Hipokrizia e ajrit që ta zë frymën

Dy fjalë për ajrin, dinjitetin njerëzor dhe «temat e luksit».




1.
Në prag të festave të fundvitit, Qendra Belge për Zhvillimin e Fëmijës përmes një emaili paralajmëronte qytetarët që të evitojnë një numër qytetesh gjatë pushimeve dimërore. Në 10-shen e parë, konkretisht në vendin e tretë ishte edhe Prishtina, bashkë me qytete milionëshe të Lindjes së Largët me industri të rëndë. Në email, pos tjerash, thuhej se këto qytete duhen evituar për familjet me fëmijë nga mosha 3 vjeçare e tutje, ndërkaq këshilloheshin të mos vizitoheshin fare për familjet me fëmijë më të vegjël se 9 muaj.

Fundjavën që sapo e lamë pas, Prishtina u ngrit në krye të tabelës si qyteti më i ndotur në botë! Më i ndoturi në rruzullin tokësor. Ndërkohë, po javën e kaluar Ministrja e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Albena Reshitaj, u pa të merrte pjesë në një gala-mbrëmje në Tiranë për promovimin e turizmit në hapësirat shqiptare. Nuk e di në çfarë cilësie ishte aty ministrja. Po ashtu, nuk është relevante që të gjashtë (gjashtë!) zëvendësministrat e kësaj ministrie mund të jenë në krye të detyrës. Është shpërfillëse, në rastin më të mirë, të merresh me performansa turizmi kur ajri në kryeqytet është vdekjeprurës.

Kur është fjala te ambienti, të gjithë, pa përjashtim, jemi përgjegjës për ndotje. Megjithatë, përgjegjësia kryesore bie mbi organet publike që janë të thirrura për të ndërmarrë të paktën hapa administrativë, ligjorë e politikë për të adresuar situata të tilla. Nëse nuk ndërmerren masa të nevojshme për sanimin e gjendjes, shumica e qyteteve shqiptare nuk do të kenë më as njerëz të shëndoshë, e lëre më pastaj turistë.

Ministritë përkatëse lë të fillojnë të lëvizin ndonjë gur në drejtim të duhur. Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Transportit të krijojnë infrastrukturën e nevojshme që favorizon përdorimin e zgjeruar të transportit publik. Le të fillohet duke krijuar dy linja të reja të transportit publik: një linjë që të dërgon në Stacionin e Autobusëve të Prishtinës, e një tjetër që të dërgon në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

2.
Shifrat alarmante të ndotjes në Prishtinë mobilizuan si asnjëherë më parë shoqërinë civile – qoftë ajo e organizuar rreth OJQ-ve, por edhe më gjerë. Mllef i paparë u performua nëpër rrjete sociale. Foto me maska gazi gjithandej. Megjithatë, përjashto këtu rrjetin e organizatave KOSID, ambienti është konsideruar vazhdimisht problem i stisur, madje është një pjesë e mirë e po kësaj shoqërie civile, e cila ka qenë vazhdimisht shpërfillëse ndaj problemit të mbrojtjes së ambientit dhe debatit për të. Kur alarmohej për ndërtimin e një termocentrali të ri në Kosovë, ishte po kjo kastë e shoqërisë civile e cila mobilizon të protestohet për cilësinë e ajrit që kërkonte shitjen e çdo gjëje rreth e rrotull në emër të zhvillimit dhe të mirave të privatizimit. Edhe nëse ai zhvillim – i cili gjithsesi nuk ndodhi kurrë – do t’ua zinte frymën banorëve. Çdo dyshim që aso kohe ngrihej për pasojat që termocentralet do të kishin në cilësinë e ajrit dhe të ambientit në përgjithësi u cilësuan si anti-kapitaliste dhe «majtiste».

Cilësia e ajrit në Prishtinë ka dekada të tëra që është në gjendje të këtillë. Megjithatë, me përjashtim të emisionit «Jeta në Kosovë», hapësira mediale kosovare nuk ka treguar ndonjë interes për të trajtuar këtë çështje në asnjë stinë të vitit. Kanë qenë media të huaja ato që kanë raportuar e kanë hulumtuar për substancat toksike që lëshohen nga qyngjet e Obiliqit, dhe institute e universitete të huaja që kanë shkruar e alarmuar për cilësinë e ajrit. U desh që ajri helmues t’ua zë frymën, me plot kuptimin e fjalës, për t’u mobilizuar e për të protestuar.

Rrjedhimisht, edhe pse thirrja e po kësaj shoqërie civile për këndellje e protestë është një hipokrizi e dorës së parë, mirë që u protestua. Më shumë se sa protestë si revoltë, protesta do të duhej të ishte pikënisje e një debati që e kthen cilësinë e ajrit dhe të ruajtjes së ambientit në përgjegjësi të gjithsecilit. Përpos «thëngjillit» si sinonim i së keqes, cilësia e ajrit dhe e ambientit janë para se gjithash të lidhura me shpyllëzimin, humbjen e hapësirave të gjelbra për të ndërtuar parkingje e qendra tregtare, kthimin e lumenjve në kontenjerë mbeturinash, konsumin e pafre të çdo gjëje që mund të blihet, përdorimin mizor të materialeve të pareciklueshme, përdorimin e panevojshëm të veturave nëpër mini-qytetet e katundet tona, izolimin jo të duhur të hapësirave tona të banimit, përdorimin e materialeve helmuese për ngrohje, e për zakonin e djegies së mbeturinave.

Ambientin dhe ajrin e vrasim çdo ditë, secili nga ne. Është momenti i fundit kur do të duhej të bëhemi pjesëmarrës në ruajtjen e tij, me gjëra të vogla. Në të kundërtën, jo vetëm që nuk do të mund të flasim për jetesë të dinjitetshme, por thjeshtë nuk do të mund të flasim nga fyti që djeg. E qe besa, nuk do të mund të defilojmë as nëpër gala-mbrëmje.