ndaj shtetit, se disa prej tyre morën pjesë në komplotin për rrëzimin e regjimit të Titos dhe sjelljen në pushtet në vend dhe në parti të forcave prosovjetike. Previshiq qartë ruhet nga sentimentet antikomuniste, siç është imun edhe ndaj iluzioneve të tjera të tepërta titoiste mbi socializmin me fytyrë njeriu, andaj nuk përpiqet që Andrija Hebrangun – atij rruga e të cilit kalon nëpër zemrën e Zagrebit të sotëm – ta përshkruajë ndryshe përveç se si staliniste. Por, për këtë lexues kjo është më pak e rëndësishme se sa fakti se Martin Preveshiqi di të shkruajë mirë, di t’i stilizojë letrarisht fjalitë e tij – gjë që ende është gjë e rrallë mes historianëve kroatë – dhe se, duke shkruar për historinë, mund të fascinohet me fatet njerëzore. Për shembull, Dragutin Gustinçiqi, Alfred Pal, Aca Singer janë disa prej informbyroistëve dhe të përvuajturve në Goli otok, jetët e të cilëve janë më të mëdha se konteksti historik në të cilin u gjenden.

Previshiq u lind në kohën kur legjenda për Goli otokun po i afrohej fundit. Atij nuk i kujtohet asgjë. Dhe kjo i vështirëson punën. Gjithashtu, ndonëse nuk e di se legjenda për Goli otokun së pari u bë publike përmes letërsisë dhe filmave, andaj kudo me dy-tri fjalë merret me historinë kulturore të nocionit Goli otok, prapëseprapë në këtë çështje është i pasigurt, sipërfaqësor, aty-këtu edhe gabon. Gjë që nuk ka të bëjë aq me të sa me redaktorin e librit, i cili nuk i ka parë shumë gabime. Kështu në faqen 24, në parathënien e autorit, numërohen shkrimtarët që janë marrë me temën e Goli otokut, dhe Sllobodan Seleniqi u bë Seliniq, Dushan Kovaçeviqi është Dragan, ndërsa drama (apo shfaqja) e Jovan Radulloviqit është – roman. Gabimet e tilla është lehtë të përmirësohen. Pikërisht për këto gjëra janë redaktorët dhe njerëzit e tillë. Ai që shkruan bën gabime edhe kur e di atë për të cilën gabon, edhe kur nuk e di atë që e gabon. Këtë lexues asgjë më shumë nuk e dëshpëron se kur në një libër kaq të mirë e të rëndësishme gjen këso gabimesh.

Me «Historinë e Goli otokut» Martin Preveshiqi ka hedhur themelet e forta të një teme të rëndësishme, e cila, siç ndodh zakonisht, nuk ka të bëjë vetëm me kohën historike, por edhe me bashkëkohësinë tonë. Kur qytetarët e angazhuar dhe fejsbukianët e zemëruar ndaj plaçkitjes dhe korrupsionit në shtet me të drejtë binden se sërish duhet hapur Goli otokun, atëherë – pa synimin për t’i krahasuar dy vende të ndryshme – kjo është sikur kur thonë se sërish duhet hapur Jasenovcin.

https://fraktura.hr/povijest-golog-otoka.html