Historia e gjatë prapa fotografisë së luftës në Kosovë

Një fotografi e vetme do të bëhej shkak i nisjes së një projekti, i cili si rezultat përfundimtar ka një dokumentar.




Regjisori e producenti, Jeff Bowden, krejt rastësisht do të shihte fotografinë e realizuar nga fotoreporterja franceze e luftës, tashmë e ndjerë, Alexandra Boulat.

Qëndrimi i djaloshit në fotografi do ta prekte thellë. Një vizitë me familjen në Dubrovnik të Kroacisë, para tetë vitesh, do ta bënte që më pas të merrte rrugëtime në Evropë, të mësonte për Kosovën e luftërat në Ballkan. Më parë rrëfime të tilla ishin të panjohura për të, shkruan sot «Koha Ditore».

Do të nisej në kërkim të djaloshit kosovar, pa e ditur se cili do të ishte rezultati përfundimtar. Asokohe qëllimi i vetëm i tij ishte ta gjente djaloshin, ndërsa ideja për dokumentar do t’i lindte gjatë këtij procesi të hulumtimit.

Bowden erdhi në Kosovë për herë të parë në vitin 2012 dhe pas tri vizitash ai do të zbulonte se djaloshi i fotografisë është gjallë dhe se quhej Sadik Kadriaj.