Hesapi i asqerëve turq pa milet

Përpjekja për grusht shteti në Turqi dështoi përballë kryengritjes popullore. Ky është lajmi i mirë. Lajmi i keq, ndërkaq, është që Turqinë buzë greminës e ka sjellë presidenti Rexhep Taip Erdoan me politikën e tij katastrofale.

Turqia po përjeton orë dramatike dhe të përgjakshme. 36 vjet pas puçit të fundit ushtarak pjesë të armatës turke u përpoqën ta përzënë me dhunë nga pushteti qeverinë dhe presidentin e urryer Rexhep Taip Erdoan. Tentim për grusht shteti në Turqi? Fillimisht kjo tingëllonte si një anekdotë e keqe. Por anekdota e supozuar shpejt u bë e vërtetë e përgjakshme. Në kryeqytetin e vendit Ankara ushtria hapi zjarr kundër selisë së shërbimit sekret, në metropolin e Bosforit, në Stamboll, ushtarët bllokuan urat e rëndësishme, para aeroportit të Ataturkut të uniformuarit dhe përkrahësit e shefit të shtetit luanin lojën e maces dhe miut, stacionet televizive u morën nën kontroll.

Gjendja në Turqi vazhdon të jetë e paqartë, ende po numërohen viktimat, nga të dy palët kanë vdekur mbi 250 veta. Përkundër faktit se qeveria ia doli t’i prapakthejë puçistët, pasojat për demokracinë turke janë të rënda. Këtë fundjavë shumë turq do ta mbajnë mend si moment të përbaltjes së demokracisë – kësaj radhe nga një grup oficerësh.

Përpjekja për puç tregon sa shpërthyese është gjendja në këtë vend. Që puna erdhi deri këtu ka të bëjë me politikën katastrofale të Erdoanit. Dikur ai ishte bartës i shpresave me ambicie demokratike, por prej vitesh është shndërruar në autokrat, i cili burgos gazetarë, zhvillon gjueti kundër kritikëve, përjashton opozitën laike, kemaliste, pa ndonjë zor të madh e çon vendin në zgjedhje deri në momentin kur atij i pëlqen rezultati zgjedhor, dërgon ushtarë në luftën e pakuptimtë kundër kurdëve, dhe ndjek një agjendë islamiste, e cila një kohë të gjatë i ka favorizuar terroristët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Këtë situatë një pjesë e ushtrisë turke nuk deshi ta durojë më. Por puçistët e bënë hesapin pa popullin. Të premten në mesnatë ata shpallën gjendjen e shtetrrethimit dhe orën policore, por populli nuk u frikësua, njerëzit nuk qëndruan në shtëpi. Populli vërshoi rrugët, bllokoi kazermat dhe mbrojti demokracinë, ndonëse demokracia turke është shfytyruar deri në fund nga Erdoani. Nuk ishin vetëm përkrahësit e kryetarit të shtetit, të cilët me zemërim në gjoks kundërshtuan përpjekjen për zaptimin e pushtetit në mënyrë ilegale. Shkrimtarja e njohur turke Elif Shafak shkroi ne Twitter: «Turqia nuk ka nevojë as për sundim autoritar, as për puç ushtarak. Çfarë i duhet këtij vendi të vetmuar është demokracia e vërtetë, liberale, pluraliste». Turqia ka vuajtur shumë dhe gjatë nën puçistë. Kush mendon ta çojë Erdoanin në dreq të mallkuar, këtë duhet të provojë ta bëjë në kutitë e votimit.

Tani ekziston frika se presidenti gjaknxehtë, i cili bashkë me klanin e tij dyshohet edhe për korrupsion, tani do të veprojë me ashpërsi edhe më të madhe kundër kritikëve të tij. Tashmë ka spekulime që thonë se Erdoan mund të ketë inskenuar vetë puçin për të konsoliduar edhe më shumë pushtetin e tij. Edhe diçka e tillë nuk mund të përjashtohet. Kur bëhet fjalë për mbajtjen e pushtetit, Erdoan ka dëshmuar se është i gatshëm të kalojë të gjitha vijat e kuqe.

Erdoan fajësoi lëvizjen e imamit Fetullah Gylen për përpjekje për grusht shteti. Gylen jeton në SHBA nga viti 1999. Erdoan dhe Gylen kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë, bashkë kanë fituar zgjedhje dhe kanë kufizuar kompetencat e armatës. Miqësia e dikurshme është shndërruar në armiqësi të rrezikshme për të ardhmen e Turqisë. Të dy palët, lëvizja e gylenistëve dhe partia e Erdoanit AKP, kanë ithtarët e tyre në administratë, në polici dhe në ushtri. Gylen kryeson një konglomerat të përbërë prej shtëpive mediale, klinikave, shkollave, të cilat janë aktive në 140 vende të botës. Rrjeti i Gylenit, një lloj sekti me etikë të theksuar pune dhe prirje më liberale se Erdoan, ka ende ndikim në Turqi: prokurorë që supozohet se janë të afërt me lëvizjen gyleniste kanë urdhëruar arrestimin e djemve të ministrave të qeverisë Erdoan, të cilët ishin të përzier në afera korruptive. Ata po ashtu kanë hetuar edhe rrethin e ngushtë të Erdoanit. Po ashtu Gylen ka kritikuar veprimet brutale kundër të rinjve turq, të cilët protestuan kundër planeve ndërtimore të Erdoanit në parkun Gezi në Stamboll. Që nga atëherë Erdoan zhvillon një fushatë të vërtetë kundër gylenistëve, të cilët ai i quan terroristë.

Aty ku sundojnë paranoja dhe arbitrariteti, shpejt mund të ketë kaos dhe gjakderdhje. Këtë e tregoi nata që shkoi në Turqi. Por Perëndimi ka nevojë për pushtet stabil në Ankara për t’u përballur me valën e refugjatëve dhe për të luftuar terrorizmin. Si vend anëtar i NATO-s Turqia është partner i rëndësishëm – përkundër dallimeve të thella mes Turqisë së Erdoanit dhe demokracive perëndimore. Për këtë arsye është me rëndësi që nga Washingtoni në Bruksel dhe deri në Berlin të përkrahet qeveria e zgjedhur në Turqi.

(Tages Anzeiger)