«Hillary Clinton e Bosnjës» mund të pasojë bashkëshortin e saj

Ambiciet politike të Sebijës, bashkëshortes së anëtarit boshnjak të presidencës shtetërore Bakir Izetbegoviq, kanë bërë që ata të krahasohen me çiftin më të famshëm të Amerikës – Clintonët.

Sebija Izetbegoviq.



Shumica e grave të politikanëve në Bosnjë-Hercegovinë ngelen nën hijen e burrave të tyre dhe janë shumë pak të njohura për publikun e gjerë. Por jo Sebija Izetbegoviq. Ajo e gjen veten në qendër të vëmendjes së mediave pothuajse aq sa – dhe ndonjëherë më shumë se – burri i saj. Bakir Izetbegoviq është anëtari boshnjak i presidencës shtetërore të vendit dhe gjithashtu kreu i Partisë qeverisëse boshnjake të Aksionit Demokratik (SDA). Ndërsa SDA fillon të përgatisë listën e kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme në tetor, disa anëtarë të SDA-së kanë vënë emrin e saj për postin e anëtarit boshnjak të presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Nëse ajo e arrin këtë qëllim, natyrisht do të zëvendësojë burrin e saj. Në një vend ku burrat kanë dominuar tradicionalisht politikën, qeverinë dhe administratën, do të ishte hera e parë që një grua bëhet presidente apo mban një post kaq të lartë. Ndërsa Bosnja është bërë e njohur për sistemin e saj të komplikuar administrativ, me një qeveri në nivel shtetëror, dy entitete autonome dhe dhjetë kantone – për pasojë një presidencë, dy presidentë entitetesh, 13 kryeministra dhe 180 ministra – vetëm një përqindje e vogël e këtyre posteve mbahen nga gratë.

Në botën e burrave të Bosnjës, shumica e grave të politikanëve mbeten thellë në anonimitet – por jo Sebija Izetbegoviq. E lindur në Mal të Zi, në Golubovci, afër Podgoricës, kryeqytetit të këtij vendi, ajo u transferua në Sarajevë ku mbaroi shkollimin e saj. Atje ajo takoi burrin e saj, Bakir Izetbegoviqin, i biri i Alija Izetbegoviqit, themelues i SDA-së dhe presidenti i parë i vendit pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në vitin 1991, të mbajtura ndërsa Jugosllavia po shpërbëhej.

Ajo u diplomua për mjekësi dhe fillimisht punoi si praktikante në departamentin e plastikës dhe rindërtimit të Universitetit të Sarajevës dhe Qendrën Klinike. Gjatë luftës së viteve 1992-1995, ajo vazhdoi specializimin e saj në spitalin «Sveti Duh» në Zagreb dhe mori doktoratën në Sarajevë pas luftës.

Ngritja në mjekësi dhe në vëmendjen e publikut

Pasi mbajti disa poste në institucione të ndryshme mjekësore në Sarajevë, ajo u emërua drejtoreshë e spitalit të përgjithshëm në vitin 2013. Nga ai post, në vitin 2016 ajo u bë drejtoreshë e përgjithshme e Qendrës kryesore Klinike të Universitetit të Sarajevës. Ajo gjithashtu u angazhua në SDA si kryetare e komitetit të saj të shëndetësisë. Izetbegoviq erdhi në qendër të vëmendjes së medias në vitin 2013, pasi mori përsipër postin e drejtoreshës së spitalit të përgjithshëm të Sarajevës dhe ka mbetur një temë e preferuar e mediave që atëherë. Angazhimi i saj në menaxhimin e dy spitaleve kryesore të Sarajevës është shoqëruar me polemika të mëdha. Emërimi i saj si drejtoreshë e spitalit të përgjithshëm nxiti demonstrata publike. Rreth 10 mijë vetë dolën në rrugë për të protestuar kundër saj dhe zëvendësimit të ish-drejtorit Bakir Nakas, një nga legjendat e mjekësisë në Bosnjë, i cili kishte drejtuar spitalin për dy dekada.

Pavarësisht protestave, Izetbegoviq e mbajti postin e saj dhe filloi një rregullim të madh të institucionit. Në këtë proces, shumë mjekë dhe stafi tjetër mjekësor u larguan duke u ankuar për sjelljen e pamëshirshme të saj. Megjithatë, disa pacientë dhe ekspertë thanë se ajo e pastroi spitalin nga korrupsioni dhe e bëri atë më efikas.

Polemika të ngjashme pasuan edhe emërimin e saj të ardhshëm, si kreu i Universitetit dhe Qendrës Klinike të Sarajevës. Megjithatë, këto nuk ishin të vetmet raste kur Izetbegoviq tërhoqi reagime të zemëruara në Bosnjë. Në prill të vitit 2017, mediat zbuluan se ajo kishte përdorur një makinë zyrtare që i përkiste zyrës së bashkëshortit të saj për të udhëtuar nga Sarajeva në Tuzla, ku vizitoi Qendrën Klinike të Tuzlës.

