Hetimi pasuror ndaj Klement Balilit: sekuestrohet hoteli «Santa Quaranta»

Hoteli luksoz i hapur në vitin 2015, në prani të politikanëve të lartë të vendit, u sekuestrua në mënyrë preventive nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas hetimeve për pasuritë e Klement Balilit, i cili akuzohet në Shqipëri, Greqi dhe vende të tjera si kreu i një organizata të narkotrafikut.

Hoteli «Santa Quaranta» në Sarandë. Foto: Shutterstock



Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia vendosën nën masën e sekuestrimit hotelin «Santa Quaranta» në Sarandë. Ky vendim u mor pasi Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë për të bllokuar pronat e Klement Balilit dhe të afërmve të tij, i cili është shpallur në kërkim në Greqi prej majit të vitit 2016, i akuzuar atje, në Belgjikë dhe më vonë Shqipëri për trafik narkotikësh dhe si kreu i një organizate kriminale. Operacioni ndaj grupit që dyshohet se drejtonte Balili u zhvillua në maj 2016 fillimisht në Greqi dhe më pas në Belgjikë. Atëherë u njoftua për arrestimin e 6 shqiptarëve, përfshirë Dhimitër Potin dhe të vëllain, dy peshkatarë shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj nga Saranda dhe disa persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në rrjetin e narkotikëve.

Balili, i cili në kohën kur u njoftua goditja e grupit të tij në Belgjikë dhe Greqi, në një operacion që përfshiu policitë e disa vendeve, bashkë me agjencinë e SHBA-së kundër drogës DEA, ishte me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit në Sarandë, dhe arriti t’i shpëtonte në mënyrë misterioze arrestimit. Dosja ndaj tij dhe mosarrestimi shkaktuan një furtunë politike në kryeqytet.

Opozita akuzoi qeverinë si të lidhur me të akuzuarin për narkotrafik që u pagëzua edhe si «Eskobari i Ballkanit». Një shkrim i BIRN gjeti se pati po ashtu përplasje edhe mes policisë dhe prokurorisë apo Ministrisë së Brendshme e kontrolluar nga socialistët dhe asaj të Drejtësisë që kontrollohej nga LSI, e cila ishte kryesisht në shënjestër për emërimin e Balilit në funksion publik, ndërsa po ashtu kishte kandiduar nipin e tij Rigels Balili, i cili u zgjodh në krye të bashkisë së Delvinës në vitin 2015.

Përfshirja e DEA në operacionin e antidrogës bëri që edhe Ambasada e SHBA në Tiranë të ishte mjaft aktive në këtë rast. Më shumë se njëherë ambasadori Donald Lu i akuzoi autoritetet shqiptare për neglizhencë në këtë rast. Në tetor ai tha se Balili ishte i lirë «falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë».

Hetimi pasuror për Balilin dhe të afërmit e tij filloi një vit pas shpalljes së tij në kërkim nga drejtësia greke, ndërkohë që në Shqipëri për një kohë të gjatë ishte e paqartë nëse Balili kërkohej apo jo, ndërsa institucionet ankoheshin për mungesë të dosjes. Për arsye të paqarta kjo e fundit u mësua se mbërriti në Tiranë vetëm 7 muaj pasi operacioni kishte filluar në vendin fqinj.

Ndërkohë vetëm së fundmi Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestrimin preventiv ndaj pasurive të tij. Vendimi u dha në bazë të ligjit antimafia për asete pasurore që i përkasin Klement Balilit dhe të afërmve. Burime të prokurorisë thanë se përveç 20 apartamenteve në Sarandë dhe në Tiranë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi për sekuestrim preventiv edhe të hotelit «Santa Quaranta», pronë e vëllait të Klement Balilit.

Një investigim i BIRN i majit të këtij viti, gjeti se resorti turistik, i ngritur mbi godinën e rrënuar të ish-kampit të punëtorëve në Sarandë i cili u inaugurua me bujë në prezencë të politikanëve të lartë të mazhorancës në gusht 2015-ai, përfshi ministrin e Financave dhe Presidentin e Republikës, të cilët e quajtën «një investim serioz i jashtëzakonshëm», ishte përfituar përmes një procesi jo shumë të qartë dhe pas një konflikt gjyqësor 17-vjeçar për pronësinë mes Bashkim Balilit dhe një sindikate të vogël, të quajtur Sindikata e Pavarur e Ushqimit.

Dokumentet e policisë greke, të siguruara nga BIRN disa ditë pas goditjes së anëtarëve të grupit në Greqi dhe Belgjikë, tregojnë se grupi trafikoi sasi të mëdha mariuane nga bregdeti shqiptar për në Greqi, Bullgari, Maqedoni, Austri, Belgjikë e vende të tjera. BIRN po ashtu gjeti se ndaj një prej të dyshuarve për lidhje me Balilin, kishte pasur edhe një hetim në Shqipëri më herët, fati i të cilit ishte i paqartë.
(BIRN)