«Hija e Erdoganit mbi Ballkanin»

Shkollat e lëvizjes Gülen llogariten ndër më të mirat në Ballkan. Nga përpjekjet për grusht shteti ato janë në shënjestër të Turqisë. Kjo po i trazon vendet e rajonit, shkruan Neue Zürcher Zeitung. Në këtë vorbull përfshihen edhe shqiptarët.

Foto: huseyin ozdemir1 / Shutterstock.



Raporti fillon me Muamer Zukorliç, ish mufti, tani parlamentar dhe drejtor i një universiteti privat. Ai është i afërt i Beogradit dhe e kontrolloka Sanxhakun si çifligun e tij. Zukorliç është i lumtur se e ka mbrojtur komunitetin e tij mysliman nga ndikimet e huaja, arabe dhe turke, «edhe pse ata nuk mund të quhen të huaj». Sipas tij, kush qëndron nën ndikimin turk, është i prekur nga konfliktet e brendshme në Turqi, sidomos nëse ka përfituar nga afërsia e Fetullah Gülenit.

Zukorliç pohon se viteve të fundit Turqia e ka rritur ndikimin e saj në Ballkan. Sidomos nga ardhja në pushtet e Erdoganit më 2003. E kaluara e përbashkët nën Perandorinë Osmane po tregohet në një dritë tjetër. Turqia nuk po prezentohet vetëm si trashëgimtare e traditave imperiale, por edhe si një shtet i zhvilluar mysliman, i cili e bashkon fenë dhe përparimin ekonomik. Një program i njohur me emrin «neoosman», i cili e bashkon traditën dhe historinë me qëllimin e rritjes së ndikimit politik dhe ideologjik. Në fushën e arsimit, Turqia po kontribuon në modernizimin e shoqërisë myslimane në Ballkan.

Janë këto lidhje, të cilat, siç transmeton gazeta zvicerane, e kanë bartur konfliktin Erdogan-Gülen në Bosnjë, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Janë 40 institucione arsimi që i përshkruhen lëvizjes së Gülenit në Ballkanin perëndimor: 15 në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, 5 në Kosovë dhe 1 në Serbi. Këto shkolla, ndër të tjera edhe falë pajisjeve të mira, kanë një prestigj të mirë. Duke qenë të shtrenjta, ato i mbledhin elitat. Jepen bursa. Disa nga këto shkolla e pranojnë përkatësinë gyleniste, ndërsa disa të tjera e refuzojnë lidhjen me predikuesin.

Sa plasi sherri me Gülenin, Erdogani e filloi presionin përmes ambasadave të Turqisë për mbylljen e shkollave dhe firmave të predikuesit. Pas përpjekjes së puçit, ky presion është shtuar masovikisht. Mirëpo, sipas gazetës, reagimet e qeverive të këtyre vendeve janë të ndryshme. Iniciativat e Ankarasë në Shqipëri dhe në Kosovë po shihen si ndërhyrje në punët e brendhsme. Përfaqësuesi boshnjak në Presidium, i cili ka marrëdhënie të ngushta me Erdoganin, është më konformist. Maqedonia është fleksible, atje gjoja po shihen rrugët për mbylljen e këtyre shkollave.

Kjo, sipas gazetës zvicerane, nuk i pëlqen drejtorit të shkollës Yahya-Kemal në Shkup, Ismail Erdil. Ai është krenar për këtë shkollë, infrastrukturën e saj dhe vlerat e respektit, dialogut e të tolerancës, të cilat i transmeton lëvizja Hizmet, përveç mësimit të rregullt. 754 nxënës kanë kaluar nëpër bankat e kësaj shkolle. «Ne e admirojmë filozofinë e tij dhe e ndjekim atë. Por kjo nuk domethënë, që ne jemi pjesë e organizatës së tij», shprehet për Gülenin përgjegjësi për marrëdhënie me publikun i kësaj shkolle.

Në këtë shkollë janë dorëhequr bashkëpunëtorë dhe janë tërhequr nxënës. Ambasada turke e refuzon komunikimin me shkollën. 60 të punësuarit turq druajnë të kthehen në Turqi se mos po arrestohen. Drejtorin e inkurajon fakti se, duke qenë që shumë prej politikanëve në Maqedoni i çojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë, mendohet se atyre nuk iu konvenon që shkolla të mbyllet…

Situata në Bosnjë është e ndërlikuar, por megjithatë ka një bashkëpunim të ngushtë të Bakir Izetbegoviçit me Erdoganin. Në pyetje janë 2000 nxënës. Kurse rezistenca te shqiptarët, në Shqipëri dhe në Kosovë, për mbylljen e shkollave të Gülenit është më e madhe. Dhe, kjo kryeneçsi nuk lidhet me simpatitë për Gülenin, por me refuzimin e Erdoganit, politikën e të cilit shumëkush e sheh si një përpjekje për islamizimin e ish të pushtuarve. Shumë intelektualë, thotë artikulli, druajnë se feja do të shërbejë si një pykë për ta përçarë kombin, i cili edhe pse me shumicë myslimane, përfshinë edhe katolikë dhe myslimanë.

Kur ambasada turke në Prishtinë kërkoi burgosjen e një gazetari, i cili, sipas gazetës, kishte shprehur simpati për puçistët, Ministria e Jashtme e Kosovës një gjë të tillë e kishte quajtur të paakceptueshme. Ministria e Arsimit atje e refuzon mbylljen e shkollave Mehmed-Akif me arsyetimin se ato po i respektojnë ligjet, ofrojnë një shkollim të mirë dhe janë tolerantë në planin fetar. Ngjashëm e sheh gazeta edhe situatën në Shqipëri. Edhe pse kryeministri sinjalizon mirëkuptim për merakun e turqëve, shkollat nuk po mbyllen. I vetmi vendim i Ministrisë së Arsimit ka qenë tërheqja e flamurit turk nga shkollat e quajtura të Gülenit. ks