Hija e historisë

Ditari i Sarandës (7)

Petro Marko.

A ka ndonjë shkrimtar të njohur nga Saranda? Të njohur në shkallë vendi? Janë dy. Andrea Zarballa dhe Niko Kacalidha. Janë pjesëtarë të pakicës greke. Dhe të thuhet se shkruajnë për bukuri në gjuhën shqipe – është pak. Për fat të keq në libraritë e Sarandës s’mund të gjendet asnjë libër i tyre. Zarballa u lind në fshatin Llazat afër Sarandës. Në botën e madhe virtuale mund të gjeni pak poezi të Zarballës. Dy prej tyre po i sjellim këtu.

Demokracitë bashkëkohore

Demokracitë e përsosura, bashkëkohore,
lënë takime me diktatorët,
dalin shëtitje të zëna përdore me diktatorët,
drekojnë me diktatorët.
 
Kanë dhe ato huqet e tyre.

Dënimet

Bota moderne, e civilizuar, e hoqi
dënimin me vdekje për njeriun.
 
Dhe la në fuqi
dënimin me vdekje të popujve.

Niko Kacalidha u lind në fshatin Leshnicë e Sipërme afër Sarandës. Për rreth tri dekada ai ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Sarandës. Nga krijimtaria e tij veçuam këtë poezi:

Ma mori gjyshen maji

Ma mori gjyshen maji dhe s’arrita t’i çoja
pakon e kafesë për llogari të majit.

Xhezvja bosh e heshtjes, varur në
gozhdën e dhimbjes.

Filxhani i përmbysur i fatit me mijëra
udhë të pathëna.

Ma mori gjyshen maji dhe i preu kostumin e
kumbullës. Se s’donte ta çonte me
shaminë e tretur të saj, të zezonës.

Ma mori gjyshen maji shtegut të drurëve.
As me kafe s’e ngopa fisnikërinë e
rrudhjes.

Ma mori gjyshen maji dhe nuk e la të ecte
se mos pikëllonte jaseminin.

Ma mori gjyshen maji si një penë të lehtë
për të firmosur qiellin,
dhe: «Ku e kam Nikon? Prisni t’i marrë leje
Nikos», i thoshte majit.

Qiriri i qiparisit në asterisin e mbrëmjes
përnatë i ndezur për të brenda meje.
Dhe është fryma e saj, puhiza që endet mbrëmjeve
në gjethnajën e drurëve, përbri
shtëpisë sime.

Shkrimtari më i madh i jugut bregdetar mbetet Petro Marko. I lindur në Dhërmi ai është një Hemingway shqiptar – jo vetëm për shkak të veprës së tij, por edhe për faktin se si vullnetar i Luftës së Spanjës takoi edhe autorin e madh amerikan dhe nobelistin e mëvonshëm – Ernest Hemingway. Si idealist me bindje të majta politike Petro Marko shkroi dhe luftoi kundër padrejtësive të mëdha sociale – dhe për këtë u arrestua, internua dhe anatemua nga regjimi i Zogut dhe i Enver Hoxhës.

Rreth një orë larg Sarandës gjendet siujdhesa Porto Palermo me kështjellën e Ali Pashë Tepelenës. Brenda mureve të saj ka qenë i internuar në vitet ’30 edhe Petro Marko. Më vonë kështjella u shfrytëzua nga komunistët herë si burg, herë si magazinë. Në ndërtesat përreth ende mund të lexohen parullat e kohës së komunizmit mbi miqësinë e përjetshme shqiptaro-kineze.

Gjatë regjimit komunist Porto Palermo ishte zonë e ndalur për shqiptarët e zakonshëm. Gjiri i detit në Porto Palermo ishte bazë ushtarake – dhe e tillë vazhdon të jetë edhe sot. Ndërsa notoni në Porto Palermo befas mund të shfaqet një anije e Rojës Bregdetare. Para një çerekshekulli këtu çdokujt mund t’i shkonte koka nëse futej në det për të notuar, sot ushtarët e mirësjellshëm shqiptarë të japin udhëzime që të mos i afrohesh aq bazës. Kohërat kanë ndryshuar. Dikur Shqipëria ishte pjesë e Paktit të Varshavës, sot është vend anëtar i NATO-s me të drejta të plota.

Një autore e njohur e jugut jobregdetar është Musine Kokalari, juriste e diplomuar në Romë, socialdemokrate, e dënuar nga regjimi komunist për shkak të qëndrimeve të saj properëndimore. Musine Kokalari vdiq në mjerim, emri i saj ishte i ndaluar. Në Kosovë në fillim të viteve ’80 kritiku letrar Ibrahim Rugova botoi një tekst prezantues të krijimtarisë së Musine Kokalarit në revistën e famshme letrare «Jeta e re». (Në këtë link mund ta lexoni tekstin e Rugoves: http://dialogplus.ch/viti-1983-ibrahim-rugova-ia-prezanton-kosoves-musine-kokalarin-98247).

Hija e historisë shihet e ndjehet gjithkund në jug të Shqipërisë. U mbetet pushteteve të ardhshme që këtë trashëgimi letrare ta prezantojnë në mënyrë meritore – edhe para turistëve të huaj, por edhe shqiptarë.
(FUND)