Disa media e akuzuan atë për keqpërdorim të një makine zyrtare shtetërore. Ajo e kundërshtoi hapur kritikën dhe më vonë u mburr se ajo kishte kursyer para publike duke mos përdorur një shofer dhe makinë zyrtare, pavarësisht se kishte të drejtën për një të tillë. «Ishte thjesht një udhëtim, me një shofer, dhe shpenzimet ishin njësoj si të kisha përdorur një makinë nga Qendra Klinike, por atë ditë shoferi ynë duhet ta merrte pushim», tha ajo në një konferencë për shtyp në dhjetor të atij viti. Shpjegimi i saj thjesht tërhoqi kritika të reja publike, të cilat ajo i shpërfilli. «Ky rast tregon se ajo dhe burri i saj mendojnë për paratë publike të Bosnjës si të ishin të tyret. Kjo është më shumë sesa një problem keqpërdorimi i fondeve publike, është perceptimi i tyre për Bosnjën dhe roli i tyre këtu», tha për BIRN, Enver Kazaz, një profesor dhe analist nga Sarajeva.

Ajo u vu nën shqyrtim dhe kritika të mëtejshme pasi disa media zbuluan se transmetuesi publik shtetëror, BHT, kishte vendosur të mos transmetonte një intervistë që kishin bërë me të në tetor të vitit 2017 – sepse, me sa duket, ajo ishte e pakënaqur me mënyrën se si doli intervista. Kjo gjë nxiti një debat rreth lirisë së medias në Bosnjë. Pasi Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës i dërgoi një letër të hapur redaktorëve dhe drejtuesve të BHT-së, duke kërkuar një shpjegim, ata në fund e transmetuan intervistën e diskutueshme në nëntor.

Megjithatë, mediat shpejt zbuluan se disa pjesë të intervistës ishin regjistruar më vonë dhe iu shtuan asaj origjinale. BHT këmbënguli se kjo është bërë për shkak të problemeve teknike me pjesë të intervistës së parë, por ky shpjegim zor se e kënaqi opinionin publik. Shumë analistë dhe ekspertë e akuzuan atë se ushtronte kontroll editorial mbi transmetuesin publik.

Përveç këtyre incidenteve, shumë media dhe analistë janë ankuar për dashurinë e saj për rrobat dhe aksesorët luksozë, që ata thonë se është e pahijshme në një vend ku paga mesatare mujore është pak më shumë se 400 euro. Megjithatë, organizatat mediatike pranë SDA-së këmbëngulin se kritika të tilla vijnë kryesisht nga mediat dhe zyrtarët që janë të lidhur me opozitën – të cilët po i përdorin këto pretendime për të dëmtuar SDA-në dhe Bakir Izetbegoviqin para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2018.

Ambiciet politike mbeten ende për t’u sqaruar

Në një nga intervistat e saj të rralla, Izetbegoviq tha se media i kushtonte shumë vëmendje asaj dhe se ajo nuk e kuptonte se përse ajo u dukej aq interesante. Ajo hodhi poshtë akuzat për përdorimin e lidhjeve politike të bashkëshortit të saj, duke thënë se ankesat e tilla shpesh vijnë nga njerëz që nuk e pëlqejnë punën e madhe ose që kanë probleme personale me të. Në vitet e fundit, shumë media kanë raportuar se ambiciet e saj politike po rriten dhe se një ditë ajo një ditë mund të pasojë bashkëshortin e saj.

U fol se ajo po merrte më shumë rol në politikë në SDA dhe mund të dalë si kandidate e SDA-së për postin e anëtarit të presidencës në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018 në tetor. Burri i saj tashmë e ka mbajtur postin për dy mandate dhe nuk mund të kandidojë për një të tretë radhazi. Nëse është e vërtetë, ajo do të bëhet gruaja e parë që ulet ndonjëherë në presidencën shtetërore të Bosnjës.

Pas këtyre thashethemeve, Izetbegoviqët janë krahasuar gjithnjë e më shumë me një tjetër dyshe të njohur politike, Bill dhe Hillary Clinton. «Njerëzit thonë se pozita e një ndërmjetësi të pushtetit nga prapa skenës nuk është mjaft tërheqëse për të dhe se ajo synon pozicionin e anëtarit boshnjak të presidencës, kështu që disa analistë e quajnë atë Hillary Clinton e Bosnjës», shkroi e përditshmja kroate Veçernji list më 6 shkurt 2017. Ndërkohë, SDA muajt e fundit është tronditur nga kritikat në rritje të lidershipit të partisë dhe disa zyrtarë të lartë e kanë lënë partinë dhe kanë formuar të reja.

Sebija Izetbegovi i ka lënë mënjanë mospërfilljet, duke e krahasuar situatën në SDA me grindjet në çdo familje mesatare që ka nevojë të bëjë ndryshime herë pas here. «Njëri ikën, por dy do të vijnë», tha Sebija në një konferencë të organizuar nga SDA-ja në mars të këtij viti. Si ajo ashtu edhe Bakiri e kanë hedhur poshtë kandidaturën e saj të mundshme për presidencën, pavarësisht se kur SDA në fund të prillit filloi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhje, disa e nominuan atë për t’u bërë anëtarja boshnjake e presidencës shtetërore. Ky proces përfundon në fund të majit, pikë në të cilën ambicia politike e «Hillary Clintonit të Bosnjës» mund të bëhet më e qartë. (BRIN)